Dren Kukaj: Përpjekja e Qeverisë sot në Kuvend, dëshmi e qartë e tendencave autoritare
Aktivisti social-demokrat, Dren Kukaj, ka komentuar përpjekjen e Qeverisë që ta kalojë projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, e i cili tashmë ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Kukaj përmes llogarisë së tij në Facebook e ka quajtur “të pakuptimtë” këtë përpjekje duke u thirrur në vërejtjet e shumta të dhëna nga Komisioni i Venedikut.
“Këto vërejtje janë shumë serioze,” – u shpreh z. Kukaj.
Ai pretendon se vërejtjet “e vendosin në pikëpyetje ligjin në vetvete”, duke shtuar se ato mund të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, e të cilat garantohen me Kushtetutë.
Kukaj shton se kjo dëshmon “tendencat autoritare” të pushtetit të Albin Kurtit.
Statusi i plotë:
Është e pakuptimtë ngarendja për ta vendosur sot në votim ligjin që merret me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme sidomos tash pas vërejtjeve të dhëna nga Komisioni i Venedikut.
Këto vërejtje janë shumë serioze. Ato madje edhe e vendosin në pikëpyetje ligjin në vetvete. Të gjitha shqetësimet e këtij raporti ndërlidhen me pasojat që mund të shkaktohen kundrejt të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutën tonë.
Ky ligj në përmbajtjen e propozuar nga qeveria është dëshmia më e qartë e tendencave autoritare të pushtetit. E si në çdo vend tjetër të botës me këso probleme, edhe tek ne, të drejtat dhe liritë e njeriut fillojnë e bëhen të cenueshme.