Dy vetura të djegura, shpërthim afër Ujmanit: Çka ndodhi në veri këto ditë?
Në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës njoftoi për një rast të veprës penale në veri të Kosovës. Në Zveçan cak ishin dy vetura në pronësi të kësaj komune. Sipas informacioneve zyrtare dhe fotograifeve të publikuara, këto dy vetura u dogjën nga zjarri, ndërsa hetimi për këtë rast po vazhdon.
“Sot në mëngjes rreth orës 01:40 janë djegur dy vetura të komunës së Zveçanit, të cilat kanë qenë në parkingun e komunës. Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet” – ka thënë Elshani në mëngjes.
Tutje, Elshani vlerësoi se këto akte janë potencialisht të rrezikshme për sigurinë fizike.
“Gjithçka që dua të them është se këto janë vepra penale dhe si të tilla janë situata potencialisht të rrezikshme për sigurinë fizike. Policia mund të reagojë për të mbrojtur objektin, pronën dhe rendin që mbron, por edhe veten. Nëse një kriminel mban maskë natën, bën një krim dhe ka të shtëna, askush nuk do të donte që pas asaj maske të gjendej një i mitur, Zoti na ruajt”, ka thënë më tutje Elshani.
Gjithashtu sot kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, tha se ndihet i rrezikuar dhe se ka kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, gjë e cila deklaroi se i është refuzuar.
“Një grup kriminal qe dyshohet se janë 3-4 persona dyshohet se kane djegur veturat, kjo për faktin se është shtuar numri i shërbimeve te qytetareve nga komuniteti serb por edhe dëgjimet publike që janë. Unë ndihem i rrezikuar dhe vazhdimisht kam kërkuar mbrojtje të afërt nga Policia e Kosovës, por që kjo më është refuzuar dhe mendoi se përkundër që ka bazë një kërkese e tillë, e njëjta është refuzuar për shkak se vij nga një parti tjetër” – thotë Peci.
Megjithatë, ky nuk është zhvillimi i vetëm në veri ditëve të fundit. Fundjavën e kaluar, më saktësisht të dielën, në veri u dëgjua një shpërthim. Sipas informacioneve zyrtare të publikuara nga Policia e Kosovës,
“Ka një shpërthim, pasi të kalohet tuneli i 5-të në anën e majtë, ka pas dëme materiale në dy vetura, të lënduar nuk ka, rrethanat se si ka ardhë deri të shpërthimi nuk dihen, policia është duke u marrë me rastin” – kishte deklaruar Elshani.
Në një prononcim tjetër për Nacionalen, Elashani kishte treguar se është bastisur një shtëpi, si dhe një person është identifikuar për hedhjen e mjetit shpërthyes.
“Policia e Kosovës pas hetimeve intensive ka arritur të identifikojë personin e dyshuar për hedhjen e eksplozivit ndaj veturave të qytetarëve shqiptarë në Liqenin e Ujmanit. Në vazhden e hetimeve në lidhje me rastin shpërthimit të sotëm në afërsi të Ujmanit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e Zubin Potokut. Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifiku një person i cili për neve është me interes për intervistim.” – ka thënë ai.
Në lidhje me rastin e fundit kishte reaguar edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një postim relativisht të gjatë, Kurti kishte dhënë detaje shtesë për rastin e ndodhur të dielën, pamjet e sëcilës u publikuan pastaj në media.
“Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme" – tha Kurti.