“Dr.Pali” u dënua me 3 vjet e 8 muaj burg: Cila është pasuria e tij?
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj të mërkurën u dënua me tri vjet e tetë muaj burgim për aferën e njohur si “53-milionëshi”. Një vendim i tillë, ka shkaktuar shumë reagime. Atë kohë, Lekaj ishte ministër i Infrastrukturës, sot është deputet – por cila është pasuria e tij?
Lekaj në një reagim, deklaroi që “ky është një gjykim i pabazuar e i padrejtë”.
“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t'i zhgënjejë. I bindur në pafaësinë time dhe në drejtësi!” – tha ai mes tjerash.
Sa i pasur është Pali?
Në dklarimin e tij të pasurisë për vitin që lamë pas, deputet Lekaj ka regjistruar si pasuari të paluajtshme një banesë, e cila kushton 80 mijë euro.
Lekaj është milioner veç me një tokë të trashërguar, e cila sipas deklarimit të pasurisë, arrin vlerën e 1 milion e 500 mijë euro.
Ai ka deklaruar edhe një shtëpi, e cila kap vlerën e 350 mijë euro.
Pasuri të luajtshme, deputeti i AAK-së i ka deklaruar katër vetura. Një Land Rover, në vlerë të 24 mijë eurove, për të cilën thotë se është e fëmijëve.
Një veturë tjetër në vlerë të 12 mijë e 500 eurove, po ashtu e fëmijëve. Lekaj ka deklaruar se bashkëshortja e tij posedon një Audi 8 mijë euroshe.
Vetë ai, ka deklaruar një Mercedes Benz, e cila kushton 25 mijë euro dhe e njëjta është blerë në vitin 2022.
Si të ardhura vjetore, Lekaj merr 23 mijë e 11 euro nga Kuvendi i Kosovës, dhe si meditje, rreth 1 mijë e 300 euro.
Pagën e njërit fëmijë, ai e ka deklaruar rreth 14 mijë euro. Po ashtu, si paga të fëmijëve ai i ka deklaruar edhe 1 mijë e 200 euro e 84 mijë euro.
53 milionëshi
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se zyrtarët në fjalë akuzohen nga PSRK se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.