Dyshime për dallaver milionësh në Ministrinë e Xhelal Sveçlës
Dyshime të forta për një “dallaver” milionësh në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, të cilën e udhëheq ministri Xhelal Sveçla, kanë shfaqur disa nga burimet të cilët kanë folur për Gazetën Nacionale.
Është fjala për një kontratë afër 16 milionëshe, për Furnizim me Licenca të Microsoftit për Institucionet Qeveritare.
Në dy nga heret e kaluara një kontratë e tillë ishte fituar vetëm pas tenderit të hapur, ku aplikonin dy e më shumë kompani. Siç merr vesh Gazeta Nacionale, kësaj here Ministria ka vendosur që kontraten ta nënshkruaj me një kompani pa hapur fare tender. Kompania në fjalë mbanë emrin “Infosoft Systems” dhe adresa e saj është në Tiranë.
Nacionale gjithashtu, tash e disa ditë ka dërguar pyetje, në ministri e te persona përgjegjës që merren me këtë punë, por deri në momentin e publikimit të këtij Artikulli, nuk kemi marrë përgjigjje.
Detaje:
Gazeta Nacionale ka siguruar dokumentet, me aplikacione si dhe detaje të tjera të procedurës, së viteve paraprake.
Këtë kontratë e cila është 3 vjeçare, në vitin 2017 e kishte fituar Operatori Ekonomik “Cacttus” me adresë në Prishtinë, e në vitin 2020 të njejten e kishte fituar Operatori Ekonomik “Infosoft Systems” me adresë në Tiranë.
2017.
Në vitin 2017, Ministria e Administratës kishte hapur tender për Furnizimin me Licenca të Microsoft-it për Institucionet Qeveritare, si dhe për Universitete, për vitet 2018, 2019 dhe 2020.
Në tender për Furnizimin me licenca të Microsoft Office, për Institucionet Kosovare, kishin marrë pjesë dy Operator Ekonomik.
“PBC” SH.P.K, si dhe “Cacttus” Sh.a që të dyja me adresë në Prishtinë.
Fituese e këtij tenderi kishte dalë Operatori “Cacttus”, siç ishte thënë në vendim, për shkak të ofertës më të favorshme ekonomike.

Për këtë kontratë, Operatori “PBC” SH.P.K, kishte ofruar çmimin prej 10 milionë e 110 mijë e 447 euro, kurse Operatori “Cacttus” kishte ofruar çmimin prej 9 milionë e 529 mijë e 174 euro.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar tenderin ekonomikisht më të favorshëm, tenderin me çmimin më të ulët. “Juve ju është dhënë kontrata…” thuhet tutje në Lëtrën standard për tenderuesin e suksesshëm.
Pra, në vitin 2017, kishte tender të hapur, ku fituese doli njëra nga kompanitë me ofertën që u vlerësua më e favorshme.

2020.
Në vitin 2020 gjithashtu u hap tenderi për Furnizimin me Licenca të Microsoft-it për nevoja të Institucioneve të Republikës së Kosovës.
Atë e fitoi pikërisht Operatori “Infosoft Systems”, ani pse në dokumente shihet se e njëjta nuk e kishte ofertën më të favorshme.
Në tender morën pjesë katër operatorë ekonomikë.
“Infosoft Systems” me adresë në Tiranë, “Grupi i Operatorëve Komtrejd Distribucija DOOEL” me adresë në Shkup, “Grupi Ekonomik Botek shpk”, me adresë në Prishtinë, si dhe “Cacttus” Sh.a me adresë në Prishtinë.

Çmimi të cilin e ofroi “Infosoft Systems” për këtë kontratë, ishte 10 milionë e 295 mijës e 243 euro.
Ani pse, Operatorët “Cacttus” dhe “Komtrejd DOOEL” kishin ofruar çmime më të favorshme, respektivisht 9.4 milionë dhe 9.2 milionë, ato u eliminuan për aryse të ndryshme.
“Komtrejd DOOEL” ishte eliminuar me arsyetimin se tenderi ishte ADMINISTRATIVISHT I PAPERGJEGJSHËM, kurse Operatori “Cacttus” ishte eliminuar me arsyetimin se nuk e përmbushte kapacitetin teknik e profesional.

Ndërokohë Operatori “Botek shpk” u tha se nuk e kishte ofetën më të favorshme ekonomike.
Ankesat e Operaratorit “Cacttus” ishin të shumëta, meqenëse sipas tyre, oferta e tyre ishte më e favorshme ekonomikisht si dhe i plotësonin edhe kushtet teknike e profesionale.
Megjithatë, atë botë, një “Letër standard për tenderuesin e suksesshëm” shkoi në adresën e “Infosoft Systems”, ku thuhej: Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni tenderin me çmimin më të ulët.
E vazhdohej me fjalët e hijezuara me të zezë: Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj në vlerë prej 10, 295,243,94 euro.

Kontrata nga Ministria e Administratës, për Operatori “Infosoft Systems” që kap vlerën e mbi 10 milionë euro, megjithë ankesat e parregullësitë e pretenduara, megjithatë si rrjedhë kishte një tender të hapur, ku Operatorët Ekonomik mund t’a konkuronin njëra-tjetrën.
2023?
Siç merr vesh Gazeta Nacionale, Furnizimi dhe implementimi me Licenca të Microsoft-it, për 3 vitet e ardhshme, po synohet të shkoj prapë në duart e Operatorit Ekonomik, nga Shqipëria “Infosoft Systems”, por kësaj rradhe pa hapur fare tender, por vetëm me kontratë një burimore.
Nacionale ka mësuar se çmimi për 3 vitet e ardhshme, pritet të jetë më i larti ndonjëherë.
Burimet e mirëinformuara të Nacionales, kanë thënë se kontrata pritet të kapë shifrën rreth 16 milionë euro.
Madje sipas burimeve, në një tender potencial, e interesuar për të marë pjesë ishte edhe një kompani shumë prestigjioze nga Zvicrra, të cilët kanë mbetur në pritje, nëse do të hapet tenderi ashtu siç ishte hapur dy herë të tjera apo jo.
Nuk dihet pse Ministria e Administratës, e zyrtarët që janë të ngarkuar drejtpërdrejtë, për të tilla punë, nuk janë përgjigjur në emailat që Nacionale ka dërguar drejt tyre.
Nacionale ka provuar të kontaktojë edhe me kompaninë fituese, “Infosoft Systems” nga Shqipëria, e cila besohet se do t'a fitoj kontratën edhe për 3 vjet të tjera por këta të fundit nuk kanë qenë të qasshëm.