Duan koalicion veç VV-në, a po instrumentalizohen nga Kurti përfaqësuesit e pakicave joserbe për formimin e qeverisë së re?
Derisa LVV-ja dhe opozita po mundohen të tregojnë se i kanë numrat për t`i formuar institucionet e reja, disa nga deputetët e pakicave joserbe kanë dhënë qëndrimet e tyre për këtë çështje. Ata kanë bërë me dije se favorizojnë vazhdimin e bashkëpunimit me VV-në. Madje, disa prej tyre publikisht kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me opozitën për formimin e Qeverisë së re.
Një gjë e tillë është parë si insrumentalizim i tyre nga kryeministri Albin Kurti.
Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, e cila në qeveri përfaqëson komunitetin boshnjak, ka treguar preferencat e saj.
E pyetur nëse do të mbështeste një mandatar nga opozita në rast të dështimit të Kurtit për të formuar qeverinë, ajo u përgjigj me “jo”.
“Kjo është përgjigja ime shkurt sepse jam e sigurt që Albin Kurti do ta formojë qeverinë. Dhe e dyta nga një prizëm tjetër, nuk jam nga ata që e ndërrojnë karakterin apo principin brenda nate. Të jesh zëvendëskryeministër dhe të vish nga komuniteti boshnjak nuk ka enë praktik, aty ka qenë gjithmonë ndonjë serb. Nuk është kjo kategori kushtetuese. Dhe si rezultat i Listës Serbe dhe partive shqiptare, gjithmonë zëvendëskryeministri ishte nga komuniteti serb. Dhe tani unë që vije nga komunitet boshnjak, dhe që kam marrë këtë pozitë nuk do të ishte fer që të ia bëj kryeministrit këtë”, ka thënë Rexhepi në Debat Plus.
Edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se partia IRDK që ai e udhëheq, do jetë pjesë e një koalicioni vetëm me Albin Kurtin si kryeministër.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se qëndrimi i tij është “parimor” dhe i ndërtuar në mirëbesimin e krijuar gjatë kohës sa është ministër.
“Do të jem pjesë e një koalicioni vetëm ku kryeministër është Albin Kurti. Nga diskutimet që i kam me kolegët e tjerë, vullneti i tyre është që të jenë pjesë e Qeverisë Kurti 3, që do të vije shumë shpejtë”, është shprehur Krasniqi.
Kurse, Duda Balje, kryetarja e Unionit Socialdemokrat (SDU) nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë.
Deputetja e komunitetin boshnjak ka thanë se i ka disa kushte për koalicion.
“Unë kam thënë se kam me votu për kryeministrin për kushtet që unë kam. Jam duke e pritë certifikimin dhe pastaj kemi me bisedu. Deri më tash nuk kam pasë asnjë thirrje. Ka çështje që 20 vite nuk janë marrë me seriozitet, disa prej tyre janë reforma në arsim e krijimi i komunave boshnjake”, ka thënë ajo.
“Komunitet shkojnë me shumicën”
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nuk i ka marrë shumë seriozisht qëndrimet e komunitetit joserb.
Ai ka bërë me dije se në fund ata shkojnë më atë që e siguron shumicën për të formuar qeverinë.
“Është shumë në rregull që ata kanë qef Qeveri Kurti, por ato shkojnë me shumicë shqiptare. E njoh Emiljen, është me përvojë dhe edi çka flet e kur flet. Në momentin që Kurti s’e ka shumicën, pakicat i thonë i dashur të duam shumë, por ata (opozita e kanë shumicën) s’mundemi me neejt jashtë. Po e them nga përvoja”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Rubikon”.
Ai ka vlerësuar se nëse Kurti nuk e ka shumicën përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë nuk iu vije keq të dalin në anën e opozitës.
“Kjo më ka ndodh mu, kur s’un pata ba shumicën. I kemi katër më shumë se Kurti, dhe asnjë nga pakicat nuk rrinë në opozitë me Kurtin për shkak të besnikërisë ndaj tij, këtë le ta harron gjithkush, jo veç Kurti. Pakicat veç po i dalin hakut Albinin me këto fjalë që i thonë. Në momentin kur opozita ka shumicë, atyre hiç s’ju vjen marre mju thanë “tung shihemi tjetër herë”. Komunitetet nuk shkojnë me simpati, kush e bën shumicën.”, është shprehur Haradinaj.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, komuniteteve jo serbe iu takojnë 10 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
LVV-ja dhe partitë opozitare kanë bërë me dije se nuk do të bashkëpunojnë me Listën Serbe për formimin e Qeverisë së re.