Dy shqiptarë, tri mendime, Osmani e Abazoviq me qëndrime të kundërta për Ballkanin e Hapur - NACIONALE

Dy shqiptarë, tri mendime, Osmani e Abazoviq me qëndrime të kundërta për Ballkanin e Hapur

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Samiti i Demokracisë në Evropën Juglindore, që u organizua këtë të hëne në Mal të Zi, u karakterizua nga një kundërshtim publik ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Tema që përplasi këta dy liderë është lehtësisht e kuptueshme: iniciativa e Ballkanit të Hapur.

Diskutimi në një panel në Samit rreth nismës rajonale Ballkanit të Hapur, solli replika ndërmjet Osmanit e Aboziviq. Gjersa e para e shtetit të Kosovës këmbëngulte në trajtim të barabartë, Abozivq, në anën tjetër, theksonte nevojën e bashkëpunimit rajonal.

Sipas Osmanit, përveç bashkëpunimit rajonal, e rëndësishme është edhe pjesëmarrësit në të. Presidentja përmendi homologun e saj serb, Aleksandër Vuçiq, si udhëheqës politik që nuk merr përgjegjësi për krimet e kryera.

Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, por ka rëndësi edhe me kë rrethohesh. Nëse dikush ka qenë ministër i propagandës i Milosheviqit gjatë luftës në Kosovë, ka rëndësi. Nëse autorët nuk marrin përgjegjësi për krimet e kryera, ka rëndësi”, tha ajo gjatë panelit.

E kjo erdhi si replikë ndaj shefit të Qeverisë malazeze, i cili tha se problemet personale në politikë pengojnë jo rrallëherë bashkëpunimin rajonal.

Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton [‘Ballkanin e Hapur’], vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal. Problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësinë për ndonjë lloj vizioni”, theksoi Abazoviq, përcjellë REL.

Tutje, politikani shqiptar nga Mali i Zi deklaroi se ai angazhohet për bashkëpunim rajonal, pavarësisht emrit të nismës.

Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, shtoi Abazoviq.

Në fjalën e saj, Osmani ishte e qartë, duke theksuar se Kosova ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me Serbinë, ndonëse kjo e fundit ende nuk ka kërkuar falje për masakrat gjatë kohës së luftës.

Ne i kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit vendit që bëri gjenocidin ndaj nesh, pa kërkuar ndjesë, pa parë keqardhje nga ana e tyre, pa kriminelët pas hekurave apo të nxjerrë para drejtësisë, pa pasur rreth 2,000 të zhdukur në periudhën e luftës, një vendi që fle mbi varre masive. Si mund të tregojmë më shumë sesa në këtë mënyrë të shtrijmë dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit?”, shtoi presidentja Osmani.

Madje, shefja e shtetit sqaroi se vetëm nëse Kosova trajtohet e barabartë, atëherë mund të ketë Ballkan të Hapur.

Anëtarësimin e Kosovës në NATO e shohim si garancinë e vetme të stabilitetit afatgjatë në rajon. Në nismën ‘Open Balkan’, mund të ketë Ballkan të hapur vetëm nëse e trajtojmë njëri-tjetrin si të barabartë”, tha Osmani.

Kujtojmë që Osmani vazhdimisht ka qenë kundër Ballkanit të Hapur, të cilin e kishte cilësuar si një gjë “absolutisht të gabuar”. Madje, ajo për të kjo nismë është një hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe.

Për ne Ballkani i Hapur është një hapësirë për ekspansion të hegjemonisë serbe. Në këtë moment, Serbia që po tenton ta luaj rolin kryesor në këtë iniciativë, nuk ka qëllime të mira në raport me rajonin tonë”, thoshte Osmani gjatë takimit me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, në nëntor të vitit 2021.

Në një linjë me Osmanin është edhe kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili që nga fillimi ka kundërshtuar këtë nismë. Kundër Ballkanit të Hapur është edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjokanoviq, i cili këtë muaj në Kosovë tha ta sheh Procesin e Berlinit si të vetmen alternativë të duhur për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu Bosnja dhe Hercegovina tashmë e ka bërë të qartë kundërshtimin e Ballkanit të Hapur.

Ndërsa në favor të Ballkanit të Hapur, që është një model i ri i “mini-Shengenit ballkanik” i iniciuar më 2019 në Novi Sad, janë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndër themeluesit e kësaj nisme është edhe Maqedonia e Veriut, ku do të mbahet mbledhja e ardhshme e Ballkanit të Hapur.

Lajme të ngjashme