Duke përjashtuar veteranët, pushteti miraton ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale - NACIONALE

Duke përjashtuar veteranët, pushteti miraton ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me 68 vota për, është miratuar ndryshimi i Ligjit për Pagën Minimale në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve, partia në pushtet ka pasur mjaftueshëm vota për ta kaluar këtë ligj që mundëson rritjen e pagës minimale, por pa përfshirë veteranët.

Pro këtij ndryshimi kanë votuar edhe deputetët e Listës Serbe, raporton gazeta Nacionale.

Kundër votimit të versionit aktual të Ligjit, ka qenë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Ky Ligj të tërhiqet. Të ulemi të diskutojmë e të ecim tutje. Kjo kërkesë është legjitime. Kërkesë e cila është minimale me krejt çështjet që i kemi pasur. S’ka të bëjë me një pozicion opozitar e as politikë, me një koncept të aspektit të pagës minimale dhe reformës sociale. Propozimi im është që ta largojmë nga temat, të vazhdojmë me të tjerat e të ulemi të diskutojmë. Bëjmë gabim shumë të madh”, ka thënë Tahiri në seancën e Kuvendit.

Gjatë votimit të ndryshimeve, janë dëgjuar edhe deputetë të opozitës duke iu drejtuar pushtetit me fjalët si “marre, marre”.

Seancën e sotme e ka bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës, kurse LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë marrë pjesë në votim.

Memli Krasniqi nga PDK-ja ka thënë se është turp ajo që po ndodh me Ligjin për Pagën Minimale.

“Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mospërfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim", theksoi kryetari i PDK-së në konferencë për media.

Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës, qysh nga dje ka bërë thirrje që Projektligji të mos votohet në versionin aktual.

Faton Klinaku nga OVL-UÇK ka paralajmëruar se nëse votohet ky ligj, do të ketë edhe protesta pa ndalur.

“Mos e miratoni nesër projektligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së e për inate politike, sepse ne jemi duke mbrojtur interesat e veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve dhe jo interesat e partive politike. Të nderuar deputetë të pakicave! Mos u rreshtoni kundër interesave të kategorive të luftës së UÇK-së, sepse ju jeni në bashkëqeverisje aty për interesat e pakicave që i përfaqësoni. P.S. Në të kundërtën, nëse nuk i dëgjoni thirrjet, do t'na detyroni që të organizojmë protestë për të qëndruar para institucioneve natë e ditë”, ka shkruar Klinaku.

Ditë më parë OVL-UÇK-ja kishte organizuar një protestë, e cila kishte eskaluar edhe në përleshje fizike me njësitet e Policisë në afërsi të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme