Drejtori i KDI-së: Me zgjidhjen e kërkesave politike të serbëve, sovraniteti i Kosovës bëhet më i fuqishëm
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, u shpreh për gjendjen në veri të Kosovës, duke thënë se integriteti dhe sovraniteti i Kosovës do të bëhet më i fuqishëm, sa më shpejtë që të ofrohet zgjidhje për kërkesat politike të serbëve në veri.
‘’Në Veri ka individë që janë banditë e kriminelë?! Por, atje ka rezistencë të qytetarëve Serbë kundër Republikës së Kosovës, sikurse ka angazhim dhe përkushtim të këtij komuniteti për të drejta politike më të mëdha. Sa më shpejtë që do ta trajtojmë këtë gjendje seriozisht e me përkushtim, të ofrojmë zgjidhje për kërkesat e tyre politike, zgjidhjen do ta bëjmë më të lehtë e integritetin dhe sovranitetin e Republikës më të fuqishëm’’- tha Kryeziu.
Ai tha se kushdo që e merr këtë vendim, do ta kthejë republikën në binarët e zhvillimit e përjetësisë.
‘’Nuk e di se cila qeveri, a cili burrështetas do ta marrë këtë përgjegjësi, por kushdo që do të marrë këtë vendim, do ta ruajë, do ta forcojë, garantojë dhe do ta kthejë republikën në binarët e zhvillimit dhe të përjetësisë’’- tha Kryeziu përmes një postimi në ‘’Facebook’’.
Kryeziu shtoi se nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, veriu do të kthehet në pengesë për zhvillimin, integritetin, sovranitetin e përjetësinë e Republikës.
‘’Përndryshe do vazhdojmë që republikën ta trajtojmë si të përkohshme, e institucionin më të lartë të politikbërsjës, siç është Kuvendi, ta shndërrojmë në foltore të diskursit të sharkive dhe të folklorizmave për patriot e tradhtarë. E veriun do ta ndihmojmë të jetë çerdhe për gjithçka e pengesë për zhvillimin, integritetin, sovranitetin dhe përjetësinë e Republikës’’- shtoi Kryeziu.