Vasfije Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e deputetes - NACIONALE

Vasfije Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e deputetes

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e Lëvizjes Vetëendosje, Vasfije Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për shkak të gjendjes shëndetësore dhe trajtimit mjekësor që po merr.

Krasniqi përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se për vendimin është njotuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes. Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit”, ka thënë ajo.

Tutje në postimin e saj, Krasniqi ka bërë të ditur se do ta vazhdojë angazhimin e saj në Kongresin Amerikan, ndersa ka pasur një falenderim edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Gjithsesi më lejoni të falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje për besimin, hapësirën, mbështetjen dhe qasjen ndaj meje, falenderim i veçant për Kryeministrin e Rebublikës së Kosovës z: Albin Kurti i cili vërtet ka treguar se është i gatshëm dhe i vendosur që çështjen e krimeve të luftës ta trajtoi seriozisht, nuk duhet harruar as, të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilët vërtet treguan se përtej dallimeve politike dhe politikave ditore mund të mbizotërojë njerëzorja tek secili prej nesh”, tha ajo.

Në fund, Krasniqi ka thënë se falenderon qytetarët e Kosovës, të cilët i dhanë besimin që t’i përfaqësojë në Kuvend.

Kush është Vasfije Krasniqi?

Vasfije Krasniqi ishte një ndër gratë e para, që publikisht, foli për dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për torturat që përjetoi vetë ajo.

Në vitin 2017, Krasniqi kishte publikuar një letër në Facebook me të cilën i drejtohet rrëmbyesit dhe dhunuesit të saj.

Vasfije Krasniqi kishte rrëfyer se më 13 prill 1999, ishte marrë nën kërcënimin e armëve nga shtëpia e saj, nga një burrë me uniformë të Policisë së Kosovës.

“Ti më lëndon. Isha 16 vjeç dhe nuk e kisha përjetuar jetën. Isha e pafajshme. Ti ma shkatërrove dhe ma vodhe rininë time pa t’u trembur syri. Nuk më vjen turp dhe nuk kam frikë. Unë do ta bëj pjesën time. Të gjithë e dinin se një polic serb më mori. Të gjithë e dinin se një vajzë 16-vjeçare nuk do merrej për deklaratë nga forcat policore serbe”, kishte deklaruar ajo.

36-vjeçarja, e cila kishte qenë vetëm 16-vjeçare në kohën kur i ishte nënshtruar torturave dhe dhunimit seksuale, për një kohë të gjatë ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është nënë e dy fëmijëve.

Në vitin 2019, ajo i ishte drejtuar me një fjalim edhe Kongresit Amerikan, ku edhe atje kishte dëshmuar për dhunën që përjetoi gjatë luftës në Kosovë.

Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit parlamentare, Krasniqi kandidoi për deputete me Lëvizjen Vetëvendosje, ku edhe ia doli që ta marrë këtë pozitë.

Lajme të ngjashme