'Dushi' me enë, ndërtesa luksoze, suxhuku: Kallëzimet e aktivist Vokrrit pasi qëndroi nëntë ditë i ngujuar në Leposaviq? - NACIONALE

'Dushi' me enë, ndërtesa luksoze, suxhuku: Kallëzimet e aktivist Vokrrit pasi qëndroi nëntë ditë i ngujuar në Leposaviq?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zv. ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka folur gjerë e gjatë për qëndrimin e tij nëntëditor brenda ndërtesës komunale të Leposaviqit bashkë me kryetarin Lulzim Hetemi. Çka tha ai?

Hetemi po qëndron i ngujuar tash e gati 30 ditë brenda zyreve të ndërtesës komunale. Vokrri e habiti opinionin kur njoftoi se kishte qëndruar me të për nëntë ditë, megjithëse kjo gjë nuk ishte lajmëruar nga ana e tij apo e Vetëvendosjes.

Por, gjatë kësaj interviste në një emision të RTV Dukagjinit ai megjithatë nuk tregoi se për çfarë arsyesh po qëndronte Hetemi ende i ngujuar në komunë.

Si ishte Lulzim Hetemi?

Gjatë intervistës, Vokrrit iu kërkua që edhe ta përshkruante kryetarin e Leposaviqit për të cilin ka një kurreshtje të madhe publike.

“...një burrë, siç e kam thënë më herët, stoik, shumë i qartë... politikisht shumë i vendosur. Nuk lejon të frustrohet. Nuk jepet në asnjë moment. Nuk lejon që të duket i mërzitur ose i brengosur, dhe vazhdimisht na jepte të gjithëve zemër. Na ishim aty që t’i jepnim atij zemër por ai na jepte neve... Na inkurajonte. I forconte moralisht edhe pjesëtarët e policisë.” – u shpreh ai.

Ndërtesë luksoze

Zv. ministri tregoi edhe se si ishte përditshmëria në ngujimin brenda zyreve komunale.

“Mëngjesi fillonte... e kishim një kthinë brenda kabinetit të kryetarit të komunës... Deri tash nuk kom pa naj ndërtesë komunale ma të pajisur, edhe t’ju them ma – kushtimisht – luksoze.” – theksoi Vokrri.

“Ndërtesë shumë e rregulluar, me shumë hapësirë. Të pastra, të pajisura me teknologjinë e fundit... Në atë kuptim ta jepte përshtypjen që nuk je thjesht në një ndërtesë të zakonshme të institucioneve në Kosovë por gati gati si në hotel.” – vazhdonte tutje ai.

Pa internet dhe dush

Megjithatë, në gjithë atë luks dukej se mungonte diçka sipas Vokrrit. Ishin banjot me dush.

“Por, çka mungonte – për të ia vendos edhe yjet si një hoteli – ishin banjot ku mund të bëje dush. Tash është bërë një muaj për kryetarin (dhe kjo) është njëfarë sfide.” – theksoi ai.

Vokrri tregoi se improvizonin larjen përmes enëve.

Ai nuk u ankua as sa i përket gjërave ushqimore.

“Ka pasë edhe mish, edhe suxhuk, edhe patate, oriz, pasul... ushqimi ka qenë në nivel. Edhe pije dmth. Nuk ka ndonjë farë vërejtje.” – tha z. Vokrri.

Ndërkohë, ai e evidentoi edhe një tjetër mungesë: internetin.

“Kemi pasë probleme me internet... Strukturat paralele e kanë këput lidhjen e internetit. Përveç asaj kishim problem me rrjet, IPKO dhe Valë. Të njëjtat struktura i kanë rrëzu antenat... Duhej të improvizonim, patëm siguru kartela të telefonisë mobile të Serbisë, në mënyrë që t’i shfrytëzonim për komunikime...”

Por, mos mund të përgjoheshin nga Serbia këta? Nejse.

Tutje, Vokrri ka treguar se KFOR-i i ka kërkuar Hetemit që ta lirojë zyren e tij.

Video e plotë:

Lajme të ngjashme