Donika Gërvalla ia grabit LDK-së ngjarjen e përvitshme për Ibrahim Rugovën në Gjilan
“Rugova është në Guxo”. Pas deklaratës në Istog, Donika Gërvalla ndërmerr edhe një veprim konkret për ta bërë të paparamendueshmen – të mundohet që ta ‘nxjerr’ figurën e Presidentit historik Ibrahim Rugova nga LDK-ja...
Në kalendarin e ‘Flakës së Janarit’ që mbahet në Gjilan që prej shumë vitesh, Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi një ditë ia ka kushtuar një akademi përkujtimore presidentit Ibrahim Rugova.
Në vitin 2023, kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, kishte akuzuar kryetarin e kësaj komune Alban Hysenin, se e kishte hequr nga kalendari një ngjarje të tillë.
“Ky pushtet aktual i Gjilanit, ani pse pa kryetar, që po udhëhiqet nga zëvendësministra e këshilltarë nga jashtë, punën e parë që bëri është heqjen Akademisë përkujtimore për presidentit Rugova nga kalendari i “Flakës së Janarit”. Sërish u munduan ta godasin figurën e Presidentit edhe për së vdekuri. Këtë e bënë me porosi ani pse shkuan e u jargitën, duke e thyer kurrizin para varrit të tij në Prishtinë. Por, e mira e madhe në këtë demokraci e këtë liri është që familja e tij, besimtarët e tij, njerëzit, paqësorët e rugovistët e tij do ta nderojnë përjetësisht figurën e Presidentit” – kishte deklaruar kryetari i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri.
Dy vjet më vonë, kur kjo ngjarje përkon edhe me ditët e fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK njofton se komuna e Gjilanit nuk ia ka aprovuar fare kërkesën LDK-së për një aktivitet të tillë. Aktivitetin do ta zhvillojë Donika Gërvalla.
Njëra nga kryetaret e partisë Guxo, znj.Donika Gërvalla, më 16 janar në një tubim me simpatizantë të Vetëvendosjes, veç tjerash deklaroi se ‘presidenti historik Ibrahim Rugova është në partinë Guxo’.
“Rugova është në Guxo, jo më në lidhjen e re, në rrugën e re, pra në qorrsokak. Për këtë arsye i ftoj votuesit tradicional të LDK-së, nëse ende besoni në vizionin e presidentit Rugova, në një të djathtë të qëndrueshme, derën e keni të hapur në partinë Guxo”, tha Gërvalla në Istog.
Deklarata e saj u bë virale - duke u shpërndarë me tone ironike në rrjete sociale – meqë duket e paparamendueshme që Rugovën “ta shohim” jashtë LDK-së, Gërvalla duket se e ka marrë shumë seriozisht këtë punë.
Këtë e tregon me veprimin e fundit, ku siç ka njoftuar LDK, komuna e Gjilanit ia ka refuzuar kërkesën kësaj partie për zhvillimin e një aktiviteti të përvitshëm në kujtim të Rugovës.
“Historikisht dhe tradicionalisht, LDK në Gjilan ka organizuar dhe një përvjetor për Presidentin historik Ibrahim Rugova. E tillë ka qenë e njoftuar dhe pushteti lokal ka qenë i njoftuar. Është aprovuar kjo kërkesë e LDK-së, siç kemi bërë 18 vite me radhe dhe fare në momentin e fundit, pushteti lokal ka njoftuar që tanimë ky organizim do të bëhet nën patronatin e ministers së punëve të jashtme. Është e pafalshme, e palogjikshme, nuk i ka hije një qeverie një partie në pushtet që të tentojë të grabis organizime tradicionale të një partie që e ka themeluar Ibrahim Rugova. Këto janë tenetime të ulëta nga partia në pushtet”, tha zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa sot në një konferencë për media.