E hëna e “propozimeve realiste” për dinarin në Bruksel, Bislimi ngul këmbë: “Asgjë jashtë rregullores, e dimë ne qysh duket zgjidhja” - NACIONALE

E hëna e “propozimeve realiste” për dinarin në Bruksel, Bislimi ngul këmbë: “Asgjë jashtë rregullores, e dimë ne qysh duket zgjidhja”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Brukseli pret sot “propozimet realiste” të palëve për çështjen e dinarit efektivisht dhe esencialisht të ndaluar nga qeveria kosovare që nga 1 shkurti, ka njoftuar pas takimit të fundit në nivel kryenegociatorësh (që vijon sot) Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Se a do të ketë ndonjë mes qoftë edhe aspak “të artë” pritet të konkludohet gjatë ditës, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura paraprakisht propozimet e palëve, përkatësisht ato të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit.

Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi – prej pozicionit që “nuk shkoj në Bruksel për çështje të dinarit” sot e gjen veten në dorëzim të propozimeve për një institucion të pavarur si BQK-ja vis-a-vis Petar Petkoviqit, i cili kërkon zgjidhje përmes Kursimores së Postës Serbe, një nga bankat e vetme e cila operon ende në komunat të banuara me shumicë serbe.

Kryetnegociatori i palës kosovare, ditëve të fundit duke folur në Kanal 10, tha – pa shpjeguar se ku konsiston dallimi – që nuk dërgojnë propozime “por ide”.

Ajo çka dërgojmë (në Bruksel), nuk janë propozime për rregulloren, por janë ide se si transferet e Serbisë janë të mundshme brenda rregullores së BQK-së”, tha ai.

Rregullorja ka krijuar një telashe për ato struktura që kanë ofruar mbështetje te komuniteti serb. Ne po mundohemi që afatshkurtët të gjejmë modalitet të bëhet e mundshme edhe më tej, por duke hapur mundësinë që të rregullohet në afat të gjatë”.

Duke refuzuar të shpjegojë se çka janë këto ide/propozime që këtë të hënë Bislimi i merr me vete në Bruksel për t’i vendosur në tryezë, tha veçse “ne e kemi të qartë si duket zgjidhja”.

Edhe në qoftë se Serbia do të pushonte për një moment së dërguari mjetetet drejt tyre, ata prap do të kishin mjete që pamundëson kthimin në një problem humanitar”, shtoi ai.

Propozimet ne nuk i nxjerrin në tavolinë para mediave, por në tavolinë të bisedimeve në Bruksel. Ne e kemi të qartë se si duket kjo zgjidhje, ajo çka ka munguar është vullneti i Serbisë”, tha Besnik Bislimi.

Çka ka thënë Lajçaku?

Piktura del krejt tjetër pas deklarimit të ndërmjetësit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Palët – pra, Kosova dhe Serbia – ,tha ai, u pajtuan që të sjellin propozime “realiste”. Fjala që përdori Lajçak (realistic) shënon atë që “të kesh ose të tregosh një ide të prekshme dhe praktike për të atë që mund të arrihet ose pritet”.

Ishte e rëndësishme të vërtetoheshin disa fakte dhe ne ramë dakord që të vazhdojmë diskutimin tonë për këtë çështje të hënën e ardhshme në Bruksel, bazuar në propozimet konkrete dhe realiste që Palët pritet të paraqesin paraprakisht”, tha Lajçak.

Del se ajo që jepej për punë të brendshme të Kosovës tashmë edhe zyrtarisht u çua në Bruksel për çka palët duhet të dërgojnë propozime “realiste”; ndërsa propozim do të ketë edhe Serbia – pra, propozim që do të sintetizohet në një mes, siç ka qejf ta cilësojë Kurti, “simetrik”, me atë të Kosovës dhe Serbisë; për një punë të brendshme të Kosovës.

Megjithatë, Kurti është shprehur i bindur – nëse jo i shpresshëm – se “do të dalim fitimtar nga kjo situatë”, duke folur në një intervistë javë më parë në “Bloomberg”; ndërsa për këtë çështje Serbisë i është miratuar seancë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku edhe aleatët më jetikë të vendit morën qëndrim pasiv dhe madje edhe skajshmërisht qortues ndaj Kosovës, kësisoji Kurti duke u shpaluar para 193 shteteve të botës me një vetmi të frikshme të vendit, qenësia e të cilit varet nga perëndimi politik.

Për punën e dinarit – jo për legalitetin dhe legjitimitetin e vendimit – Kosova ka bartur mbi supe kritikat më të ashpra ndonjëherë rreth mënyrës (ose, etikës) së zbatimit pa ofruar alterantivë dhe kohë përshtatshmërie dhe komunikimi me komunitetin serb.

Lajme të ngjashme