Dy vendime dënuese të gjykatës: Faton Peci emëron nënkryetar të Mitrovicës të dënuarin për vjedhje te votave
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka emëruar nënkryetar të komunës Enis Osmanin, i cili ishte dënuar për vjedhje të votave.
Osmani lajmin e ka bërë të ditur në profilin e tij në “Facebook”.
“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, z. Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën. Vazhdojmë kështu rrugëtimin e përbashkët, në një bashkëpunim të ndërsjellë, të ndërtuar me korrektësi dhe sinqeritet, për më shumë se një dekadë. Jam i bindur se vizioni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit tonë”, ka shkruar ai.
Ai është zotuar se do të udhëhiqet nga interesi publik.
“Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Prandaj, zotohem se çdo veprim imi do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje të dobishme për të gjithë qytetarët”, ka shkruar ai.
Në këtë rast, kryetari Peci nuk i ka bërë përshtypje fare se ish-këshilltari i tij në ministrin e Bujqësisë ka qenë dy herë i dënuar prej gjykatës.
Fillimisht, ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, dënim me gjobë prej 1 mijë e 500 euro.
Kurse në rastin e dytë Osmani dënohet me burgim me kusht prej 1 viti për falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019.
Ai e kishte pranuar fajësinë për falsifikim të rezultateve të votimeve në zgjedhjet e vitit 2017, në një qendër votimi në fshatin Bare të Mitrovicës.
Osmani kishte deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, duke shtuar se ka mundur të ndodhë për shkak të neglizhencës dhe lodhjes pasi të njëjtën ditë ka punuar rreth 27 orë.
“Ndoshta ka qenë puna që iu kam besuar më shumë se që duhet anëtarëve të komisionit, më vjen keq për këtë që ka ndodhur, premtoj se nuk do ta përsëris asnjëherë”, deklaronte Osmani atëkohë.