'E frikshme': Zgjedhja e kryetarit të ri në KPM nxit reagime të ashpra
Ende pa përfunduar mandati i kryetarit aktual të Komisionit të Pavarur për Media, anëtarët e këtij komisionit, sot zgjodhën një tjetër kryetar. Edhe tri ditë, kryetarit aktual Jeton Mehmetit i skadon mandati si kryetar i KPM-së, por sot anëtarët e kësaj komisionit u mblodhën dhe zgjodhën Besnik Berishën si kryetar i ri i KPM-së.
Zgjedhja e Berishës si kryetar i ri i KPM-së, nxiti shumë reagime, duke u cilësuar si kapje të KPM-së nga pushteti.
Juristja për media, Flutura Kusari ka thënë se kapja e KPM-së u kompletua, duke shtuar se rregullorja e re u ndryshua, Mehmeti është shkarkuar nga pozita dhe se tashmë KPM ka kryetar jolegjitim.
“Ky është sulm politik ndaj pavarësisë së Komisionit të Pavarur për Media dhe është bërë për të ushtruar presion në televizione. Ne punën tonë e kryme, e dokumentuam kapjen politike nga pushteti të KPM-së.” – ka shkruar ajo pas mbledhjes së KPM-së.
Për zhvillimet e sotme në KPM, ku u zgjodh një kryetar i ri, megjithëse kryetari aktual kishte ende mandate, ka reaguar edhe Vlora Çitaku nga PDK-ja.
Çitaku ka thënë se janë shqetësues raportet nga mbledhja e sotme e Komisionit të Pavarur për Media dhe konstatimet e vëzhguesve të pavarur që edhe ky institucion i pavarur është kapur nga Qeveria e LVV-së.
“Është e frikshme vetëm të paramendohet humnera në të cilën ky pushtet është duke e katandisur shoqërinë. Nga kapja politike e KPM-së mund të pritet vetëm sulme politike mbi mediat e pavarura dhe cenim i mëtutjeshëm i lirisë së të shprehurit për të gjithë. Nëse procesi është bërë duke shkelur ligjet e rregulloret, atëherë duhet të reagojë menjëherë edhe gjyqësori. Shkatërrimi i shtetit dhe shoqërisë që e kemi ndërtuar me gjak e sakrifica nuk mund të kalojë.” – ka shkruar ajo.
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputete, Rrezarta Krasniqi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Komisionin e Pavarur të Mediave.
Krasniqi ka thënë se Përpjekjet e turpshme të pushtetit për t'a marrë nën kontrollë KPM-në, përbëjnë rrezik për funksionimin e mediave dhe demokracinë.
“Përpjekjet e turpshme të pushtetit për t'a marrë nën kontrollë KPM-në, përmes veglave të tyre, përbëjnë rrezik për funksionimin e mediave dhe demokracinë. Më 9 shkurt, kjo qasje do të marrë fund! Pavarësia e institucioneve do të mbrohet me çdo kusht.” – ka shkruar Krasniqi.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në Komisionin e Pavarur të Mediave, ku u zgjodh një kryetar i ri, megjithëse kryetari aktual kishte ende mandate.
Molliqaj ka shkruar shkurtimit: “Komisioni i Partisë për Media – KPM”.
Gazetari Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Komisionin e Pavarur të Mediave.
Kelmendi përmes një postimi ka shkruar një skenar, duke thënë se edhe për një lëvizje më të vogël, tash e tutje do të dënohet ose mbyllën mediat.
Ai ka thënë se kjo do të vazhdojë deri sa të mbetet “TVVV”, duke thënë se vetëm atëherë kënaqet lideri dhe dëgjohet vetëm ai.
“KPM-ja dërgon vërejtje. Një mysafir në Rubikon ka thënë se një ministër ka vjedhur. 1 mijë euro dënim.
Të nesërmen, vërejtja tjetër. Mysafiri tjetër ka thënë se një deputet është i padijshëm. 5 mijë euro dënim.
Ditën e tretë. Një mysafir e ka quajtur kryeministrin - Alpin Kurti. 20 mijë euro dënim.
Të katërtën ditë. Në emision presidentja është quajtur plesidente. 40 mijë euro dënim.
Ditën e pestë. Policia bllokon hyrjen në televizion se nuk janë paguar dënimet. Ndalohet sinjali.
Java e dytë. TV21 i ka ftuar vetëm dy mysafirë. KPM-ja mendon se është dashur tre. Disa gjoba nga KPM-ja. Dhe dryni.
Java e tretë. Një mizë në studio të T7-shit. Dryni.
Java e katërt. KTV-ja. Studioja shumë e errët. KPM-ja do dritë, optimizëm. Drynin, menjëherë.
Java e pestë, e gjashtë…
Derisa mbetet vetëm TVVV. Vetëm atëherë kënaqet Lideri. Flet vetëm ai. Dëgjohet vetëm ai.
Dikur mjaftohet vetëm të flasë - vet me vete.” – ka shkruar ai.