E konfirmuar: Këshilli Evropian diskuton nesër për Kosovën dhe Serbinë
Takimi i Këshillit Evropian që e paralajmëroi emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak e ku pritet të diskutohet pikërisht për Kosovën e Serbinë, pritet të mbahet nesër nga ora 15:00.
Presidenti i këtij institucioni të BE-së tashmë ua ka dërguar letrën shteteve anëtare, ku ftohen që të marrin pjesë në takimin e tetorit të Këshillit Evropian.
“Po ashtu, pritet që të mbulojmë edhe çështje të tjera të politikës së Jashtme – duke përfshirë situatën në Sahel, marrëdhëniet Kosovë-Serbi, dhe Kaukazin e Jugut…” – thuhet mes tjera në letrën ku tregohet agjenda e mbledhjes.

A do të takohen Kurti dhe Vuçiq?
Nuk dihet nëse para, ose pas kësaj mbledhje – megjithatë, BE-ja i ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë që të bisedojnë në margjina të takimit të Këshillit Evropian.
Kjo u konfirmua edhe dje nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili u shpreh:
Liderët e Kosovës dhe Serbisë janë ftuar të marrin pjesë në takimin për mbështetjen e dialogut në margjinat e takimit të Këshillit Evropian më vonë gjatë kësaj jave.”
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po ashtu të martën konfirmoi se mund të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti gjatë dy ose tre ditëve në vijim, por tha se nuk mund të japë më shumë detaje.
Sa i përket shefit të Qeverisë së Kosovës, ende nuk është konfirmuar nëse ai do të udhëtojë të enjten për në Bruksel.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është herët të konfirmohet pasi që ftesat janë dërguar pasditen e djeshme.
“Është herët të konfirmohet pasi që ftesat janë konfirmuar sot pasdite perderisa Kurti është në vizitë jashtë vendit.” – ka thënë Kusari-Lila.
Çka kishte thënë Lajçak?
Një takim të tillë, e kishte paralajmëruar edhe emisari Lajçak të shtunën nga vizita e tij në Beograd.
“Dialogu do të jetë në agjendë të takimit të Ministrave të Jashtëm evropianë, dhe po ashtu do të diskutohet edhe më vonë këtë javë në Këshillin Evropian.
Siç kemi thënë shumë herë më parë, nuk ka të ardhme për Serbinë dhe Kosovën në BE pa normalizim të marrëdhënieve, dhe implementim të marrëveshjeve.
Duam të shohim një Ballkan Perëndimor stabil, dhe për këte dialogu ka rëndësi të madhe.
Diskutimet tona me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandër Vuçiq do të vazhdojnë ditëve në vijim.” – ka thënë ai.
