Dushi: LDK-ja duhet të jetë e kujdesshme në bashkëpunimet me partitë e majta populiste
Zyrtari i LDK-së, Florian Dushi, ka vlerësuar se Kuvendi i sotëm është një moment që kërkon qartësi, përgjegjësi dhe kthim të vetëdijshëm te thelbi i LDK-së.
Ai ka bërë me dije se kjo parti nuk ka nevojë t’i ngjasojë askujt dhe nuk guxon të humbasë veten duke ndjekur modele të huaja.
Në profilin e tij në “Facebook”, Dushi ka shkruar se LDK-ja duhet të jetë e kujdesshme në bashkëpunimet me parti të majta populiste.
“LDK ka historinë, traditën dhe kulturën e saj politike. Ajo nuk ka nevojë t’i ngjasojë askujt dhe nuk guxon të humbasë veten duke ndjekur modele të huaja për natyrën e saj. Forca e LDK-së ka qenë gjithmonë maturia, përgjegjësia shtetërore dhe besimi se pushteti ka kuptim vetëm kur i shërben shtetit dhe qytetarëve. Prandaj, LDK duhet të jetë tejet e kujdesshme në çdo bashkëpunim politik, veçanërisht me parti të majta populiste, të cilat betejën kryesore e bëjnë për pushtet, jo për shtet; për dominim, jo për institucione; për retorikë, jo për përgjegjësi”, ka shkruar ai, duke treguar qëllimet e thirrjes së Kuvendit.
“Ky Kuvend është thirrje për bashkim rreth vlerave tona, për reformim të mençur dhe për forcim të një LDK-je që flet me zërin e saj, vepron me dinjitet dhe ecën me bindje drejt Perëndimit. LDK nuk guxon të humbasë veten. Ajo duhet të rigjejë energjinë, besimin dhe forcën morale për t’u bërë sërish shtyllë e stabilitetit demokratik dhe shpresë reale për qytetarët e Kosovës. Vetëm një LDK e bashkuar, e reformuar dhe besnike ndaj vlerave të saj themeltare mund të rritet dhe të fuqizohet”, ka shkruar ai.