Dy lëndë të reja në Kushtetuese: Çka po kërkojnë PDK-ja e LDK-ja? - NACIONALE

Dy lëndë të reja në Kushtetuese: Çka po kërkojnë PDK-ja e LDK-ja?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Në Gjykatën Kushtetuese tashmë janë dërguar dy lëndë të reja që kanë të bëjnë me bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i janë drejtuar Kushtetueses me kërkesa të reja. Çka thuhet aty?

Të enjten Partia Demokratike e Kosovës konfirmoi se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetueshmërisë së veprimeve të ndërmarra në tri seancat e fundit.

“Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025, pra të seancave të mbajtura pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kontestimi:

Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;

Hedhjen në votim të këtij Komisioni;

Vetë votimin e Komisionit;

Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit” – është thënë nga ky subjekt.

Partia e cila doli e dyta në zgjedhjet parlamentare ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, ta shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive dhe të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur.

Njëjtë, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës nën jë lëndë të dorëzuar të premten, kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetueshmërinë e vendimit për vazhdimin e seancës konstituive, pas nxjerrjes së aktgjykimit.

“Në vlerësimin tonë ky vendim, është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Konstituimi i organeve të Kuvendit është përgjegjësi e grupit më të madh parlamentar, i cili duhet të veprojë me përgjegjësi, në bashkëpunim me subjektet e tjera politike, dhe në përputhje me rendin kushtetues dhe procedurat parlamentare.

Ngërçi institucional nuk zgjidhet me veprime të njëanshme, por me dialog, respekt për Kushtetutën dhe konsensus politik” – tha zyrtari i kësaj partie, Shkëmb Manaj.

Theksojmë se javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese pasditen e së enjtes doli me vendim pas kërkesës së opozitës për sqarim lidhur me votimin e fshehtë, ku mes tjerash, subjektet politike janë obliguar për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendit, ndonëse nuk sqarohet se çka ndodhë më tutje.

As në seancën e së enjtes nuk pati pajtueshmëri mes partive politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje për të tretën herë me radhë refuzoi zbatimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues.

Kjo është hera e 41-të që dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme