"E Kosova?": Marrëveshja e Serbisë me ShBA-në për bashkëpunim strategjik në energji, plot kritika për Qeverinë Kurti
Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Bashkëpunim Strategjik në Energji. Kjo marrëveshje u komentua në Kosovë, teksa nuk u la pa u kritikuar ashpër Qeveria e Kosovës për mungesën e marrëveshjeve të mëdha me ShBA-në e shtetet të tjera evropiane. Gjithashtu u përmenden edhe masat ndëshkuese të vendosura ngë Bashkimi Evropian.
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se kanë nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Strategjik në Energji me Serbinë. Duke thënë se kjo ujdi përfaqëson “përpjekjet disa vjeçare që përfshijnë vëmendje të afërt specialistësh nga pesë agjenci amerikane”.
“Sot, nënsekretari për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Jose W. Fernandez dhe ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriq nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunimin strategjik SHBA-Serbi në fushën e energjisë në Serbi. Kjo marrëveshje do të zgjerojë mundësitë për kompanitë amerikane për të investuar në sektorin energjetik të Serbisë, duke përfshirë promovimin e investimeve amerikane që do të forcojnë partneritetin strategjik SHBA-Serbi”.
“Kjo marrëveshje përfaqëson një përpjekje shumëvjeçare, që përfshin vëmendjen e ngushtë të specialistëve nga pesë agjenci amerikane. Ky angazhim i burimeve pasqyron mbështetjen e fortë të qeverisë së SHBA për investitorët amerikanë dhe projektet e energjisë së pastër, si një mjet për të nxitur një tranzicion të gjelbër dhe një zhvillim të qëndrueshëm”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
E Kosova?
Ndërkohë, në Kosovë shpërthyen reagimet e ashpëra kundër Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Opinionisti Agon Maliqi i cili përmendi edhe dy marrëveshjet e tjera të nënshkruar nga Serbia, si ajo me Francën për blerjen e avionëve luftarakë dhe marrëveshjen me Gjermaninë për litumin.
Ai ka thënë se ndërkohë Kosova nuk ka asnjë investim si dhe ka humbur mbështetjen e shteteve kryesore.
“Kosova ndërkohë jo vetëm që nuk po siguron njohje dhe investime, por e ka humbur edhe mbështetjen e atyre shteteve që i kishte në bosht, e po rrezikon të përjashtohet edhe nga mekanizmat rajonalë të ekonomisë si CEFTA apo Procesi i Berlinit.”
Më tej, Maliqi ka thënë se Kosova ka “sharruar me dëshirë në lloqin e delireve populliste”, duke përmendur edhe huqjen e Kurtit me detyrën e matematikës.
“Ndërkohë, krejt ky rrënim drastik i pozitës së Kosovës, në sytë e kuazi inteligjencës kosovare që ka mbetur në nivelet e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, dhe ka sharruar me dëshirë në lloqin e delireve populliste, vazhdon të shihet si shenjë e një strategjie gjeniale dhe lidershipi vizionar. Të nderuar, metaforë më të mirë se ajo situata me tabelë nuk mund të ketë: X=0.” – ka shkruar ai në Facebook.
Edhe gazetari Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje.
Ai ka përmendur që brenda 78 ditëve Serbia ka nënshkruar tri marrëveshje të mëdha.
“78 ditë e kanë bombarduar Serbinë bashkë Amerika, Gjermania dhe Franca. Në më pak se 78 ditët e fundit Serbia lidhi marrëveshje miliardëshe bashkepunimi me Amerikën, Gjermaninë dhe Francën. Veç ta lë të shkruar këtu!” – ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, më profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se kryeministri Kurti për këto 4 vite ka punuar me manual si ta dëmtojë dhe shkatërrojë shtetin e Kosovës.
“Serbia sonte nënshkruan marrëveshje me SHBA-të për energjinë; Me Gjermaninë dhe BE-në nënshkruan marrëveshje për Litiumin; Me Francën nënshkruan marrëveshjen për blerjen e aeroplanëve në vlerën prej 2.5 miliard euro. E Kosova? Qe 451 ditë nën sanksione nga BE dhe me raporte të ngrira me SHBA. Albin Kurti, për këto 4 vite pa fije dyshimi ka punuar me manual si ta dëmtojë dhe shkatërrojë shtetin që e qeverisë vet.” – ka shkruar Selmanaj në Facebook.