Drejtoresha e gjorë, vetëm ilustrimin e kishte të gabuar
Shkruan: Berat Buzhala
Sipas Kushtetutës Kosova është shtet laik dhe neutral ndaj fesë. Sipas një udhëzimi administrativ, ndalohet bartja e shamisë për nxënësit në shkolla. Mirëpo më e rëndësishme për momentin është se çfarë thotë Duda Balje.
Janë disa tema që në mënyrë ciklike rikthehen për debat shoqëror. Për shembull publiku ka disponim për të debatuar rreth komunitetit LGBTIQ+. Pak a shumë argumentet e njëjta përdorën çdo vit, edhe pse kohë pas kohe e vërej ndonjë element të ri në debat. Këtë vit më ra në sy, kuptohet për të keq, kur kundërshtarët e të drejtave të njeriut, për ta kundërshtuar tezën e vullnetit të lirë, thanë “pse nuk po ua respektojmë vullnetin e lirë edhe pedofilëve”. Ouch. Më dukej që legjitimohej budallakia edhe nëse përgjigjesha në këtë provokim.
Përveç kësaj teme, publiku është i armatosur deri në dhëmbë edhe për temën e betejës së Koshares. E dimë përafërsisht edhe kush do të jenë panelistët nëpër studio televizive, edhe argumentet që do të përdoren, edhe kahjen e debatit. Për çdo vit. Për çdo vit edhe moderatorët e debateve bëjnë sikur habiten.
Pastaj është edhe tema e identitetit kombëtar të Kosovës, të të ardhmes si shtet, bashkimit kombëtar, një apo dy shtete, një apo dy flamuj. Kjo temë është shpenzuar bukur shumë në Facebook dhe tash ka kaluar në Twitter. Po organizohen Spejsa të përnatshëm. Një komb a dy kombe? Një kombëtare a dy kombëtare? Patriot apo tradhtar?
Padyshim që nana e të gjitha temave të përsëritshme është edhe tema për religjionin, që e ka në epiqendër të vetën shaminë. Edhe ky vit nuk ka pse të dallojë prej viteve të tjera. Dikund në një shkollë të Gjakovës, një drejtoreshë, duke e respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe një Udhëzim Administrativ, e ka bërë një ilustrim banal, ku në mënyrë grafike tregohet se kush mund të futet në shkollë e kush nuk mund të futet. Në atë ilustrim shihet që në atë shkollë nuk mund të pihet duhani, nuk mund të futesh me revole, e as me shami. Pse revolja, cigarja dhe shamia gjenden në të njëjtën ligë, unë nuk mund ta kuptoj, e me siguri as drejtoresha, ndonëse për të trijat ashtu flet ligji. Kjo listë, se çfarë nuk mund të lejohet, ka mundur të jetë edhe më e gjatë. Për shembull ka mundur të thuhet edhe që ndalohet hyrja me armë nukleare, ose cullak. Të sakta janë të dyjat.
Tash ne saktësisht e dimë edhe se kush do të ftohet për të debatuar në studio televizive. Për fatin e keq të moderatorëve kjo temë u hap në fundjavë, kur ata janë në pushim dhe ka rrezik që nuk do të mund ta eksploatojnë aq sa duhet. “Ah, si nuk ndodhi të hënën”, do të mund të thoshin ata.
Po kaq të pikëlluar ndoshta janë edhe Fuadi, Gëzimi dhe akterë të tjerë prominentë për këtë lloj të debatit. Duda Balje, në anën tjetër, është shah në vete. Ajo kohëve të fundit, çdo ditë e më shumë, është duke e sprovuar veten në tema që e kanë për motiv moralin dhe religjionin. Është duke u shndërruar në gardiane ta pakompromis të vlerave të islamit. Ky ripozicionim i saj, që të jemi të sinqertë deri në fund, më duket shumë argëtues. Pse më duket kështu, nuk dua ta shpjegoj më tepër, sepse ka rrezik që futem në fushë të minuar. Disa fjalë është mirë të mos përfundohen kurrë.
Në anën tjetër, udhëheqësit politikë në vend, kur janë në pyetje këto tema polarizuese, shndërrohen në dëgjues. I fusin veshtë në lesh dhe ulen përballë ekraneve televizive, për t’i dëgjuar jokompetentët të flasin me kompetencë.
“Pse me u përzi në këtë temë, plus tash Ramazan”, do të mund të thotë Vjosa a Albini. Nuk e di nëse Shefqeti e dha ende verdiktin final.
Kosova, sipas Kushtetutës së saj, është shtet laik dhe neutral ndaj feve. Edhe pse, sipas ligjeve në fuqi, sipas udhëzimit administrativ, shamia nuk mund të bartet nga nxënësit në shkolla, debati zhvillohet nëpër TV dhe në rrjete sociale sikur kjo gjë është e lejushme, por ja atje një drejtoreshë e poshtër po e ndalon atë.
“Në Gjermani kanë të drejtë me shamija, e në Kosovë jo”, në mënyrë të parashikueshme dikush do ta thotë një gjë të tillë.
“E pse pra nuk po i lejojmë martesat e personave të gjinisë së njëjtë, sikur në Gjermani”, do të doja t’i përgjigjesha secilit.
“Ma shumë po ju pengon shamija, se sa me shku fëmija cullak në shkollë”, pason deklarata tjetër.
Ky është momenti kur ti e kupton që debati nuk po shkon në drejtimin e duhur, në fakt debati nuk po shkon në kurrfarë drejtimi. Prandaj është momenti i duhur për ta braktisur këtë panel. Patjetër që në një moment tjetër gjatë vitit tema e njëjtë do të kthehet me të njëjtën furi. Ata qindra mijëra djem në rrjete sociale do të vazhdojnë ta bëjnë punën e tyre. Ta japin një kontribut për religjionin, në mënyrë që shumë prej tyre pastaj ta vazhdojnë jetën private në kundërshtim me parimet të cilat i mbrojnë.
Rrjedhë logjike e kësaj teme do të ishte që pas disa ditëve në një studio televizive të ftohet avokati Arianit Koci bashkë me bashkëshorten, Meritën, për të nënvizuar harmoninë fetare në mes nesh dhe martesat e përziera.
Mbesim me shpresë që një ditë shoqëria do t’i përvjelë llërët për të diskutuar me kaq pasion edhe për planprogramet mësimore. Hehehe. Pak humor.