E konfirmon policia: Një person është plagosur në Prishtinë – të dyshuarit janë në arrati
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person është plagosur si pasojë e teshënave me armë zjarri në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, tek vendi i njohur si “Kafet e Vogla”.
Lajmi është konfirmuar për Gazetën Nacionale nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka bërë të ditur se i plagosur është dërguar për tretman të nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
“Sot rreth orës 21:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është konfirmuar se një person është plagosur. I njëjti është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.” – ka thënë ai.
Borovci ka njoftuar se në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri.
Tutje bëhet e ditur se PK është duke zhvilluar veprimet e tjera hetimore me qëllim të identifikimit dhe lokalizimit të dyshuarve.
“Ndërlidhur me rastin është gjetur edhe një armë zjarri ndërkohë që policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast.” – kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.
