Dosti i Fadil Hoxhës, ‘sindikalistit’ të zëshëm bëhet U.D drejtor i RTK-së
Bordi i RTK-së e ka votuar Hysen Hundozin për U.D drejtor të RTK-së.
Vendimi është marrë para pak minutash, meson Nacionale nga burimet e veta.
Hundozi, sipas burimeve të Nacionales, është prej shokëve më të afërt të Fadil Hoxhës, kryetar i Sindikatës së RTK-së.
Hoxha kohëve të fundit ka heshtur për skandalet që kishin mbizotëruar në televizionin publik.
Nacionale ka mësuar se për ta votuar Hundozin, Bordi e ka ndryshuar edhe Statutin.
Detaje të tjera pas pak.
Lajmi u konfirmua edhe nga Bordi i RTK-së.
Bordi i RTK-së ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme me pikën kryesore të rendit të ditës “Diskutimi mbi bllokimin e ekzekutimit financiar dhe menaxherial në RTK,” ku Zyrtari Kryesor Financiar ka njoftuar Bordin për bllokimin e ekzekutimit të të gjitha pagesave si rezultat i mungesës së udhëheqësit menaxherial, në këtë rast Drejtori i përgjithshëm apo, në mungesë të tij, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së. Këto bllokime financiare dhe menaxheriale ndikojnë gjithashtu edhe në procesin e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve programore.
Me këtë rast, duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve , Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale.