Drejt thellimit: Vazhdon epërsia e Trumpit në Michigan, Arizona e Nevada
Kandidati republikan, Donald Trump, është në rrugë të mirë për ta thelluar epërsinë e votave në Kolegjin Zgjedhor edhe pas sigurimit të fitores në zgjedhjet presidenciale të së martës.
Përderisa po vazhdon numërimi në disa shtete ku gara ende nuk është shpallur e mbyllur nga mediat amerikane, republikani po e mban epërsinë në tri shtete kyçe – Michigan, Arizona e Nevada, sipas rezultateve të televizionit CNN.
Nga numërimi i 98 për qind të votave në Michigan, Trumpi ka marrë 49,8 për qind të votave, ndërsa demokratja Kamala Harris 48,2 për qind. Në Michigan banon një komunitet i madh i amerikanëve myslimanë dhe me prejardhje nga vendet arabe, të cilët kanë shprehur pakënaqësi me qëndrimin e administratës së presidentit Joe Biden ndaj luftës në Gaza.
Në Arizona, pas numërimit të 63 për qind të votave, Trumpi ka epërsi edhe më të thellë ndaj Harrisit se në Michigan – 51,9 me 47,2 për qind.
Në Nevada, pas numërimit të 88 për qind të votave, republikani gjithashtu ka epërsi të konsiderueshme prej gati 5 për qind – 51,5 me 46,8 për qind.
Sipas projeksionit të televizionit CNN, Trumpi tani për tani ka 276 vota të Kolegjit Zgjedhor, ndërsa Harrisi 223. Për t’u shpallur fitues nevojiten të paktën 270 vota të tilla.
Disa udhëheqës botërorë tashmë ia kanë uruar fitoren ish-presidentit Trump, i cili gjatë fushatës ka premtuar se do t’i japë fund luftës me Rusisë dhe Ukrainës para se të inaugurohet në Shtëpinë e Bardhë në janar, nëse i fiton zgjedhjet.