E konfirmon Ministria e Ekonomisë: Kosova jashtë Programit të Evropës Digjitale
Kosova ka mbetur jashtë Programit të Evropës Digjitale. Bëhet fjalë për një program miliardësh të Bashkimit Evropian që synon të përshpejtojë hapat e zhvillimit teknologjik. Ky program synon të përshpejtojë transformimin digjital të Evropës dhe të sigurojë financim për projekte në fushat e teknologjisë dhe inovacionit.
Derisa vendet e rajonit, si Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë përfituar nga ky program, lënia jashtë e Kosovës ka sjellë shqetësime dhe reagime nga opozita, ndërkohë që udhëheqësit e qeverisë kanë heshtur.
Këtë tashmë e ka konfirmuar vet Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Dukagjinin duke njoftuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është shtyrë me kërkesë të Bashkimit Evropian.
“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë”, kanë deklaruar nga Ministria e Ekonomisë.
Çka është Programi i Evropës Digjitale?
Katër vende të Ballkanit Perëndimor janë bërë tashmë pjesë e Programit të Evropës Digjitale. Ky Program krijo një mori mundësish për individët, institucionet qeveritare dhe grupet e tjera që të aplikojnë për të marrë pjesë në programin e financimit prej 7.5 miliardë eurosh.
Programi i Evropës Digjitale është programi i parë i BE-së që synon të përshpejtojë rimëkëmbjen dhe të nxisë transformimin digjital të Evropës.
Me vlerë 7.6 miliardë euro (në çmimet aktuale),Programi është pjesë e buxhetit të ardhshëm afatgjatë të BE-së, (Korniza Financiare Shumëvjeçare), dhe mbulon 2021 deri në 2027. Ai do të sigurojë financim për projekte në pesë fusha vendimtare: superkompjutera , inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, aftësitë e avancuara dixhitale dhe sigurimin e përdorimit të gjerë të teknologjive dixhitale në të gjithë ekonominë dhe shoqërinë.
Programi është përshtatur mirë për të mbushur boshllëkun midis kërkimit të teknologjive digjitale dhe vendosjes së tyre, dhe për të sjellë rezultatet e kërkimit në treg - për të mirën e qytetarëve dhe bizneseve të Evropës, dhe në veçanti SME-ve.
"Dëm i madh"
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga pushteti për këtë situatë. Ata e kanë cilësuar përjashtimin e Kosovës nga Programi i Evropës Digjitale si një "dëm të madh" për vendin. Deputeti Avdullah Hoti nga LDK shkroi në Facebook se është një dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e këtij programi të BE-së.
“Dëm i madh që Kosova nuk është pjesë e Programit të Evropës Digjitale të BE-së” – ka shkruar deputeti Avdullah Hoti në Facebook.