E harron shtetëzimin e KEDS-it, takohet me pronarët: Marrëdhënia e çuditshme e Kurtit me kompaninë turke
Albin Kurti, kryeministër aktual i Qeverisë së Kosovës, ka shkelur shumë premtime. Madje, sipas Nacionales, Kurti i ka ndryshuar dhjetëra premtime. Në mesin e këtyre premtimeve, është edhe një për energjinë elektrike. Më saktë, për KEDS-in, kompaninë turk që e privatizoi distribucionin e energjisë elektrike për 26.2 milionë euro vite më parë.
Sa ishte në opozitë, Kurti paralajmëronte shtetëzimin e Kompanisë së Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS), duke theksuar se privatizimin e tij “do ta luftojmë pa pushim, pa kursim dhe përgjithmonë”. Për më shumë, VV-ja ishte goxha aktive në kundërshtimin e shitblerjës së distribucionit, duke protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovë në vitin 2012, në përpjekje për të ndaluar nënshkrimin e kontratës.
Kurti ishte parë i zëshëm kundër këtij privatizimi edhe gjatë seancë në Kuvendin e Kosovës para 12 viteve.
Por që nga ardhja në pushtet, Kurti është parë “goxha i afërt” me KEDS-in. E para, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, përkundër kundërshtimeve, ia pranoi KEDS-it kërkesën për rritjen e energjisë elektrike.
E dyta, dhe ndoshta më e rëndësishmja, Kurti i ka takuar dy pronarët e firmës Limak Holding dhe Çalik Holding, të cilët janë pronarë të KEDS-it. Për takimin me Nihat Özdemir dhe Ahmet Çalik, dy biznismenë shumë të pasur nga Turqia, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar opinionin në faqen e saj.
Në takim, përveç Kurti, pjesëmarrës ishte edhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë. Më dy biznismenët nga Turqia, Kurti e Rizvanolli, sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, disktuan për “eksplorimin e mundësive për investime në fushën e energjisë dhe infrastrukturës brenda Kosovës”.
Për më shumë, në komunikatë më nuk flitej për shtetëzimin e KEDS-it, por për “frymë bashkëpunimi e përkushtimi të përbashkët”
“Diskutimet u përqëndruan rreth eksplorimit të mundësive për investime në fushën e energjisë dhe infrastrukturës brenda Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve të huaja në përmirësimin e këtyre sektorëve.
Takimi, i cili u zhvillua në Zyrën e Kryeministrit, u karakterizua me frymë bashkëpunimi dhe përkushtim të përbashkët për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.” – shkruhej në komunikatën e Qeverisë Kurti, transmeton Nacionale.
Për më shumë, në takim ishte folur edhe për investime të tjera të mundshme nga këta dy biznesmenë turk në Kosovë.
“Gjatë diskutimeve, z. Özdemir dhe z. Çalik shprehën interesimin e tyre për investime të mundshme që mund të kontribuojnë në përparimin ekonomik të Kosovës. Ata theksuan ekspertizën e kompanive të tyre në projektet e energjisë dhe infrastrukturës, duke përfshirë energjinë e ripërtritshme.
Kryeministri Kurti ritheksoi zotimin e institucioneve të Kosovës për të krijuar kushte të favorshme, konkurrencë të barabartë dhe transparencë për investitorët e huaj.” – shkruhej tutje në komunikatë, transmeton Nacionale.
Duke pasur parasyshë premtimet e dikurshme të Kurtit në opozitë, kjo marrëdhënie në “frymë bashkëpunimi” duke e çudtishme. Pra Kurti e VV-ja duket se e kanë harruar tashmë kundërshtitë e dikurshme të privatizimti të distribucionit nga ana e KEDS-it.
Sjellim ndër mend që në dy ditët e fundit ka pasur shumë reagime në lidhje me faturat e energjisë elektrike. Shumë qytetarë, por edhe politikanë, janë ankuar për “gufim” të faturave.