Dy situatat e LDK-së: Kthimi i Vjosës, shpërfillja e Përparimit - NACIONALE

Dy situatat e LDK-së: Kthimi i Vjosës, shpërfillja e Përparimit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani pritet të kthehet, zyrtarisht, në derën politike nga ku ishte larguar, të premten.

Lidhja Demokratike e Kosovës në dy palë zgjedhje nacionale u ngrit pak dhe ra sërish ku ishte: në 13%.

Pamjaftueshmëria elektorale e saj supozohet të ‘amandamentohet’ me kthimin e Osmanit.

Emrin, LDK-ja, këtij ribashkimi, ia ka lënë: “ribashkimi i së djathtës.”

Kjo parti veçse ka mbledhur kryesinë e sapoemëruar me këtë temë dite: kthimin e Osmanit dhe situatën me Përparim Ramën, i cili lidhi bashkëqeverisje me Partinë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Ish-kryedeputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, tha se “çështja” e Vjosës do të jetë temë e bisedimeve.

Gazeta ‘Nacionale’ ka kuptuar se Lumir Abdixhiku veçse ua ka kumtuar anëtarëve të kryesisë se kush do të vijë me Osmanin si pjesë të listës zgjedhore nga ana e saj.

Kuptojmë se janë kryesisht ithtarë të kahershëm të Osmanit si Haxhi Avdyli, Burim Meta, Bardhyl Hasanpapaj, Meliza Haradinaj, Eqrem Kryeziu, Dardan Bibaj, Albena Reshitaj.

Ndërkohë nuk dihet nëse Jeta Statovci do të kalojë nga ana e Vjosa Osmanit prej Guxo-s.

Se në çfarë modaliteti do të ndodh ky “ribashkim” ende nuk është saktësuar.

Abdixhiku ka thënë se “do të punoj deri në momentin e fundit” për kthimin e Osmanit.

Vjosa Osmani, është pyetur e sot nga gazetarë lidhur me kandidimin e saj me listën e LDK-së.

Osmani u shpreh se “nuk është mirë të spekulohet” dhe se nuk ka kërkuar kurrë ndonjë pozitë politike.

“Nuk është mirë me spekulu. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush”, tha Osmani.

“Do të jem para qytetarëve, deri sot në të gjithë angazhimin tim politik janë ata që ma kanë dhënë forcën dhe edhe tash e tutje do të jetë njësoj”, tha ajo.

Ndërkaq, në anën tjetër, përplasje e re politike ka shpërthyer në Prishtinë, duke vënë përballë LDK-në dhe kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama.

Ndërsa Rama veçse publikisht e shpalli bashkëqeverisjen me PDK-në, LDK-ja qendrore e mohoi kategorikisht ekzistencën e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Burime bëjnë të ditur se Rama mbështetet nga 11 asamblistë të listës së tij, ndërsa LDK-ja kontrollon vetëm katër në Kuvendin Komunal.

Tensionet u thelluan pasi Rama emëroi Besianë Musmuratin nga PDK si nënkryetare të Prishtinës, menjëherë pas mohimit zyrtar të LDK-së.

Deklarata publike e Uran Ismajlit konfirmoi atë që qarkullonte prej kohësh: ka koalicion bashkëqeverisjeje në Prishtinë mes PDK-së dhe Përparim Ramës.

Ai paralajmëroi se marrëveshja “do të zyrtarizohet” dhe se PDK “do ta ketë Nënkryetaren e parë, një grua.”

“Ekipi jonë do fillojë të marrë detyra dhe përgjegjësi,” deklaroi Ismajli, duke sinjalizuar ndryshime të reja në administratë.

Në reagim, LDK-ja u distancua prerë se “LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në.”

LDK theksoi se “çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të LDK-së” dhe nuk krijon obligime për të.

Ndërkohë, Rama shkarkoi drejtorin për Investime Kapitale, Sokol Havollin, i njohur për afërsinë me Lumir Abdixhikun.

Havolli e konfirmoi vendimin si “shkarkim” dhe deklaroi se ishte njoftuar për ndryshime nga vetë kryetari.

Ai akuzoi Ramën se “ka rënë në ndikim të PDK-së,” duke e cilësuar situatën si të pakëndshme për përfaqësuesit e LDK-së.

Lajme të ngjashme