Dënimi për vrasësin e dy junikasve para 10 vitesh: Familja e viktimave rrëfehet për Nacionalen për "drejtësinë"
Në majin e vitit 2012 Juniku ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë. Vllaznim e Blerim Pukaj ishin vrarë në Junik-Rastavicë, saktësisht në lagjen “Çokë” të Junikut. Dorasi ishte arratisur në Belgjikë, për tu kapur 10 vjet pas kryerjes së krimit. Gazeta Nacionale ka përcjellë seancën e sotme, ku dorasi Bujar Demaj u dënua me 27 vjet burgim.
Në Gjykatën Themelore të Pejës, për herën e parë pas 10 vitesh u zhvillua një seancë gjyqësore që ndërlidhet më një vrasje në vitin 2012. Deri më tash, drejtësia nuk kishte arritur ta nisë punën e saj, pasi i dyshuar Bujar Demaj ishte arratisur në Belgjikë. Në janarin e këtij viti Demaj u arrestua nga policia belge, për t’iu dorëzuar Kosovës.
Demaj akuzohej se në majin e vitit 2012 ka vrarë me armë zjarri Vllaznim e Blerim Pukën. Këta dy mes vete familjarë të afërt. Gjithçka kishte nisur pas disa problemeve familjare. E krimin qysh në seancën e parë e pranoi vetë Demaj. Si për vrasjen e dy personave, ashtu edhe për armëbajtje pa leje. Pas pranimit të fajësisë, i akuzuari i kërkoi falje familjes.

Për këto dy vepra penale, Bujar Demaj u dënua me dënim unik prej 27 vjetësh burgim. Mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Cekaj kërkoi që gjykata në rastin e shqiptimit të dënimit, të marrë parasysh pendimin e tij, gjendjen e dobët ekonomike, gjendjen e tij të rënduar shpirtërore dhe se i njëjti ishte mbajtës i familjes.
Çfarë thotë familja Puka?
Në seancën e parë, drejtësia të cilën e priste familja Puka arriti në vend. Motra e Vllaznim Pukës, Valjeta, ka rrëfyer për Nacionalen gjithçka rreth rastit, duke shtuar se është e kënaqur me vendimin e gjykatës, thotë se ende nuk kanë vendosur nëse do të bëjnë ankesë në vendimin e gjykatës.
“Motra e Bujar Demajt ka qenë e martuar per vëlluin tim Vllaznim Puka dhe pas një viti martesë, gruja është larguar nga shtëpia. Dikur morëm vesh qe ish shku në disa lokale në Shqipëri, edhe i treguam vëllait të saj, pra Bujar Demajt, se motra e tij nuk gjendet tek ne. Edhe pas 8 vjetësh Bujari iu ka dalë në pritë vëllait edhe dy djemve te mixhës për me i vra“, ka treguar Valjeta Puka për Nacionalen.

Për këtë çështje, ishte tentuar edhe pajtimi mes familjeve. Megjithatë, familja Puka u nda në këtë pjesë.
“Djali i axhës Nazmi Puka i plagosur në këtë rast, që është vëlla me Blerim Puken të vrarin, ia ka fal gjakun Bujarit. E ne familja joë nuk ia kemi fal për atë krim që ka kryer. Vëllau im jo vetëm që është vra, por e ka ekzekutu pas shpine me dy pllumba dhe me goditje në kokë me sëpatë“, tregoi Valjeta Puka për gazetën.
Si ndodhi rasti?
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 16 mars 2022, i akuzuari Bujar Demaj, më 16 maj 2012 rreth orës 14:25 në Junik, saktësisht të varrezat Qok në Junik me dashje dhe me armë ka privuar nga jeta dy viktimat, Blerim Pukaj i moshës 27 vjeçare dhe Vllaznim Pukaj i moshës 32 vjeçare, si dhe ka plagosur të dëmtuarin Nazmi Pukaj, i moshës 35 vjeçare.
Sipas aktakuzës, pasi viktima Vllaznim Pukaj martohet me motrën e të pandehurve, e cila në atë kohë ka qenë e martuar në Junik dhe pas 2 viteve, e njëjta martohet me nipin e viktimës Vllaznim, ashtu për shkak të këtyre martesave raportet acarohen mes të pandehurit dhe familjes Pukaj.
Sipas aktakuzës, dy vite para ditës kritike janë përleshur edhe fizikisht mes tyre. Kurse, në ditën kritike derisa viktimat Blerim, Vllaznim dhe Nazmi Pukaj ishin në automjet të tyre, vërehen nga i pandehuri Bujar dhe i dënuari Shpend, i cili tejkalon me veturë automjetin e viktimave duke iu bllokuar rrugën dhe më pas nga automjeti del viktima Nazmi, i cili i afrohet të pandehuri Bujar për të biseduar, nga prapa në kokë goditet me bisht të sëpatës nga i dënuari Shpend dhe pasi rrëzohet në tokë, afrohet i pandehuri Bujar i cili gjuan më revole dy herë në drejtim të tij dhe më pas gjuan me revole ku me një predhë e godet për vdekje në gjoks viktimën Blerim.
Kurse, thuhet se në momentin kur viktima Vllaznim tenton të ikë, i pandehuri e godet me dy predha nga i cili veprim viktima Vllaznim ndërron jetë.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasjes së rëndë” nga neni 147, pika 11 të Kodit Penal.
I njëjti ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje të kalibrit të tipit të panjohur, me të cilat i kishte privuar dhe plagosur të dëmtuarit në ditën kritike.