Dorëheqje e avancime me dilema për shkelje të Ligjit – Arben Ismajli tash synon pozitën e Kryeprokurorit - NACIONALE

Dorëheqje e avancime me dilema për shkelje të Ligjit – Arben Ismajli tash synon pozitën e Kryeprokurorit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkon Lumezi, vjen Ismajli? Rima nuk bëhet as nëse Aleksandër Lumezi si Kryeprokuror i Shtetit pasohet nga Arben Ismajli, ashtu siç nuk u bë as në rastin e Kujtim Munishit. Por, kush është Arben Ismajli?

Dorëheqje me pishman, e pastaj edhe avancime interesante. Te këto dy vendime që i mori në karrierën e tij prokurori Arben Ismajli, u vlerësuan se janë në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Gazeta Nacionale sjell detaje nga karriera, angazhimi dhe rastet që i hetoi kandidati i dytë për Kryeprokuror të Shtetit, Arben Ismajli.

Një mbledhje e Këshillit Prokurorial të Kosovës [KPK], që u mbajt me datën 8 tetor të vitit 2020, nuk shkoi në mënyrën më të rregullt ashtu siç ishte ftuar. Tre anëtarë të Këshillit, tre muaj pa iu përfunduar mandati vendosën të japin dorëheqje: Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli, ky i fundit tash kandidat për Kryeprokuror të Shtetit.

Megjithatë, dorëheqja e tyre nuk ishte krejt rastësi. Kjo pasi disa ditë më pas, do të shpallej konkursi për Kryeprokuror të shumicës prej prokurorive themelore në nivel vendi. Si rezultat, po përsëritej praktika që disa anëtarë të KPK-së, kishin synime të udhëhiqnin prokurori të caktuara, pavarësisht dilemave ligjore.

Ky veprim ishte në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Sipas këtij ligji “Zyrtari i lartë nuk ka të drejtë: të punësohet ose të emërohet, për një periudhë deri në dy (2) vjet pas përfundimit të funksionit publik, në pozitë udhëheqëse ose menaxhuese”. Kurse, sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngritet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Arben Ismajli që tash po synon të jetë pasues i Aleksandër Lumezit, bashkë me dy kolegët e tij, ishin bërë pishman për dorëheqjen pas reagimeve të shumta në publik. Si rezultat, ata revokuan dorëheqjet. Shtatë muaj pas përfundimit të mandatit si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismajli avancohet sërish, tash në Prokurorinë e Apelit.

Kandidatura e Ismajlit për Kryeprokuror, sërish me dilema për shkelje

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, u përmend sërish për prokurorin Arben Ismajli. Por tash, në një garë shumë më të ashpër, atë për Kryeprokuror të Shtetit.

Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, që u mbajt më 15 shkurt 2022, disa anëtarë patën dilema për kandidaturën e Ismajlit. Ardian Hajdaraj e Jehona Grantolli si anëtarë të KPK-së, thanë se kandidatura e Ismajlit bie ndesh me Ligjin për Konfliktin e Interesit, duke shtuar se ka edhe një opinion nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) për avancimin e prokurorit Ismajli në Prokurorinë e Apelit.

Përkundër se në këtë mbledhje u paraqit ideja që Këshilli t’i drejtohet Agjencisë kundër Korrupsionit me një kërkesë për rastin e prokurorit Ismajli, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kjo pasi, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se si Këshill nuk kanë nevojë të kërkojnë interpretim nga AKK-ja, pasi kandidatët i kanë plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara me ligj. Si rezultat, u konfirmua kandidatura e Arben Ismajlit për Kryeprokuror të Shtetit.

Photo 8

Puna e Arben Ismajlit si prokuror

Në cilësinë e prokurorit në Gjilan, Arben Ismajli në një rast kishte hetuar një koleg të tij, nga Prokuroria Themelore e Prizrenit. Në vitin 2016, ai kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Bajram Hamitaga për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kurse shoferin e Prokurorisë së Prizrenit, Luan Delilin e akuzonte për frikësim dhe detyrim.

Pas një procesi që zgjati gati 2 vjet, ish-prokurori Hamitaga bashkë me shoferin e Prokurorisë, ishin liruar si të pafajshëm nga Gjykata e Gjilanit në mungesë të provave. Arben Ismajli kundër këtij vendimi kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit. Por, pa sukses. Vendimi për pafajësinë e të dyve, ishte konfirmuar edhe nga kjo instancë gjyqësore.

Një tjetër aktakuzë e profilit të lartë që kishte marrë vëmendje në karrierën e tashmë kandidatit për Kryeprokuror, Arben Ismajli, ishte edhe ajo ndaj ish-kryetarit të Kllokotit, Sasha Mirkoviq, dhe ish-nënkryetarit të kësaj komune, Zharko Dejanoviq. Ismajli i akuzonte këta të dy, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për faktin se nuk kishin respektuar procedurat ligjore për dhënien e një toke me qira.

Në vitin 2018, Mirkoviq dhe Dejanoviq u liruan nga Gjykata Themelore në Gjilan, në mungesë të provave. Sipas vendimit të atëhershëm, Prokuroria nuk kishte arritur të argumentonte mjaftueshëm, për shkeljet që pretendohej se i kishin bërë dy zyrtarët e Listës Serbe.

Photo 9

Pasuria

Shtëpi, dy lokale afariste, dy banesa dhe tokë bujqësore, i ka të deklaruara prokurori Arben Ismajli në Agjencinë kundër Korrupsionit. Dy lokalet afariste Ismajli ka deklaruar se i ka blerë në vlera 80 mijë euro, njëjtë siç ka thënë se i ka të blera dy banesa që kapin shumën rreth 90 mijë euro. Tokën bujqësore të deklaruar dhe shtëpinë gjithashtu, kandidati për Kryeprokuror i ka deklaruar si të trashëguara. Vlera totale e pasurisë së paluajtshme, e përcaktuar vet nga z. Ismajli është 314 mijë euro.

Para të kursyera Ismajli ka thënë se i ka pak më shumë se 1 mijë euro, përderisa rreth 7 mijë euro ai figuron se është në kredi ndaj një banke vendore.

Kandidati i radhës për të cilin do të raportojë gazeta Nacionale është Armend Hamiti.

Lajme të ngjashme