Doracaku i edukatës seksuale: Pushteti tenton ta gjuajë fajin te opozita, por i pranon gabimet në përmbajtje
Shpërthimi i debatit për përmbajtjen e disa doracakëve për edukatën seksuale në shkolla, ka mobilizuar pushtetin që ta gjuajë fajin te partitë në opozitë.
Arsyetimi e akuzat ndaj të tjerëve që nisën ditë më parë, kulmuan edhe sot. Zv/ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka akuzuar Arsim Bajramin e Hykmete Bajramin për këta doracakë. Megjithatë, ka harruar lëvdatat publike të Arbërie Nagavcit për të njëjtat përmbajtje.
Megjithatë, Kelmendi e ka pranuar se doracakët kanë gabime, duke shtuar se do t’i përmirësojnë.
“Filloi në vitin 2016, në kohën kur ministër ishte Arsim Bajrami (PDK) dhe u pranua në kohën kur ministre ishte Hykmete Bajrami (LDK). (bashkëngjitur dokumentet) Nga dhjetëra faqe edukative ka disa pjesë të tekstit të papërshtatshme. Jemi dakord, prandaj po e dërgojmë për rishikim dhe përmirësim nga grupet e ekspertëve profesionalë. Dështoi kauza!”, ka shkruar Kelmendi, në postimin që u shpërnda nga të gjitha strukturat e partisë në pushtet.
“Qindra lajme, kronika, postime, emisione, debate që tentojnë të përfshijnë edhe fëmijët por askush nuk mban përgjegjësi. 1. Thanë se është kurrikulë. E pavërtetë! 2. Thanë se është tekst shkollor. E pavërtetë! 3. Thanë se është lëndë obligative. E pavërtetë! 4. Thanë se është tekst obligativ. E pavërtetë! 5. Thanë se është tekst për nxënës.E pavërtetë! 6. Doracak për mësimdhënës por ju e bëtë.E pavërtetë!”, ka shkruar më tutje Kelmendi.
Reagimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ishte i menjëhershëm. Deputetja Hykmete Bajrami, e akuzuar nga zv/ministri Kelmendi, reagoi ashpër.
“Keni prekë në familje Turpi nuk lahet me shpifje Përgjegjësi duhet t'i kërkohet Arbërie Nagavcit. Doracakët janë të botuar në vitin 2023. Kurrikula kërkon edukim seksual, por përmbajtja e doracakëve të Nagavcit flet për praktikim perverz. Përgjegjësinë kryesor këtu e mban Albin Kurti, i cili ende e mban në pozitë një ministre të tillë”, ka shkruar Bajrami.
“Keni prekë fëmijët, gjenë me të shtrejtë që kemi, andaj shpifni se ju ka kapë panikë, qytetarët nuk ju falin për këtë. Jeni shpifsa, manipulanta dhe të pamoralshëm”, shkroi ajo më tutje.
Reagim të ashpër pati edhe deputetja tjetër, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ia publikoi Ministrisë komunikatat zyrtare, lëvdatat, dhe datat e publikimit të këtyre doracakëve nëpër platformat zyrtare.
“Mbrëmë dhe sot, eksponentë të VV u munduan që ‘fajin’ për skandalin e doracakëve, t’ia hedhin LDK-së, më saktësisht Hykmete N. Bajramit. Kjo, natyrisht, nuk do të ishte hera e parë që për dështimet e tyre, t’ia lënë fajin tjetërkujt. Kur i dështuan tentativat që të na shitnin tekstet për diçka tjetër, filluan t’a shesin fajtorin tjetërkund. Në fotot më poshtë, keni datat kur doracakët janë publikuar në website të MASHT. GUSHT 2023!!! Gjithashtu, e keni edhe foton ku Ministrja Nagavci lavdërohet për punën që ka bërë me përmbajtjen e tyre, në KËTË mandat”, ka shkruar Kica-Xhelili.
“Ta bëjmë të qartë, ne nuk jemi kundër edukimit seksual, social, kulturor etj, absolutisht, por jemi kundër përmbajtjeve të papërshtatura, pakontrolluara dhe skandaloze të doracakëve. Nga përkthime bukfale që nuk përshtasin as kontekst shoqëror, as ligjor e as politik, deri në aktivitete të palogjikshme për fëmijë të këtyre moshave. Nga pakuptimësia e paqartësia te: mbyllja e syve kur tjetri bën ç’të dojë; te ndarja e shembujve të mësimdhënësve për përvojën me partnerë, e trajtimin e dy nënave e dy baballarëve pa kurrfarë sqarimesh; këto tekste janë SKANDALOZE, dhe ai skandal ka adresë: Qeverinë Kurti. Asnjë presje më shumë, asnjë presje në pak”, ka shkruar deputetja Kica-Xhelili.
Kjo temë ka pasur debate të ashpra, dhe Ministria e Arsimit është zotuar se do t’i përmirësojë këto gabime.