E la të fundit, fillimisht takoi presidenten dhe opozitën: Mesazhet poshtëruese të Escobarit për Kurtin
Raportet jo të mira të kryeministrit Albin Kurti me ShBA-të po reflektojnë edhe në vizitën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në Kosovë. Ky i fundit, e ka injoruar kryeministrin e Kosovës, duke mos e takuar sipas protokollit të zakonshëm.
Diplomati amerikan fillimisht ka takuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, dhe liderët opozitarë. Takimin me kryeministrin Kurti diplomati amerikan do ta realizojë vetëm sot në ora 15:30, pak para largimit nga Kosova.
Njohësit e rrethanave politike në vend kanë thënë se kësaj here diplomati amerikan e ka ndryshuar protokollin e zakonshëm të vizitave.
Sipas tyre, një veprim i tillë nuk ka qenë rastësi.
Në këtë mënyrë, kanë thënë ata, emisari amerikan i ka dërguar mesazhe kryeministrit kosovar.
Ata kanë bërë me dije se lenia e takimit me Kurtin ditën e fundit të vizitës tregon për mesazhet poshtëruese të diplomatit amerikan për shefin e ekzekutivit.
Analisti Dukagjin Gorani ka vlerësuar se mesazh për Kurtin ishte edhe konferenca që Escobar ka mbajtur online me gazetarët një ditë para vizitës.
“Shikohen vizitën e Escobarit. Para se me ardhë në Prishtinë ai mban konferencë për shtyp. Pse ke nevojë me mbajt konfeencë për gazetarë para së me ardhë. Zakonisht konferencat mbahen në fund të vizitës, jo para. Ata që marrin vesh pak a shumë për mënyrën qysh funksionin diplomacia ndërkombëtare, sidomos ajo amerikane ata ish dashtë me e ditë që arsyeje pse u bo ajo konferencë është mënyra qysh ty Departamentit i Shtetit të tregon që nuk po vije me të pyet, nuk po vije me negociu, por po vije me të kallxu. Me të kallxu cili është qëndrimi i jonë dhe çka pritet prej teje me bo. Pra, konferencë me gazetar e ka përmbajt mesazhin”, ka thënë Gorani në emisionin “Pressing”.
Ai ka vlerësuar se mesazh tjetër për Kurtin është edhe takimi i Escobrit me presidenten e vendit.
“Një person që është ceremonial mundohesh tash me e ngrit në një pozitë të rëndesi politike, jo pse ajo mundet me krijuar rëndesi politike, meqenëse kushtetuta nuk ia lejon, por me atë po dëshiron me i cu mesazh qeverisë së vendit që t`i nuk je më aktor i rëndësishme politik në këtë situatë. Pas takimit me presidenten e vendit ky është taku me krerët e opozitës. Pra, takohesh me njerëz që nuk ka ndonjë pushtet në dorë”, është shprehur ai.
Më tej, ai ka treguar se pse ka ndodhur kjo.
“Nesër e ka lënë me e taku shefin e Qeverisë, që besa edhe shefin e shtetit. Nesër, dmth pak para se me pas aeroplanin si takim të fundit e ka takimin me kryeministrit e vendit. Ky është mesazh për mua, si e kisha interpretu është mesazh poshtërues. Dhe është mënyra përmes se cilës departamenti i shteti e tregon rendësin tende në hierarkin e prioriteteve të tyre. Pse ka ndodhur kjo? Mendoj se tash jemi ardh në fundin e lojës, se paku sa i përket administratës aktuale në Uashington. Ky është fundi i rrugës”, ka thënë ai.
Në pritje të reflektimit të Kurtit
Edhe politologu Avdi Smajlalj mendon se vizita e emisarit Escobar në Kosovë përmban mesazhe të caktuar për kryeministrin Kurtin.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se në këtë mënyrë SHBA-ja ia ka treguar Kurtit se mund ta tejkalojë atë.
“Normalisht, kjo tregon që kryeministrit i është dhënë ende mundësi që të reflektojë. Herën tjetër mund të mos e takojnë fare, nëse nuk ndryshon qasjen”, ka thënë ai.
Sipas tij, shqetësimet e diplomatit amerikan duhet të merret shumë seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Deklarata e z. Escobar ku përmenden edhe shtete tjera që kanë probleme në komunikim me kryeministrin e thellon dhe zgjeron fokusin e qasjes jokonstruktive të kryeministrit. Nëse me ShBA-në vështirësitë në komunikim kanë të bëjnë me përpjekjen për të mos zbatuar marrëveshjet me Serbinë, jokonstruktiviteti në rajon reflekton ambiciet politike të kryeministrit që për ShBA-në dhe BE-në konsiderohen jo në frymën e stabilitetit rajonal. Një qasje e tillë më së paku i duhet Kosovës, sidomos në këtë kohë. Ndër të tjera, ky është edhe një mesazh që Kosova duhet të harmonizoj qëndrimet e politikat me ShBA-të”, ka thënë ai.
Ndërsa, anëtari PSD-së, Asdren Shala, ka thënë se kjo tregon se në çfarë nivelin janë raportet e kryeministrit Kurti me ShBA-të.
Sipas tij, ky është një poshtërim që ShBA-ja ia bën Kurtit.
“Qasja e Escobarit ndaj kryeministrit të Kosovës është poshtëruese. Mi taku krejt përfaqësuesit opozitarë në Kosovë me taku çdo instancë institucionale edhe i fundit po e thamë kushtimisht para se mu nisë aeroplani, hajt të takojmë edhe kryeministrin tregon deri në çfarë pike kanë arrit raportet e amerikanëve me kryeministrin Kurtin. Ata po trajtojnë si jo serioz dhe kredibil me Albin Kurtin”, ka thënë Shala në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, Escobar ka takuar presidenten Vjosa Osmani, ku ka mbajtur një konferencë për medie.
Më pas, në mbrëmje, diplomati amerikan ka pritur në një darkë pune liderët e partive opozitare në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffry Hovenier.
Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar është takuar edhe me disa politikanë serb, ndërsa sot ka vizituar Manastirin e Deçanit.