Dy shpërthime të tjera në Mitrovicë të Veriut - çfarë dihet deri më tani?
Më 7 dhjetor në mbrëmje, në veri të Mitrovicës kanë ndodhur dy shpërthime me bomba trullosëse apo siç njihen ndryshe "shok-bomba".
Shpërthimet u raportuan të kenë ndodhur te një udhëkryq në “Lagjën e Boshnjakëve”.
Përkundër mohimit fillestar të policisë, banorët thanë se një tjetër shpërthim ka ndodhur në Mitrovicën Veriore të mërkurën mbrëma.
Video ekskluzive e shpërthimit, që alarmoi banorët e zonës, u siguruar nga Gazeta Nacionale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Nacionale se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar sepse ka pasur zhurmë nga mjetet piroteknike.
"Absolutisht nuk ka asgjë shqetësuese. Janë dëgjuar zhurma të mjeteve piroteknike", tha ai për Nacionalen.
Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë që policët të përditësonin deklarimet. Përmes një komunikate u bë e ditur se se janë regjistruar dy bomba trullosëse apo siç njihen ndryshe "shok-bomba", por nuk raportohet për të lënduar.
“Dy sulme me shok-bomba në dy lokacione. S’ka dëme, s’ka të lënduar”, u tha në njoftim.
Policia po ashtu ka konfirmuar se nga dy shokë-bombat e hedhura, fatmirësisht nuk ka të lënduar e as dëme materiale.
Pas raportimeve kontradiktore, Nacionale kontaktoi përsëri Hotin për t’i sqaruar informacionet e ndryshme.
I pyetur se pse fillimisht kanë thënë për mediat se shpërthimet janë shkaktuar nga mjete piroteknike, Hoti është përgjigjur se policia nuk ka mundur të identifikojë shpejt mjetet shpërthyese.
“Dëgjom shpirti jem, ju (gazetarët) në sekond po e lypni informacionin, ata policët nuk e dinë a është mjet piroteknik a granatë dore, a bombë automike pa shku në vend të ngjarjes, na kemi thanë mjeti piroteknike, qashtu ua ka qitë, dhe tash këto shok-bombat nuk kanë aftësi shkatërruese, kanë vetëm aftësi zëruese, zërin e kanë shumë të madh, për atë arsye quhen shock-bomba , dmth efektin e zërit e ka, nuk ka aftësi shkatërruese ka qenë shok-bomba”, tha Hoti për Nacionalen.
Zëdhënësi i Policisë së Mitrovicës së Veriut, megjithatë, pohoi se nuk ishte i sigurt nëse bombat trullosëse apo shok-bombat i përkasin apo jo kategorisë së mjeteve piroteknike.
“Tash nuk e di a hynë edhe këto në cilësinë e mjeteve piroteknike, unë ekspert i këtyre çështjeve nuk jam, sinqerisht nuk e di”, tha Hoti.
Pas këtyre ngjarjeve, situata raportohet të jetë e qetë, megjithatë Nacionale ka arritur të mësojë nga vendi i ngjarjes se banorët shqiptarë janë duke vëzhguar.



