Dorëheqja e policëve serbë: Qytetari që u largua nga Policia e Kosovës kërkon që të kthehet në punë
Një qytetar me emrin Besnik Leci, ka bërë të ditur se para disa ditësh ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës për arsye ekonomike. Ai, pas zhvillimeve në veri të vendit, ka kërkuar që t’i mundësohet që të kthehet për të punuar në këtë institucion.
Leci përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se tërheq publikisht vendimin për dorëheqje nga puna.
“Duke parë situatën lidhur me zhvillimet e fundit lidhur, sidomos në pjesën veriore të vendit, ku pjesëtarët e policisë nga komuniteti Sërb kanë braktisur uniformën e Policisë së Kosovës, unë si ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës me gradën Toger, tërheqi publikisht Vendimin tim për Dorëheqje nga Policia, të cilin për arsye ekonomike e kam marrë në datën 15.07.2022 dhe kërkoj mundësinë për t'u kthyer në Polici, të cilën momentalisht na e ndalon Udhëzimi Administrativ 01/2021 Mbi Mardhënien e punës në Policinë e Kosovës”, tha ai.
Të nderuar Udhëheqës të Institucioneve të Republikës së Kosovës Të nderuar kolegë, pjestarë të Policisë së Kosovës,...
Posted by Besnik M. Leci on Saturday, November 5, 2022
Tutje, Leci u ka bërë thirrje ish-kolegëve të tij që kanë dhënë dorëheqje për arsye të ndryshme, që të rikthehen në punë, pasi sipas tij është e nevojshme në këtë kohë.
Çka ndodhi sot në veri?
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.
