Drequn: Perëndimi po na tregon muskujt, Kosovës ia njohën zgjedhjet, liberalizuan vizat, po e anëtarësojnë në KiE
Me njohjen e rezultatit zgjedhor në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe ku komuniteti serb i bojkoti gjerësisht, Kryetari i Komisionit Parlamentar të ashtuquajtur “për Kosovën”, Milovan Drequn, thotë se Perëndimi “po ia tregon muskujt” Serbisë. Madje, jo vetëm me zgjedhjet, thotë ai, por edhe me futjen në agjendë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe heqjen e regjimit të vizave për në zonën Schengen.
“Kur deklaroni dhe pranoni këto zgjedhje, ju shpërbleni Prishtinën për krejt çfarë bën kundër çfarëdo kompromisi dhe interesi për popullin serb. Duke ua liberalizuar vizat, duke ua nisur procedurat për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ju kërcënoni Beogradin që pavarësisht se çfarë bën, ju do të vazhdoni sipas mënyrës së juaj”, ka thënë Millovan Drequn, duke konstatuar edhe se “kjo është politika e perëndimit”.
Duke folur për çështjen e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, Drequn thotë se Kosova ende nuk ka bërë “asnjë hap konkret” drejt themelimit të saj. “Kjo çfarë po ndodh sot tregon se Prishtina nuk dëshiron ta themelojë Asociaiconin”, ka thënë ai, derisa shtoi se dorëheqja masive e serbëve nga institucionet ka të bëjë me mosthemelimin e këtij organi dhe kërkesën për tërheqjen e njësive speciale nga ato zona. “Hiqni shkakun e problemeve dhe gjërat kthehen në normalitet”, ka thënë ai për Tanjug.
Në lidhje me Asociacionin, Drequn shprehet i sigurt se atij do t’i jepen pushtete ekzekutive “siç e parasheh Marrëveshja e Brukselit” dhe se një gjë e tillë do të jetë në qëndrimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krahaj Asociaiconit, sipas tij, do të kërkohet edhe tërheqja e njësive speciale. Në lidhje me konkludimin e zgjedhjeve në veri dhe ardhjes në pushte të katër kryetarëve shqiptarë, Drequn i bie borisë së propagandës se do të fillojë edhe “okupimi dhe militarizimi i veriut të Kosovës”.
“Nuk ka askush që mund ta detyrojë Beogradin dhe popullin serb të pranojnë atë çfarë kanë refuzuar. Duhet të marrin qëndrim të fortë që nuk do të ketë bisedime deri të formohet Asociacioni, derisa nuk anulohet kjo farsa e zgjedhjeve, derisa ato komuna sërish të kthehen nën lidershipin e përfaqësuesve serbë të zgjehdur para dy vite në kuptimin ligjor të fjalës”, ka shtuar ai.