E hapën tenderin, pastaj i ranë pishman: A ka policia blloka për aksidente? - NACIONALE

E hapën tenderin, pastaj i ranë pishman: A ka policia blloka për aksidente?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka ndarë afër 6 mijë euro për blerjen e bllokave për raportet e aksidenteve. Mirëpo si duket i ka rënë pishman menjëherë pas një dite. Dhe arsyet pse kanë hequr dorë nuk dihen, ndërsa policia po përballet me mungesë bllokash.

Teksa aksidentet janë në numër të madh dhe duhen blloka për shënimin e tyre, sipas qytetarëve dyshohet se policia ka mbetur pa raporte të tilla.

Më 1 qershor është bërë njoftimi për kontratën nga Policia e Kosovës, e cila kishte paraparë të nënshkruante kontratë përmes procedurës së hapur të tenderimit.

Kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët.

Tenderi i hapur me titull “Furnizim me blloka - raporte të aksidenteve” është mbyllur një ditë pasi është hapur, për shkak se nuk kanë pranuar operatorë të përgjegjshëm.

Në pyetjet tona drejtuar Policisë së Kosovës, ata kanë treguar se pse është anuluar ky tender.

Sipas policisë, kanë aplikuar tre operatorë, e të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret.

Lidhur me kërkesën tuaj ju informojmës se, me datë 13.05.2022 është publikuar tenderi- Kuotim çmimi për sasi 2000 copë dhe hapja është bërë me date 24.05.2022 ku janë pranuar 3 oferta. OE ”1” ka dështuar ta sjellë mostrën. OE “2” e ka sjellë mostrën pas afatit dhe është refuzuar. Gjithashtu ka tejkaluar vlerën e parashikuar. OE “3” e ka sjellë mostrën por mostra nuk i ka plotësu kërkesat (specifikacionet teknike). Gjithashtu ka tejkaluar vlerën e parashikuar, është më e lartë afërsisht 90%nga vlera e parashikuar. Andaj aktiviteti është anuluar me date 24.05.2022 në munges të një oferte të përgjegjshme”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ndërsa në njoftimin për anulimin e vendimit thuhet se një dispozitë kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit Publik kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit”, thuhet në njoftim.

Edhe pse është hapur tenderi për furnizim, policia thotë se kanë mjaftueshëm blloka për shënimin e aksidenteve.

Policia ka mjaftueshëm forma (blloka) të tiketave dhe të atyre të evidentimit të aksidenteve. Per qeshtje tjera adresoju autoriteteve kompetente”, thuhet në përgjigjen dhënë Nacionales.

Në anën tjetër, plot qytetarë gjatë aksidenteve janë njoftuar nga policia se nuk kanë blloka për shënimin e të dhënave të aksidentit.

Një qytetar i cili dëshiroi të mbeste anonim, ka thënë se policia nuk ka pasur blloka për shënimin e aksidenteve.

Edhe të tjerë në kushte anonime kanë treguar se Policia e Kosovës nuk ka blloka të mjaftueshëm, thujase hiç, për evidentimin e aksidenteve.

Por, sa aksidente ndodhën që u shpenzuan letrat e evidentimit te aksidenteve?

Përgjatë periudhës janar-prill 2022 në Kosovë kanë ndodhur 6 mijë e 128 aksidente, prej të cilave 31 ishin me pasoja fatale ku 36 qytetarë humbën jetën.

Aksidente me lëndime ishin 2 mijë e 164, ndërsa persona të lënduar ishin 4 mijë e 30 kosovarë.

Ndërkaq, aksidente me dëme materiale ishin 3 mijë e 933 aksidente.

Në krejt këtë periudhë, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 21 mijë tiketa.

Kurse vetëm gjatë vitit 2021 në Kosovë ndodhën 21 mijë e 275 aksidente në krahasim me vitin 2020 ku numri i aksidenteve ishte 13 mijë e 868.

Pavarësisht numrit të lartë të gjobave, numri i aksidenteve nuk është zvogluar. Kështu është bërë e ditur në raportin vjetor për vitin 2021 të Policisë se Kosovës.

Aty thuhet se “gjatë vitit 2021 Policia ka shqiptuar 484,138 tiketa për kundërvajtje në trafikun rrugor, që në raport me vitin 2020 është shënuar ngritje për 88.74%. Fatkeqësisht, edhe përkundër përpjekjeve të mëdha të Policisë dhe shtimin e numrit të tiketave për 88.74%, gjatë kësaj periudhe vërehet ngritje e aksidenteve në trafikun rrugor, nga 13,868 në 21,275 aksidente, apo ngritje për 53.41%”.

Tenderi i fundit për furnizimin e Policisë së Kosovës me blloka për evidentimin e aksidenteve ishte bërë në tetor të vitit të kaluar. Tenderi në fjalë i kishte kushtuar mbi 900 euro buxheti të Kosovës.

Lajme të ngjashme