"Duke e njoftë pak gjeografinë": Rrëfimi i përçudshëm i ministër Aliut për 'incineratorin' në Ferizaj - NACIONALE

"Duke e njoftë pak gjeografinë": Rrëfimi i përçudshëm i ministër Aliut për 'incineratorin' në Ferizaj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sot ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie ku mes tjerash ka folur edhe për një “incinerator termik”.

Incineratori është një aparat për djegien e mbeturinave me temperatura shumë të larta për prodhimin e energjisë. Një kompani duket se e kishte këtë ide e madje edhe e mori pëlqimin nga Ministria që drejtohet nga ana e Liburn Aliut në fund të vitit 2022. E për të cilën, sot foli ministri Aliu.

Ky incinerator pritej të ndërtohej në fshatin Varosh të komunës së Ferizajt.

Dhe, e gjitha ishte e befasishme për ministrin që pretendoi se nuk kishte njohuri për një gjë të tillë.

“Befas na vjen një kompani edhe thotë ne kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave e po ashtu kemi marrë edhe leje ndërtimore në komunën e Ferizajt dhe në Ferizaj do të ndërtojmë incenerator.” – u shpreh ministri sot.

Pra, ai e pranoi se kjo kishte ndodhur gjatë kohës sa ai vetë ishte ministër dhe se për një gjë të tillë “është dashtë që të informohet paraprakisht”.

“...u kuptu që vërtet në dhjetorin e vitit që shkoi ka pasë të lëshuar një pëlqim mjedisor...” – vazhdoi z. Aliu.

Se ishte i pasigurt e dëshmon edhe pasirua për sasinë që kishte për të djegur ky incinerator: Aliu dhe edhe “mbi” edhe “rreth”.

“...duke e njoftë pak gjeografinë e vendit, e kuptova që osht shumë e vështirë me gjetë një lokacion të tillë në vendin tonë e i cili nuk ka me pasë ndonjë ndikim te qytetarët...” – tha tutje ministri. Pra, njohuria e tij për gjeografinë e shpëtoi vendin nga ky incinerator?

Jo. Ai pretendoi se shkoi më pas edhe në terren.

“Pas vizitës së menjëhershme që e kemi ba në terren e kemi marrë vesh lokacionin, kemi pasë takime edhe me qytetarë, askush nuk e ka ditë fare që aty planifikohet të ndërtohet incinerator.” – tha tutje ministri. Dhe, e çuditshmja është se – sipas vetë fjalëve të tij – vetëm atëherë ai e merr raportimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, pra pëlqimin mjedisor që i ishte dhënë.

“Një sy i thjeshtë tu kalu nëpër to, duke i pa së paku distancat, e kuptojmë që aty thotë që objekti është 3000m larg vendbanimeve. Gjë që ishte e palogjikshme, e pamundur, e kishim pa vetë në terren. Me një matje të thjeshtë me Google Earth del se aty janë ma pak se 700 metra krejt.” - shpjegoi z. Aliu.

Më pas, ai tregon se menjëherë është filluar me procesin e auditimit gjë që më pas çoi në pezullimin e pëlqimit mjedisor në fjalë.

Por, lexojini me kujdes të shtuar këto fjalë të ministrit Aliu:

“Natyrisht, kur të kemi të bëjmë me projekte të tilla para se të vije ideja për një projekt të tillë për trajtimin e mbeturinave është një proces që do të duhej të përfshinte edhe shoqërinë civile, edhe qytetarët, dhe të ketë studime e strategji të mirëfillta gjë që në ministrinë tonë... nuk ekziston akoma ndonjë ide për trajtimin e mbeturinave për me prodhu energji me to.”

Nëse nuk ekziston fare ndonjë ide për tratim të mbeturinave “për me prodhu energji me to” atëherë pse duhej që të dilej në terren, të flitej me qytetarët e atjeshëm. Ajo thjesht dhe qartë duhej refuzuar, apo jo?

Por, megjithatë ministri e pranoi me gojë të vet se ideja ishte interesante.

“Si ide është interesante – në Republikën e Shqipërisë dhe vendet fqinje ka projekte të tilla – pra, ideja se mund të bëhej diçka e tillë nuk përjashtohet. Por, një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa studime të hollësishme.” – u shpreh ministër Aliu.

Lajme të ngjashme