E enjte, 30 maj: Pse kjo datë mund të jetë vendimtare për zgjedhjet e parakohshme? - NACIONALE

E enjte, 30 maj: Pse kjo datë mund të jetë vendimtare për zgjedhjet e parakohshme?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për Partinë Demokratike të Kosovës, shpërndarja e Kuvendit duhet të bëhet të enjten e 30 majit ose hiç - deri në fund të mandatit të Qeverisë Kurti.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nëse zgjedhjet nuk mbahen më 30 qershor ose më së largu më 7 korrik, ‘atëherë nuk ka më kuptim që të shkohet në zgjedhje të parakohshme’.

“Ne në Kuvendin e Kosovës përfaqësohemi me 18 deputetë, për me shpërnda Kuvendin duhet 80 deputetë.

Ne edhe si opozitë nuk e kalojmë numrin 42, pa partinë në pushtet Kuvendi nuk mund të shpërndahet.

Për ne është e rëndësishme të dakordohemi për shpërndarjen e Kuvendit, arsyet janë të shumëta.

Edhe seanca e së premtës ku është e ftume nga AAK është e pakuptimtë.

Ne i ftojmë që të reflektojnë dhe t’i japin votat e tyre, të zotohemi që i kemi 80 deputetë në ditën kur shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje më 30 qershor.

Është dita e enjte ajo që është dita e fundit ku Kuvendi duhet të mblidhet, është data 30 maj kur ne duhet ta shpërndajmë Kuvendin në mënyrë që ta kapim 30 qershorin si datë për zgjedhje të parakohshme.

Ne kërkojmë që të ndodhë shpërndarja më së largu ditën e enjte, po nëse do të kishte një dakordim pse jo edhe ditën e enjte.

Nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, mbetet që kryeministri Kurti dhe kjo qeveri të bëj dëme edhe tetë muaj edhe pastaj t’i drejtohemi kutive të votimit në afat të rregullt”, tha Tahiri sot para gazetarëve, pasi Kryesia e Kuvendit mbajti mbledhje të rregullt.

Tahiri mbajti vijën e njëjtë që pas darkës me Kurtin, e ka edhe vetë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në një prej intervistave të para të tij pas darkës me Kryeministrin, atë në Debat Plus, Memli Krasniqi tha se ‘nuk ka kuptim që të shkohet në zgjedhje të parakoshme tre apo katër muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë’.

Në të kundërtën, thotë Krasniqi, 30 qershori ose 7 korriku janë datat ideale për zgjedhjet e parakohshme.

“Pa dyshim që besojmë se zgjedhjet e parakohshme kanë një kuptim nëse mbahen në një periudhë para zgjedhjeve të rregullta, nuk kanë kuptim të mbahen tre katër muajit para shkurtit.

Kosova sot është në agoni, më keq sesa që ka qenë në shumë fusha. Ne sot e kemi nje ekonomi të stagnume, që po ballafaqohet me stagnim, paga dhe pensione që nuk iu mjaftojnë familjeve kosovare për ta lidhur muajin me muaj, degradim në shëndetësi dhe arsim, politikën e jashtme e kemi pothuajse inekzistente.

Kur kërkon opozita zgjedhje, sikur unë që kërkoj prej vitit të kaluar në mënyrë konkrete, kemi thënë ok po shkojmë në zgjedhje.

Sot kemi ardhë në një pikë konkrete, ku vendi mund të shkojë në zgjedhje. Zoti Kurti është i gatshëm të shkojmë në zgjedhje, ai mund t’i ketë arsyet e veta, ne kemi arsyet tona”, deklaroi Krasniqi në atë intervistë.

Çka thonë nga LDK dhe AAK, së fundmi?

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se të premtën e kësaj jave, kjo parti çon në Kuvend një mocion prej tetë faqesh, ku sipas tij, ‘janë të renditura pikë për pikë të gjitha dështimet e Qeverisë’.

AAK, ashtu si LDK-ja, nuk e preferon shpërndarjen e Kuvendit, por e kërkon dorëheqjen e Kryeministrit.

“Të premtën në ora 1, do të jetë ballafaqimi i vërtetë në mes të Aleancës dhe opozitës. Për herë të parë pasn jë kohe të gjatë, kryeministri do të jap llogari në Kuvend.

Ne kemi propozu një mocion tetë faqesh, ku kemi treguar dështimet e kësaj qeverie.

Shpërbërja e Kuvendit në këtë fazë, nënkupton një exit për Qeverinë Kurti, në njëfarë forme marrjen e fajita nga Kuvendi për dështimet e Qeverisë.

Shpërbërja duhet të vjen vetëm atëherë kur arrijmë ta shkarkojmë një qeveri të dëmshme, atëherë kur dorëhiqet, por në asnjë situatë kur Kuvendi merr një përgjegjësi që nuk i takon.

Kur ta bëni një analizë të saktë të komunikimit të VV me qytetarët e Kosovës, e shihni qartë që VV i ka numrat edhe veç me PDK-në me rrëzu.

Nuk kemi të bëjmë me problemin e numrave për shpërbërje. Kemi të bëjmë me konceptin e shkuarjes në zgjedhje.

Nëse ky shkon deri në fund të manadatit, ky do të jetë lakuriq. Çka do të tregojë ky kryeministër dhe këta ministra cka kanë bë. Do të isha shumë i lumtur me i dëgju se cka kanë bë, a është në shëndetësi, a në arsim, a në ekonomi, a në diplomaci.

Numrat ju lutem, vetëm shikoni grupet parlamentare”, thotë Tahiri, shkruan Nacionale.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk u deklarua sot askush pas mbledhjes së Kryesisë, por Arben Gashi në një intervistë për Expose, qëndron aty ku është edhe vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku: dorëheqje e Kurtit, e jo shpërndarje e Kuvendit.

“Mund të jap dorëheqje në mënyrë të njëanshme dhe konsultimet për zgjedhje bëhen pastaj me Presidenten.

“(LDK nuk iu friksëohet zgjedhjeve), assesi, në asnjë formë në asnjë rrethanë. Na ashtu kështu jemi në fazë zgjedhore, brenda tetë muajsh kemi zgjedhje. Këto të tjerat janë vetëm taktizime të Kurtit”, thotë Gashi. /Nacionale

Lajme të ngjashme