Drejtori në Autoritetin e Konkurencës: CorrWatch alarmon se konkursi është kurdisur - NACIONALE

Drejtori në Autoritetin e Konkurencës: CorrWatch alarmon se konkursi është kurdisur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar lidhur me konkursin për Drejtor të Autoritetit të Konkurencës.

CorrWatch ka alarmuar me një reagim për media se ka dyshime që konkursi të jetë i kurdisur për njërin kandidat.

Në konkurs janë vendosur kandidatë që nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore.

Njoftimi:

REAGIM PUBLIK

Të anulohet procesi rekrutues për Drejtor të Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shprehin shqetësimin e thellë lidhur me konkursin për pozitën Drejtor i Përgjithshëm në Autoritetin e Konkurrencës të Republikës së Kosovës (tutje: AKRK) dhe kërkojnë anulimin e këtij konkursi.

Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për ketë proces rekrutues, CorrWatch ka identifikuar dy shkelje:

1. Shkelja e parë ka të bëjë me vendosjen e kriterit të posaçëm . Përveç që nuk është ndjekur procedura ligjore për caktimin e këtij kriteri, CorrWatch ngrit gjithashtu dyshimin që konkursi të i jetë kurdisur një kandidati të caktuar për faktin se vetëm një kandidat e plotëson këtë kriter. I njëjti është punonjës në AKRK dhe aktualisht zëvendësues i pozitës së drejtorit të përgjithshëm.

2. Shkelja e dytë konsiston në faktin që AKRK ka vendosur në listën e ngushtë kandidatët që nuk kanë plotësuar kriteret ligjore (siç janë kriteret e përgjithshme dhe ato të posaçme, pra ato që janë vendosur në konkurs nga AKRK). Ndonëse në listën e publikuar nga AKRK, për rezultatet nga verifikimi paraprak janë pesë kandidatë, CorrWatch ka konstatuar se tre (3) kandidatë kanë plotësuar kriteret e përgjithshme, ndërsa vetëm një 1 nga kandidatët e ka plotësuar edhe kriterin e posaçëm të përcaktuar në konkurs.

Nisur nga këto shkelje serioze të ligjit, CorrWatch kërkon anulimin e procedurës së rekrutimit për shkak të shkeljes së nenit 40, paragrafi 5, pika 5.1 të Ligjit nr.06-L-114 për Zyrtarët Publik. Ligji obligon vlerësimin e kritereve të përgjithshme dhe të posaçme e që në rastin konkret e plotëson vetëm 1 kandidat, ndërsa me ligj kërkohet që së paku dy (2) kandidatë duhet të kalojnë me sukses procedurën e konkurrimit.

CorrWatch ka ngritur këto shqetësime te AKRK dhe ka rekomanduar anulimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara. Mirëpo AKRK nuk i ka adresuar këto gjetje dhe përkundrazi kanë vazhduar me procedurën e rekrutimit për pozitën në fjalë.

Projekti "Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës" financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes British Embassy Pristina.

Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar.

Lajme të ngjashme