Dokumenti në shqip me opsionet për themelimin e Zajednicës - NACIONALE

Dokumenti në shqip me opsionet për themelimin e Zajednicës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dokumenti është përkthyer në gjuhën shqipe nga aktivisti socialdemokrat Lisjan Perolli.

Përmbledhje Ekzekutive

Raporti shqyrton çështjet kryesore për ngërçin rreth Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe (A/KKSS) dhe paraqet opsionet që marrin parasysh Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, Marrëveshjen e 2015 mbi Parimet e Përgjithshme (tutje "Parimet”) dhe vendimin të Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë 'Gjykata'). Kjo përmbledhje fokusohet në përfundimet kryesore të raportit.

Neni 4 i Parimeve përcakton objektivat dhe kompetencat e A/KKSS. Këto janë në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale (LVL), i cili gjithashtu, në nenet 20-23, parasheh “kompetenca të zgjeruara” për komunat më të mëdha me shumicë serbe mbi kujdesin dytësor shëndetësor dhe arsimin e lartë, dhe për të gjitha komunat me shumicë serbe në lidhje me çështjet kulturore dhe zgjedhjen e komandantëve të stacioneve policore lokale. Termi “kompetencë ekzekutive” nuk shfaqet në Marrëveshjen e Brukselit apo në Parimet e Përgjithshme dhe përmendet vetëm një herë nga Gjykata. Termi ka provokuar mosmarrëveshje dhe mund të mos jetë e nevojshme të përdoret. Ligji për Bashkëpunimin Ndërkomunal (LIMC) u lejon komunave të delegojnë administrimin e ligjeve të tyre dhe mund të ndodhë që autoritetet qendrore të mund të bëjnë delegim të tillë A/KKSS-së drejtpërdrejt ose përmes komunave. Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal gjithashtu parashikon mekanizma të ndryshëm për bashkëpunimin e komunave, duke përfshirë organet e përbashkëta administrative dhe institucionet e përbashkëta publike.

Parimet e Përgjithshme përcaktojnë një strukturë organizative për A/KKSS që përfshin një Asamble, Presidentin dhe zv.Presidentin, Këshillin, Bordin, administratën dhe zyrën e ankesave. Gjykata kundërshtoi dispozitën e Parimeve (6e) që personeli administrativ i A/KKSS- së do të gëzonte statusin e nëpunësit civil. Një mënyrë për të zgjidhur këtë është stafi “dytësor” i komunave të deleguar në A/KKSS; Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal parasheh që komunat t'i caktojnë nëpunësit civilë komunalë për të punuar në një organ të përbashkët administrativ (neni 11.7).

Gjykata konstatoi se Parimet nuk marrin parasysh dispozitat kushtetuese që respektojnë diversitetin dhe se çdo statut që krijon A/KKSS duhet të respektojë diversitetin brenda komunave pjesëmarrëse. Kjo mund të adresohet duke pasur parasysh që rregulloret që krijojnë A/KKSS të parashikojnë në mënyrë eksplicite një administratë që pasqyron diversitetin e popullsisë; ato gjithashtu mund të zgjerojnë mbrojtjen kushtetuese që ekziston aktualisht në nivel komunal (neni 62) në A/KKSS dhe të kërkojnë që zv.Presidenti të merret nga komunitetet jo-shumicë. Zyra e ankesave e parashikuar mund të mandatohet të monitorojë politikat e punësimit dhe promovimit të A/KKSS për të siguruar që ato janë të

barabarta. Secila komunë anëtare mund t'i kërkohet të emërojë anëtarë në A/KKSS në përpjesëtim me përfaqësimin e partive politike në kuvendet e tyre përkatëse. Së fundi, Marrëveshja e Brukselit bëri thirrje që përbërja e policisë së Kosovës në katër komunat më të mëdha me shumicë serbe në veri të pasqyrojë përbërjen e tyre etnike; kjo dispozitë mungonte në Parimet e Përgjithshme, por rivendosja e saj do të trajtonte shqetësimin e Gjykatës.

Marrëveshja e Brukselit, Parimet e Përgjithshme dhe Gjykata bien dakord që A/KKSS do të jetë një entitet juridik. Në mënyrë implicite, anëtaret e saja janë komunat me shumicë serbe, por kjo është në kontrast me Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal ku secila komunë duhet të vendosë për temat dhe format e bashkëpunimit të saj [në një Asociacion]. Duhet të bëhet e qartë se çdo komunë me shumicë serbe do të kishte të drejtë të përcaktojë pjesëmarrjen e saj në A/KKSS (duke zgjedhur anëtarësimin ose jo). Mund të jetë e dobishme të lejohet Asambleja e A/KKSS-së të miratojë anëtarësimin e çdo komune tjetër me shumicë joserbe që dëshiron të anëtarësohet.

Art. 6a i Parimeve thotë: “Të gjitha ndryshimet në Statut, rregulloren e punës dhe të gjitha rregulloret dhe vendimet e nevojshme të miratuara nga Kuvendi do të zbatohen për anëtarët e tij, përveç nëse njëri prej anëtarëve të tij shpreh zyrtarisht një vendim tjetër”. Kjo ka nevojë për sqarim: do të ishte e përshtatshme që të lejoheshin komunat veç e veç të vendosin në cilat aktivitete bashkëpunuese dëshirojnë të marrin pjesë (duke zgjedhur pjesëmarrjen ose jo), por asnjë komunë nuk duhet të jetë në gjendje të vërë veton ndaj vendimeve mbi rregullat qeverisëse të A/KKSS-së, përveç nëse Asociacioni do të kishte një formësim “konfederal” me liri veprimi më të madhe.

Parimet e Përgjithshme thonë se A/KKSS "do të promovojë interesin e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore", duke përfshirë propozimin e ndryshimeve të legjislacionit, fillimin e procedurave para gjykatave dhe emërimin e përfaqësuesve në organet/institucionet kompetente të qeverisë qendrore, duke përfshirë Këshillin Konsultativ i Komunitetit. Gjykata e kundërshtoi këtë me arsyetimin se nënkupton një "partneritet" midis A/KKSS dhe autoriteteve qendrore, duke kontribuar kështu në particionizëm (shih definicionin e particionizmit në rastin e Irlandës me Irlandën Veriore). Gjykata konstatoi se A/KKSS nuk mund t'i jepet “autoritet i plotë dhe ekskluziv” për të promovuar interesat e serbëve të Kosovës, duke theksuar se këtë rol e kanë edhe organet tjera, të mbrojtura me Kushtetutë.

Gjykata i la të hapur A/KKSS-së një rol në procesin legjislativ, nëpërmjet Këshillit Konsultativ për Komunitete. A/KKSS duhet gjithashtu të jetë në gjendje të komentojë legjislacionin përkatës në mënyrë që të gjitha palët e interesuara të japin kontributin e tyre. A/KKSS, si person juridik, duhet të ketë qasje në gjykata për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e saj, duke përfshirë të drejtën për mjete juridike (neni 32 i Kushtetutës).

Parimet kërkojnë që A/KKSS të ketë buxhetin e vet, i auditueshëm nga Auditori i Përgjithshëm i Kosovës. Gjykata kundërshtoi transferet fiskale nga autoritetet qendrore tek organet e lidhura me qeveritë komunale me arsyetimin se Kushtetuta hesht në lidhje me transferime të tilla përtej qeverisjeve locale (neni 124.5). Gjykata nuk ngriti asnjë kundërshtim të qartë për financimin e A/KKSS nga Republika e Serbisë, por konstatimi i saj se autoritetet qendrore të Kosovës nuk mund t'i transferojnë A/KKSS-së duket se e ka mbyllur mundësinë që financimi serb të kalojë përmes Prishtinës. Ekziston një pyetje më e madhe se çfarë kufizimesh kushtetuese ekzistojnë në lidhje me pushtetin e autoriteteve qendrore në lidhje me buxhetin, duke qenë se në praktikën normale kushtetuese një pushtet i tillë është i pakufizuar. Gjykata nuk dha asnjë interpretim të nenit 120.1 të Kushtetutës, i cili duket se i siguron pushtetit qendror një pushtet të gjerë shpenzuese. Edhe nëse qeveria qendrore nuk mund të bënte transferta të drejtpërdrejta në A/KKSS, mund të ketë një kërkesë që financimi serb për A/KKSS të regjistrohet zyrtarisht në autoritetet qendrore dhe t'i nënshtrohet auditimit.

Konkluzioni

Konkluzioni i raportit është se Marrëveshja e Brukselit, Marrëveshja e Parimeve të Përgjithshme, aktgjykimi i Gjykatës dhe ligjet e Kosovës për vetëqeverisjen komunale dhe për bashkëpunimin ndërkomunal ofrojnë terren potencial të rëndësishëm për zhvillimin e një statuti për A/KKSS. Një zgjidhje do të kërkonte njëfarë kreativiteti por edhe vullnet të mirë mes palëve. Një çështje kritike do të jetë mbajtja nga secila komunë e kompetencës së saj përfundimtare ligjore, në mënyrë që bashkëpunimi të jetë vullnetar. Një A/KKSS e ndërtuar në këtë mënyrë mund të ndërmarrë aktivitete të përbashkëta bashkëpunuese me shumë paralele me aranzhimet e përcaktuara në Ligjin e Kosovës për Bashkëpunim Ndërkomunal. Një statut mund të sigurojë njohjen e diversitetit dhe përfaqësimit të pakicave brenda A/KKSS. Edhe pa statut, një asociacion mund të krijohej brenda kornizës së ligjit ekzistues.

Hyrje

Planet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (A/KSS) në Kosovë, subjekt i marrëveshjeve paraprake në 2013 dhe 2015, janë të rëndësishme për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Planet aktualisht kanë stagnuar. Ka pasur pak lëvizje për këtë çështje që kur Gjykata Kushtetuese nxori një vendim në vitin 2015 që vlerësonte përputhshmërinë e dokumentit më të detajuar të vitit 2015 (në tekstin e mëtejmë, “Parimet e Përgjithshme”) me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Zgjidhja e çështjes së A/KSS do të kërkojë kompromis politik, por edhe më shumë vëmendje ndaj zgjidhjeve teknike për çështjet që kanë lindur. Ekzistojnë precedentë ligjorë ekzistues, veçanërisht në Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal, që janë të dobishme. Për shumicën shqiptare dhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, një rezolutë e mundshme duhet të adresojë frikën se A/KSS do të kërcënonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe do të minonte dispozitat dhe parimet e rëndësishme kushtetuese (p.sh. në lidhje me barazinë dhe mosdiskriminimin). Për pakicën serbe, ajo do të duhet të adresojë shqetësimet e saj për sigurinë, duke përfshirë aspiratat e saj për një formë të kufizuar kolektive të vetëqeverisjes. Lëvizja në secilën prej këtyre fronteve do të lehtësojë lëvizjen në fronte të tjera.

Raporti i mëposhtëm shqyrton ato që duken të jenë çështjet kryesore rreth stagnimit, sipas temave të përfshira në "Parimet e Përgjithshme" të vitit 2015, të cilat janë gjithashtu tema të shqyrtuara në vendimin e Gjykatës. Në secilin rast, ne përshkruajmë shqetësimet e ngritura nga Gjykata, dhe më pas paraqesim opsionet për adresimin e këtyre shqetësimeve në një mënyrë që mund të jenë të pranueshme për komunitetin shqiptar dhe serb në Kosovë. Shumë nga opsionet tona të propozuara do të përfshinin përpunim të konsiderueshëm përtej Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjes së 2015 mbi Parimet e Përgjithshme, të cilat përfundimisht mund të pasqyrohen në një draft Statut për A/KSS.

Objektivat dhe kompetencat

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 thekson se komunat do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin e kompetencave të tyre përmes A/KSS, e cila do të kishte mbikqyrje të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural (neni 4), si dhe kompetencat shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore (neni 5)

Marrëveshja e 2015 mbi Parimet e Përgjithshme (neni 4) dha si objektiva të A/KSS, kryerjen e funksioneve dhe shërbimeve publike për:

  • forcimin e demokracisë lokale;
  • zhvillimin e ekonomisë lokale, përmirësimin e kujdesit primar e sekondar shëndetësor dhe social, koordinimin e planifikimit urban, rural dhe në fushën e arsimit;
  • Të miratojë masa për përmirësimin e kushteve të jetesës për të kthyerit në Kosovë;
  • kryej, koordinoj dhe lehtësoj aktivitetet hulumtuese dhe zhvillimore;
  • të promovojë, të shpërndajë dhe të mbrojë çështjet me interes të përbashkët të komunave anëtarë t'i përfaqësojë ato, duke përfshirë edhe tek autoritetet qendrore;
  • të ofrojë shërbime për anëtaret e saja në përputhje me ligjet e Kosovës;
  • të vlerësojë ofrimin e shërbimit publik për komunat anëtare dhe banorët e tyre për të mbështetur Asociacionin në formimin e pozicioneve me interes të përbashkët për pjesëmarrje në punën e autoriteteve qendrore;
  • të kryejë monitorimin sipas nevojës për zbatimin e aktiviteteve të tij, dhe;
  • të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me asociacione të tjera të

komunave, vendore dhe ndërkombëtare.

Përveç kësaj, Marrëveshja mbi Parimet e Përgjithshme thekson se A/KSS do të “ushtrojë” mbikqyrje të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, si dhe zonave urbane dhe rurale planifikimi, në vend të "ketë" vëzhgim të plotë, siç thuhet në Marrëveshjen e Brukselit.

Kompetencat në Marrëveshjen për Parimet e Përgjithshme janë në përputhje, edhe pse më pak të detajuara,, me nenin 17 të Ligjit të Kosovës për Vetëqeverisjen Lokale. Vendimi i Gjykatës nuk iu referua neneve 20-23 të atij ligji, të cilat parashikojnë “kompetenca të zgjeruara” për komunat me shumicë serbe. Konkretisht, ligji thotë se Mitrovica Veriore, Graçanica dhe Shtërpca do të kenë kompetencë për ofrimin e kujdesit sekondar shëndetësor dhe arsimit të lartë, ndërsa të gjitha komunat me shumicë serbe "do të kenë autoritet të ushtrojnë përgjegjësi" për çështjet kulturore dhe "të drejtat e zgjeruara të pjesëmarrjes", në përzgjedhjen e komandantëve të stacioneve të policisë vendore.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se gjuha angleze "exercise full overview" është i paqartë dhe nuk përputhet as me tekstin shqip ("ushtrim i mbikqyrjes së plotë", që nënkupton vëzhgim), as me tekstin serb ("shqyrtim të plotë", që nënkupton auditim). Gjykata thekson se formulimi që do të përdoret në statut duhet të jetë në përputhje me formulimin e Marrëveshjes së Parë, d.m.th., "të ketë mbikqyrje të plotë" (Paragrafët 143-147). Më tej thuhet se statuti nuk duhet të zëvendësojë apo cenojë statutin e komunave pjesëmarrëse si njësi bazë të vetëqeverisjes; ai duhet të sigurojë si objektiv përgjegjësinë e komunave pjesëmarrëse për të respektuar kushtetutën dhe ligjet dhe nuk duhet të anashkalojë apo shmangë shqyrtimin administrativ nga autoritetet qendrore (paragrafët 148-149).

Një vështirësi e veçantë ka lindur rreth faktit nëse A/KSS duhet të ketë apo jo “pushtet ekzekutiv”, një koncept që është bërë i politizuar dhe polarizuar. Përdorimi i vetëm i këtij termi në vendimin e Gjykatës është një fjali e theksuar që duket se e kufizon këtë pushtet tek autoritetet qendrore: “Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin” (paragrafi 157). Termi “pushtet ekzekutiv” nuk shfaqet fare as në Marrëveshjen e Brukselit dhe as në Marrëveshjen mbi Parimet e Përgjithshme. Kështu, duhet të jetë e mundur të shmanget përdorimi i këtij termi në Statut ose në ndonjë marrëveshje të rishikuar. Duhet të jetë e mundur, për shembull, t'i jepet A/KSS një rol në “administrimin” e rregulloreve dhe akteve nënligjore dhe përgjegjësive të tjera të komunave. Delegimi i administrimit të ligjeve duket se lejohet me Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal. Mund të jetë gjithashtu e mundur që autoritetet qendrore t'ia delegojnë përgjegjësinë administrative për ligjet e republikës A/KSS (qoftë drejtpërdrejt ose përmes komunave). Delegimi i administratës do të shmangte çdo konkluzion se A/KSS ka kapacitet ligjbërës.

As Marrëveshja e Brukselit dhe as Marrëveshja mbi Parimet e Përgjithshme nuk elaborojnë mekanizmat me të cilat komunat mund të bashkëpunojnë përmes A/KSS. Nenet 9 deri në 14 të Ligjit për Bashkëpunim Ndërkomunal përcaktojnë forma të ndryshme që mund të marrë bashkëpunimi: një trup i përbashkët punues; një organ i përbashkët administrativ; ndërmarrje e përbashkët publike; një institucion publik i përbashkët; ose një partneritet i përbashkët publik. Ndërmarrja e Përbashkët Publike mund të themelohet sipas Ligjit për Ndërmarrjet Lokale. Dy opsionet që kanë më shumë gjasa të jenë me interes për A/KSS janë një organ i përbashkët administrativ dhe një institucion i përbashkët publik. Të dyja këto mund të kryejnë veprimtari bashkëpunuese, por format e tyre ndryshojnë.

  • Një organ i përbashkët administrativ mund të krijohet nga dy ose më shumë komuna. Ajo do të drejtohej nga kryetarët e komunave bashkëpunuese dhe kreu i saj do t'u raportonte kryetarëve të komunave. Mund të mos jetë një institucion ligjor dhe do të kishte nëpunës civilë të caktuar nga komunat.
  • Një institucion i përbashkët publik duket të jetë një marrëveshje më formale, dhe për këtë arsye mund të jetë më tërheqëse për mbështetësit e një A/KSS-je më substanciale. Vendimi për themelimin e një organi të tillë kërkon pëlqimin e të gjitha kuvendeve komunale (pjesëmarrëse). Ai do të qeveriset nga një “organ udhëheqës” dhe një “organ mbikëqyrës” anëtarësia dhe kushtet e të cilit do të vendosen me marrëveshje të komunave themeluese. Ligji hesht për statusin juridik të një institucioni të përbashkët publik, por duket se një institucion i përbashkët publik, si një ndërmarrje e përbashkët publike, do të ishte një institucion ligjor. Sa i përket personelit, mund të ketë marrëveshje për dërgimin e nëpunësve civil në një institucion të përbashkët publik.

Opsione:

  • Kompetencat e A/KSS mund të detajohen më tej për të përfshirë të gjitha çështjet në Ligjin për Vetëqeverisjen Komunale. Në veçanti, statuti për A/KSS duhet të përsërisë dispozitat për “kompetenca të zgjeruara” për komunat me shumicë serbe që janë të përfshira në ligj.
  • Kompetencat e A/KSS mund të përfshijnë autoritetin e qartë për të krijuar pesë llojet e aranzhimeve të bashkëpunimit të dhëna në nenet 9 deri në 14 të Ligjit për Bashkëpunim Ndërkomunal. Duhet të ekzaminohet më tej opsioni i një institucioni të përbashkët publik pasi një formë e këtij modeli mund të shërbejë si forma kryesore e bashkëpunimit brenda A/KSS.
  • Zgjedhja midis "të pasurit" dhe "ushtrimit" të vështrimit të plotë mund të shmanget duke miratuar një formulim të ndryshëm. A/KSS mund të “ushtrojë” mbikqyrje të plotë në lidhje me kompetencat e komunave anëtare për zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë dhe planifikimin urban dhe rural (si dhe për “çështjet kulturore si në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale), ndërsa “duke pasur” mbikqyrje të plotë të politikave dhe aktiviteteve të autoriteteve qendrore dhe komunave tjera lidhur me politikat dhe aktivitetet e tyre në këto fusha.

Struktura organizative dhe administrimi

Marrëveshja mbi “Parimet e Përgjithshme” përcakton një strukturë organizative për A/KSS që përfshin një Kuvend, President (dhe zv.President), Këshill, Bord, administratë dhe zyrë për ankesa.

Gjykata Kushtetuese ka dy çështje në këtë pjesë të Parimeve: çështja e parë dhe më e rëndësishme ka të bëjë me respektimin e diversitetit etnik brenda A/KSS, dhe; çështja e dytë lidhet me pretendimin në Parimin 6(e) se personeli administrativ i A/KSS do të ketë statusin e punësimit të nëpunësit civil.

(i) Gjykata deklaron se struktura organizative e Asociacionit e përcaktuar në Parimet e Përgjithshme ngre “shqetësime në lidhje me respektimin e diversitetit të komuniteteve rezidente brenda komunave pjesëmarrëse dhe pasqyrimin e këtij diversiteti në personelin dhe strukturat e Asociacionit/ Komunitetit siç kërkohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës” (KP 153). Ai shton se çdo akt apo statut që themelon A/KSS-në “do të sigurojë respektimin e diversitetit të komuniteteve rezidente në komunat pjesëmarrëse, në përputhje me nenet 3, 7, 57.1, 61 dhe 62 të Kushtetutës” (KP, 155). Art. 3 përcakton se “Republika e Kosovës është një shoqëri multietnike… e bazuar në parimet e barazisë së të gjithë individëve”, ndërsa neni. 7 mbështet parimet e "barazisë...mosdiskriminimit...[dhe]

pluralizmit". Art. 61 përcakton se komunitetet e Kosovës dhe anëtarët e tyre do të kenë të drejtën e "përfaqësimit të barabartë në punësim në organet publike...në të gjitha nivelet" (përveç kësaj, neni 101 kërkon që shërbimi civil të “pasqyrojnë diversitetin e popullit të Kosovës”). Art. 62 përmban një numër të mbrojtjeve për pakicat brenda komunave ekzistuese, duke përfshirë të drejtën e pakicave mbi 10 për qind që të kenë një “Zëvendëskryetar të Kuvendit Komunal për Komunitete” të rezervuar për anëtarët e tyre (kandidati joshumicë për Kuvendin Komunal me numrin më të madh të votave).

Ky zyrtar është përgjegjës për adresimin e interesave dhe shqetësimeve të banorëve jo- shumicë në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, si dhe për shqyrtimin e pretendimeve se aktet apo vendimet e Kuvendit bien ndesh me të drejtat e garantuara me Kushtetutë të anëtarëve joshumicë. Nënkryetari do të jetë përgjegjës për referimin e çështjeve të tilla në Kuvendin e Komunës për rishqyrtim, një procedurë e rëndësishme për mbrojtjen e pakicave që njihet si "kambanë alarmi" dhe që ekziston gjithashtu për të mbrojtur pakicat në Belgjikë dhe Tirolin e Jugut. Art. 62 gjithashtu garanton përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në organin ekzekutiv të secilës komunë.

Problemi, nga këndvështrimi i Gjykatës, është se "Parimet e Përgjithshme" nuk marrin parasysh qartë këto mbrojtje kushtetuese thelbësore dhe, për rrjedhojë, i kërcënojnë ato. Parimet e Përgjithshme nuk ofrojnë asnjë garanci të qartë se a) personeli në administratën e A/KSS do të përbëhet në bazë të “përfaqësimit të drejtë”, ose se b) llojet e mbrojtjeve politike të pakicave të vendosura në nivel komunal në kushtetutën e Kosovës. (Neni 62) do të sigurohet brenda strukturave të reja të propozuara (A/KSS). Siç është shkruar, Parimet e Përgjithshme lejojnë teorikisht që A/KSS të ketë struktura mazhoritare në të gjithë bordin.

Nuk duket të ketë asgjë në to që do të pengonte Presidentin ose Zëvendës-presidentin, ose në të vërtetë, të gjithë Asamblenë, Këshillin, Bordin, Kryeadministratorin e A/KSS-së,që të jenë përfaqësues të komunitetit mazhorancë në komunat pjesëmarrëse. Rreziku këtu është se, për aq sa komunat ose qeveria e Kosovës ia caktojnë kompetencat ose detyrat A/KSS-së, mbrojtja e pakicave që janë në dispozicion të nivelit komunal (p.sh., neni 62) i Kushtetutës së Kosovës) mund të mos jetë në dispozicion brenda A/KSS.

Së dyti, Gjykata Kushtetuese i referohet nenit 6 (e) të Marrëveshjes për Parimet e Përgjithshme se stafi i “administratës” së A/KSS-së “do të përfitojë nga statusi i punësimit në përputhje me Ligjin e Kosovës, duke përfshirë Ligjin për Punën dhe Ligji për Shërbimin Civil”. Gjykata argumenton se statusi i punonjësve të shërbimit civil, sipas Kushtetutës, është i kufizuar për punonjësit e organeve publike të administratës të krijuara nga Qeveria (përfshirë komunat), dhe kështu stafi i A/KSS-së “nuk do të konsiderohet pjesë e Shërbimit Civil në vetvete” (KP 157). Kjo, me sa duket, do t'i privonte stafit disa përfitime, siç janë të drejtat e pensionit. Është gjithashtu pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme të Gjykatës Kushtetuese për të bërë të qartë se A/KSS nuk është një institucion formal qeverisës (publik).

Opsione:

  • Ligji dhe statuti që themelon A/KSS mund të parashikojë në mënyrë eksplicite një fuqi punëtore të administratës që do të "reflektonte diversitetin" e popullsisë së A/KSS dhe që gjithashtu do të mbështeste në mënyrë eksplicite parimet thelbësore kushtetuese të barazisë, mosdiskriminimit, dhe pluralizmin (ose në mënyrë eksplicite nuk do të devijoj nga mbrojtja aktuale kushtetuese për pakicat, duke përfshirë ato të parashikuara në nenin 62).
  • Ligji ose statuti që themelon A/KSS-në mund të zgjerojë gjithashtu mbrojtjen kushtetuese që ekzistojnë në nivel komunal (neni 62) tek vetë A/KSS. Kështu, mund të përcaktohet që nënkryetari i parashikuar për A/KSS të jetë nga popullata joshumicë e A/KSS dhe t'i jepen të njëjtat përgjegjësi që “Zëvendëskryetari i Kuvendit Komunal për Komunitete” aktualisht ushtron në komuna të veçanta (shih nenin 62, Kushtetuta e Republikës së Kosovës).
  • Parimet e Përgjithshme aktualisht parashikojnë që A/KSS të ketë një “zyrë ankesash me mandat për të shqyrtuar ankesat në lidhje me objektivat e saja”. Në ligj dhe statut, kësaj zyre mund t'i jepet një mandat i qartë për të hetuar ankesat e pakicave kundër veprimeve të A/KSS dhe për të monitoruar respektimin e administratës së A/KSS ndaj një politike të barabartë punësimi dhe promovimi. Një zyrë ankesash e mandatuar për të ofruar këto funksione mund të plotësojë punën e një Zëvendëspresidenti të A/KSS të krijuar për të mbrojtur pakicat, ose, megjithëse ndoshta më pak e dobishme, të shërbejë si një alternativë.
  • Ka mënyra shtesë se si minoritetet mund të akomodohen brenda AKSS, nëse kjo shihet si e dobishme për zbutjen e shqetësimeve të shumicës shqiptare dhe Gjykatës Kushtetuese. Për shembull, Marrëveshja mbi Parimet e Përgjithshme thotë se Asambleja e AKSS-së duhet “të emërohet nga çdo kuvend i komunave pjesëmarrëse, në mesin e anëtarëve të tyre të zgjedhur”. Ky është një proces që mund të çojë në atë që Asambleja e A/KSS të përbëhet ekskluzivisht nga opinioni i shumicës në secilën komunë pjesëmarrëse. Një mënyrë alternative për të vazhduar më tutje mund të jetë tërheqja e Kuvendit të AKSS-së nga partitë politike të përfaqësuara në kuvendet komunale pjesëmarrëse në përpjesëtim me pjesën e këtyre partive në vendet e kuvendeve komunale. Kjo alternativë do të garantonte një Asamble të larmishme të AKSS-së që përfaqëson të gjithë popullsinë e saj, dhe që është plotësisht në përputhje me dispozitën kushtetuese që Kosova është një shoqëri pluraliste dhe “multi-etnike”. Në të njëjtën kohë kjo do t'i siguronte serbët se Kuvendi i A/KSS do të përfaqësonte komunitetin serb pasi serbët do të ishin shumica e anëtarëve të tij. Për më tepër, kjo alternativë do të garantonte pluralizëm pa pasur nevojë për ndonjë kuotë etnike, të cilat shpesh shihen si regresive në jurisprudencën bashkëkohore evropiane (Shih Sejdić dhe Finci vs Bosnja Hercegovinës).
  • Një hap tjetër që do të akomodonte pakicat lokale të A/KSS do të ishte sigurimi që kudo që një komunë në AKSS ka një shef policie serb, do të kishte një zëvendës-shef nga pakica (joserbe). Aktualisht, “Parimet e Përgjithshme” (Parimi 13) përsërit pjesën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 (para. 9) që kërkon që katër kryetarët e komunave veriore të dorëzojnë një listë të kandidatëve (serbë) për komandant të policisë rajonale, por Parimet e Përgjithshme nuk trajtojnë shqetësimet e pakicave në AKSS si me rastin e policisë. Në të vërtetë, Parimi 13 heq pjesën tjetër të para. 9 të Marrëveshjes së Brukselit ku thuhet se “përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen etnike të katër komunave” (garanci për përfaqësimin e pakicave). Nuk është e qartë pse Marrëveshja më e gjatë dhe më e përpunuar mbi Parimet e Përgjithshme duhet të heqë një dispozitë kryesore të Marrëveshjes më të shkurtër të Brukselit të vitit 2013. Kthimi i këtij lëshimi do të kishte kuptim dhe mund të ndihmonte në zbutjen e çdo mosbesimi që ka lindur për shkak të Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme.

Këto lloj mbrojtjesh për minoritetet brenda A/KSS mund të qojnë në njëfarë mënyre drejt adresimit të shqetësimeve të shumicës shqiptare në Kosovë dhe Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo është kështu, do të reduktonte kundërshtimin ndaj krijimit të A/KSS-së dhe ndoshta do të lehtësonte decentralizimin nga autoritetet qendrore në A/KSS. Përveç kësaj, sa më shumë mbrojtje që shumica (serbe) në AKSS t'i ofrojë pakicës atje, aq më shumë mbrojtje legjitime mund të kërkojë për serbët në Kosovë në tërësi.

(v) Për t'u marrë me vendimin e gjykatës se personeli administrativ i A/KSS-së “nuk do të konsiderohet pjesë e Shërbimit Civil në vetvete” (KP 157), një opsion mund të jetë që nëpunësit civilë komunalë të “dorëzohen” nga pjesëmarrësit pra komunat në A/KSS ose organet e lidhura me të (p.sh. administrata të përbashkëta ose institucione të përbashkëta publike). Më pas, ky personel do të jetë në gjendje të gëzojë çfarëdo përfitimi, duke përfshirë të drejtat e mbrojtjes së punës ose të drejtat pensionale, që u grumbullohen nëpunësve civilë komunal. Ligji për bashkëpunim ndërkomunal thotë se komunat “do t'i caktojnë nëpunësit civilë komunalë për të punuar në organin e përbashkët administrativ” (neni 11.7), por hesht për personelin e institucioneve të përbashkëta publike. Megjithatë, dërgimet zakonisht lejohen nga qeveritë për të gjitha llojet e organizatave. Dokumenti i Parimeve të Përgjithshme parashikon se “Anëtarët e Asociacionit/Bashkësisë [d.m.th., komunat individuale] mund të vendosin të përdorin një numër punonjësish për të mbështetur Komunitetin/Asociacionin në zbatimin e objektivave të tij (Parimi 6 (e)).

Kapaciteti Ligjor dhe Anëtarësimi

Neni 14 i Marrëveshjes mbi Parimet e Përgjithshme thotë se A/KSS duhet të pajiset me kapacitetin e nevojshëm sipas ligjit për të përmbushur objektivat e tij, duke përfshirë të

drejtën për të zotëruar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për qenë bashkëpronare në kompanitë që ofrojnë shërbime lokale, dhe për të lidhur kontrata, duke përfshirë kontratat e punës.

Në nenin 2 të të njëjtit dokument thuhet se A/KSS është person juridik i përcaktuar në statut. Gjykata Kushtetuese (paragrafi 132) konstatoi se A/KSS do të jetë një organizatë në kuptim të nenit 44 të Kushtetutës dhe do të jetë një subjekt me personalitet juridik (paragrafi 172).

Anëtarësimi në A/KSS nënkupton në mënyrë implicite të gjitha komunat me shumicë serbe, pa përmendur të drejtën e dorëheqjes. Kjo nuk ka gjasa të paraqesë ndonjë problem, por është në kontrast me Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal ku secila komunë duhet të vendosë për temat dhe format e bashkëpunimit të saj. Anëtarësimi në A/KSS është i hapur për çdo komunë tjetër, me kusht që anëtarët e saj të jenë dakord.

Opsione

  • Statuti mund të sqarojë më tej se A/KSS është një entitet juridik, i cili mund të formojë organe të tjera (si në Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal) disa prej të cilave (p.sh. institucionet e përbashkëta publike, një ndërmarrje e përbashkët publike) mund të jenë entitete juridike.
  • Statuti duhet të bëjë të qartë se cilado nga komunat e caktuara me shumicë serbe do të jetë me të drejtë anëtare e A/KSS, përveç nëse komuna ka votuar për t'u tërhequr. Statuti mund të tregojë se shumica e Kuvendit të A/KSS mund të miratojë anëtarësimin e çdo komune tjetër me shumicë joserbe.

Fillimi i Aktiviteteve Bashkëpunuese

Përderisa A/KSS duhet të ofrojë një mjet organizativ për bashkëpunim ndërmjet komunave me shumicë serbe, ajo nuk mund të marrë ligjërisht kompetencat e komunave individuale, kështu që duhet të funksionojë në bazë të pëlqimit të secilës komunë, së paku në një nivel. Si Marrëveshja e Brukselit ashtu edhe Parimet e Përgjithshme janë të heshtura për mënyrën se si do të iniciohen dhe qeverisen veprimtaritë individuale të bashkëpunimit. Neni 6 (a) i Parimeve të Përgjithshme thotë se "të gjitha ndryshimet në Statutin, rregullat e procedurës dhe të gjitha rregulloret dhe vendimet e nevojshme të miratuara nga Asambleja do të zbatohen për anëtarët e tij, përveç nëse një nga anëtarët e tij zyrtarisht shpreh qëndrim tjetër". Ky është i paqartë. Një lexim është se një komunë anëtare mund të vërë veton ndaj një vendimi kolektiv ose ndryshimit të rregullores etj. Kjo do të nënkuptonte një organ të

lirshëm, të ngjashëm me një konfederatë. Një tjetër është se një anëtar mund të jetë në gjendje të vërë veton ndaj zbatimit të rregullave dhe vendimeve për të, gjë që mund të rezultojë në një A/KSS 'asimetrike.' Ekzistenca e kësaj dispozite sugjeron që serbët do të mbështesin një A/KSS në të cilën secila komunë do të mbajë njëfarë kontrolli mbi pjesëmarrjen e saj. Problemi qendror me këtë gjuhë është se ajo ndërthur lloje të ndryshme "vendimesh": disa vendime përcaktojnë rregullat qeverisëse për shoqatën ose emanacionet e saj (siç janë institucionet e përbashkëta publike); këtyre mund t’i vihet veto, por është e vështirë të shihet se si mund të zbatohen ndryshe për anëtarë të ndryshëm. Megjithatë, vendimet për përcaktimin e aktiviteteve bashkëpunuese të A/KSS mund të zbatohen ndryshe për anëtarë të ndryshëm—jo të gjithë anëtarët kanë nevojë të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet. Kuptimi i fjalës këtu duhet të sqarohet.

Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal përcakton procedura të përpunuara në drejtim të themelimit të aktiviteteve bashkëpunuese p.sh. mund të iniciojë propozime, shqyrtim nga kuvendet komunale, pikat kyçe që duhet të mbulojnë marrëveshjet, publikimi i marrëveshjeve në gazetën zyrtare. Çështja do të jetë e përsëritur për A/KSS sa herë që konsiderohet një aktivitet i ri bashkëpunues.

Statuti mund të qartësojë procedurat në këtë drejtim në një mënyrë që të jetë në përputhje me kompetencën ligjore përfundimtare të secilës komunë anëtare.

Opsionet

Pjesëmarrja e një komune në një aktivitet bashkëpunues të A/KSS mund të vazhdojë ose me një procedurë të refuzimit ose një zgjedhjeje në procedurë.

  • Në një procedurë të zgjedhjes, Asambleja e A/KSS-së do të mandatohej të miratonte aktivitetet bashkëpunuese (duke përfshirë potencialisht krijimin e administratave të përbashkëta ose institucioneve të përbashkëta publike) me një nivel të caktuar të legjitimimit me votim (ndoshta dy të tretat). Një komunë anëtare do të angazhohej më pas në aktivitetin bashkëpunues, përveç nëse ajo tërhiqej sipas procedurave të përcaktuara.
  • Në procedurën e zgjedhjes, Kuvendi i A/KSS-së do të mandatohej të miratonte aktivitetet bashkëpunuese, por secila komunë anëtare do t'i kërkohet të zgjedhë çdo aktivitet në të cilin dëshiron të marrë pjesë.

Secila prej këtyre qasjeve do të lehtësonte vendimmarrjen kolektive duke ruajtur kompetencën përfundimtare të secilës komunë anëtare, në përputhje me pritshmëritë e Gjykatës.

Marrëdhëniet me autoritetet qendrore

Në një interpretim (të favorizuar nga serbët), Parimet e Përgjithshme synojnë t'i japin A/KSS një marrëdhënie formale institucionale me autoritetet qendrore të Kosovës. Në dokument thuhet, ndër të tjera, se A/KSS do të “promovojë interesat e komunitetit serb të Kosovës në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore”; do të ketë “të drejtë të propozojë, në përputhje me ligjin e Kosovës, amendamente të legjislacionit ose rregulloreve të rëndësishme për përmbushjen e objektivave të tij”; dhe do të ketë “të drejtën të fillojë ose të marrë pjesë në procedurat para gjykatave kompetente, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, kundër çdo akti apo vendimi” që cenon ushtrimin e përgjegjësive të Asociacionit “sipas Statutit të saj”. Parimet e Përgjithshme thonë gjithashtu se Asociacioni do të ketë “të drejtën të emërojë përfaqësues në organet/trupat kompetente të qeverisë qendrore, përfshirë Këshillin Konsultativ të Komunitetit (sic)”.

Gjykata Kushtetuese dhe mazhoranca shqiptare hezitojnë t'ia japin A/KSS-së një status të tillë formal, veçanërisht atë thelbësor. Ata duket se kanë frikë se një status i tillë mund të krijojë përshtypjen se A/KSS është një “partner” i autoriteteve qendrore dhe mund të kontribuojë në particionizëm (d.m.th., t'i heqë natyrën unitare të Republikës). Ata gjithashtu mund të kenë shqetësime se me një status të tillë A/KSS do të kishte pozitë ndërkombëtare dhe do të mund të bllokonte veprimet e Qeverisë së Kosovës. Rrjedhimisht, Gjykata duket e vendosur në vendimin e saj theksonte se A/KSS është thjesht një “komunitet” apo shoqatë, e krahasueshme me një organizatë joqeveritare dhe se do të ishte vetëm një nga disa komunitete apo shoqata në Kosovë që ka të drejta të mbrojtjes kulturore, ndonëse të drejta të kufizuara dhe joterritoriale (të përshkruara në nenin 59 të Kushtetutës). Çdo pyetje në lidhje me shtrirjen e të drejtave ose kompetencave të A/KSS mund të sqarohet në Statut.

Ky mendim i përgjithshëm pasqyrohet në të gjithë vendimin e Gjykatës për “marrëdhëniet me autoritetet qendrore”. Ajo rregullon që A/KSS nuk mund t'i jepet “autoritet i plotë dhe ekskluziv” për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës para autoriteteve qendrore, sepse Kushtetuta e shtrin këtë të drejtë tek agjencitë e tjera, kryesisht Këshilli Konsultativ për Komunitete (neni. 60.2), dhe me sa duket edhe për shkak se ka serbë që jetojnë jashtë A/KSS. Sa i përket rolit të A/KSS-së në propozimin e ndryshimeve në legjislacion dhe rregullore, Gjykata vendos se Asociacioni “nuk mund të ketë të drejtë të propozojë ndryshime në legjislacion”, siç parashikohet në Parime. Kjo për shkak se e drejta e “iniciativës legjislative” është e kufizuar me Kushtetutë për disa zyrtarë (p.sh. Presidenti, apo deputetët në Kuvendin e Kosovës) ose së paku 10,000 qytetarë. Gjykata vëren gjithashtu se aftësia për të paraqitur kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është e rregulluar me kushtetutë (neni 113) dhe, për rrjedhojë, Asociacioni mund të ngrejë procedurë vetëm kur, si person juridik, të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur (neni 113.7).

Për të nënvizuar se A/KSS do të jetë vetëm një komunitet apo shoqatë mes tjerash, Gjykata kërkon të na kujtojë se ka organe të tjera, të mbrojtura me Kushtetutë, që përfaqësojnë serbët - duke përfshirë komunat dhe Komitetin Konsultativ për Komunitete. Ai vendos që asnjë akt ligjor apo statut që themelon Asociacionin nuk duhet të “zëvendësojnë ose minojnë autoritetin e çdo asociacioni të komuniteteve të themeluara në kuptim të neneve 57, 59 (14) dhe 60.2 të Kushtetutës”, dhe duhet të jenë në përputhje me Kapitullin III të Kushtetutës. Një çështje përfundimtare, por e rëndësishme përsa i përket marrëdhënieve me autoritetet qendrore, është nëse palët në Marrëveshje do të kenë një mekanizëm për të monitoruar zbatimin. Normalisht, pjesëmarrës në një mekanizëm të tillë do të ishin ata që lidhnin marrëveshjet, por një alternativë do të ishte një mekanizëm midis qeverisë qendrore dhe A/KSS.

Opsione

Një mënyrë për të menduar për vendimin e Gjykatës dhe rrugën përpara është të theksohet se vendimi nuk e pengon A/KSS të përfaqësojë serbët, ose të luajë një rol në iniciativat legjislative, ose në procedurat gjyqësore, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, Gjykata thjesht thekson se A/KSS nuk mund të ketë autoritet “të plotë dhe ekskluziv” për të promovuar interesat e serbëve para autoriteteve qendrore, pasi ka individë dhe agjenci të tjera që mund ta bëjnë këtë (p.sh. Këshilli Konsultativ për Komunitete, Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës dhe komunat individuale me shumicë serbe). Gjykata i lë të hapur A/KSS- së (Gj.K para. 171) një rol në procesin legjislativ nëpërmjet Këshillit Konsultativ për Komunitete, organ i cili, sipas Art. 60.3 (2) të Kushtetutës, është në gjendje të “komentojë në një fazë të hershme iniciativat legjislative ose politike që mund të përgatiten nga Qeveria, të sugjerojë nisma të tilla dhe të kërkojë që pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet përkatëse”. Përtej kësaj, duhet gjithashtu të jetë e mundur që A/KSS të komentojë legjislacionin që lidhet me të përmes procedurave legjislative të Kuvendit të Kosovës (kuvendet legjislative në mënyrë rutinore lejojnë një kontribut të tillë nga palët e interesuara dhe mund të pritet që deputetët serbë në veçanti të inkurajojnë hyrje nga A/KSS).

Në mënyrë të ngjashme, teksa Gjykata kërkon të kufizojë (rregullojë) aksesin e Asociacionit në gjykata, duke përfshirë Gjykatën Kushtetuese, ajo vëren se Asociacioni, ashtu si organet dhe individët e tjerë, do të ketë akses në gjykata për të mbrojtur “të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese “. Këto të drejta dhe liri përfshijnë "të drejtën për mjete juridike". Art. 32 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “çdo person ka të drejtë të ndjekë mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative që cenojnë të drejtat apo interesat e tij/saj, në mënyrën e përcaktuar me ligj”. Art. 54 ofron më tej mbrojtje ligjore kundër shkeljeve të një akti ligjor, siç është akti që themelon Asociacionin dhe përcakton kompetencat e saj. Në të thuhet se “Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes gjyqësore nëse ndonjë e drejtë e garantuar me këtë Kushtetutë ose me ligj është shkelur ose mohuar dhe ka të drejtën e një mjeti juridik efektiv nëse konstatohet se kjo e drejtë është shkelur” (nënvizimi ynë).

Vështirësia është se këto mënyra të ndryshme në të cilat A/KSS do të jetë në gjendje të ndërveprojë me autoritetet qendrore mund të mos arrijnë atë që dëshirojnë liderët serbë. Politikisht, ata mund t'i shohin këto kufizime për A/KSS si më pak se sa ishte rënë dakord në Parimet e Përgjithshme, të cilat, nga këndvështrimi serb, e njihnin A/KSS-në në një farë mënyre si një partner të qeverisë, me organet e veta formale qeverisëse dhe qenësi juridike, duke përfshirë atë që disa do të quanin pushtet ekzekutiv. Përtej kësaj, serbët me gjasë do të dëshironin të shihnin statutin dhe kompetencat e A/KSS-së të mbrojtura kundër ndryshimeve të njëanshme nga autoritetet qendrore, të cilat mund të nënkuptojnë futjen e Statutit në Kushtetutë, me çdo rishikim që kërkon pëlqimin e shumicës së serbëve nga komunat me shumicë serbe. Megjithatë, një marrëdhënie më e fortë dhe më formale ndërmjet A/KSS-së dhe autoriteteve qendrore mund të kërkojë kompensimin e hapave nga pala serbe (përfshirë nga Serbia) që do të lehtësonin shqetësimet e shqiptarëve për kërcënimin e paraqitur nga A/KSS ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Së fundi, duhet të merret parasysh një mekanizëm i mundshëm për të rishikuar zbatimin e Marrëveshjeve.

Mbështetja buxhetore dhe financiare

Parimet e Përgjithshme bëjnë thirrje që A/KSS të ketë buxhetin e vet, që do të administrohet në përputhje me parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Shpenzimet e tij do t'i nënshtrohen auditimeve, duke përfshirë edhe Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës dhe do të përbëhen nga: a) kontributet e anëtarëve të tij (komunave); b) të hyrat dhe të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni dhe asetet e saj; c) transferet nga autoritetet qendrore;

d) kontribute, grante etj. nga burime vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë Republikën e Serbisë.

Gjykata Kushtetuese kundërshton pikën c), përkatësisht transferimet nga pushteti qendror në A/KSS. Ai vë në dukje se neni 124.5 parashikon transfere financiare nga qeveria qendrore në komuna, por hesht për transferet në organe të tjera të lidhura me pushtetin vendor, gjë që Gjykata e ka interpretuar se do të thotë se e drejta për të marrë të tilla transfere i takon “ekskluzivisht komunave”. (Para. 180). Vendimi i Gjykatës se autoriteti i qeverisë qendrore për të bërë transferime është i kufizuar nga heshtja e Kushtetutës është relativisht i pazakontë. E vetmja dispozitë e përgjithshme në lidhje me shpenzimet publike është neni 120.1, i cili thotë se këto transfere do të "bazohen në parimet e llogaridhënies, efektivitetit, efikasitetit dhe transparencës" dhe Gjykata nuk ka dhënë asnjë interpretim të rëndësisë së tyre. Një fuqi e gjerë shpenzuese, siç e ka qeveria, është në përputhje me shumicën e

kushtetutave, për të cilat shpenzimi i parave të buxhetit nga shteti është efektivisht pa limit. Kështu, gjykimi i Gjykatës për këtë çështje mund të jetë subjekt për shqyrtim të mëtejshëm.

Ashtu si me marrëdhëniet me autoritetet qendrore, Gjykata këtu duket se shqetësohet për privimin e A/KSS-së nga “simbolizmi” i marrjes së transfereve të drejtpërdrejta nga autoritetet qendrore, ndoshta për shkak të frikës se kjo do të ngriste statusin e A/KSS-së në atë të një institucion zyrtar qeverisës (si një rajon në një federatë ose një shtet unitar). Por si çështje praktike, do të kishte pak për ta penguar A/KSS-në të merrte fonde nga autoritetet qendrore, në mënyrë indirekte, nëpërmjet komunave, dhe gjykata nuk e kundërshton këtë. Dhe duke pasur parasysh se A/KSS në masë të madhe do të angazhohej në aktivitete bashkëpunuese të mandatuara nga komunat, logjikisht komunat do të ishin burimi kryesor i financimit. Një nga parimet e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale, të cilin Kosova kërkon ta mbështesë, është se shtetet nuk duhet të vendosin kushte për financimin e pushtetit lokal përderisa këto fonde shpenzohen brenda kornizës së kompetencave të pushtetit lokal (Neni i Kartës Evropiane. 9.1.). Diskrecioni i shpenzimeve të komunave mbrohet gjithashtu me Art. 124.5 i Kushtetutës së Kosovës: “Komunat kanë të drejtë të vendosin, mbledhin dhe shpenzojnë të hyrat komunale dhe të marrin financimin e duhur nga qeveria qendrore në përputhje me ligjin”. Ligji i Kosovës për Bashkëpunimin Ndërkomunal do të justifikonte komunat për financimin e A/KSS-së, duke përfshirë paratë që marrin nga autoritetet qendrore.

Është interesante se Gjykata nuk ngre asnjë kundërshtim të qartë ndaj A/KSS-së që merr fonde nga Republika e Serbisë, ndoshta për shkak se ajo e konsideron A/KSS-në si të mungesës së statusit të një institucioni publik por të një shoqate ose OJQ-je vullnetare. Nëse kjo nuk është një shkelje, kjo do të thotë se A/KSS mund të bëhet e varur nga financimi serb, veçanërisht për shpenzimet e saj kryesore. Nëse konstatimi i Gjykatës se qeveria qendrore nuk mund të bëjë transferime në A/KSS do të thotë gjithashtu se Prishtina nuk mund të jetë kanal për financim nga Serbia, kjo do të privon Kosovën nga ndikimi mbi mënyrën se si shpenzohen këto fonde, diçka që shqiptarët e Kosovës nuk ka gjasa ta mbështesin. Edhe nëse është rasti që financimi nga Serbia për A/KSS nuk mund të kalonte përmes qeverisë qendrore, përsëri mund të kërkohet që një financim i tillë të regjistrohet zyrtarisht në autoritetet qendrore dhe t'i nënshtrohet disa kushteve thelbësore.

(Vlen të theksohet se ka çështje që lidhen me financimin e komunave me shumicë serbe, veçanërisht nga Serbia por edhe nga autoritetet qendrore në raport me komunat e tjera, por këto bien jashtë objektit të çdo Statuti të A/KSS.)

Opsioni

Burimet e financimit për A/KSS mund të jenë siç përcaktohen në nenin 17 të Marrëveshjes së 2015 mbi Parimet e Përgjithshme, subjekt i (a) rishikimit të së drejtës së autoriteteve qendrore për të bërë transferime në shoqata dhe (b) gjuhës që siguron transparencë në lidhje me financimin serb për A/KSS.

Bashkëpunimi Ndërkombëtar Komunal

Marrëveshja e Brukselit dhe Parimet e Përgjithshme heshtin për çështjen e bashkëpunimit ndërkombëtar komunal. Neni 18 i Ligjit për bashkëpunim ndërkomunal përcakton kushtet për një bashkëpunim të tillë në kuadër të kompetencave të komunave. Ky bashkëpunim duhet të jetë i natyrës administrative dhe teknike dhe nuk mund të përfshijë delegim në komunat e huaja. Art. 10 (3) i Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale thekson gjithashtu se “autoritetet vendore kanë të drejtë, në kushte të tilla që mund të parashikohen me ligj, të bashkëpunojnë me homologët e tyre në shtete të tjera”.

Opsioni

Statuti i A/KSS mund të përfshijë dispozita për Bashkëpunim Ndërkombëtar të ngjashme me ato në Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal dhe në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare

Parimet e Përgjithshme parashikojnë një rishikim të zbatimit të Statutit të A/KSS brenda një viti nga miratimi i tij, duke përfshirë shqyrtimin e kompetencave shtesë nga autoritetet qendrore (neni 22). Ai gjithashtu parashikon se “Statuti do të miratohet me dekret pas marrëveshjes në Dialog. Çdo ndryshim i paraqitur nga Asociacioni/Komunat, do të miratohet me dekret dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese” (neni 21). Amadamentimi për ndryshime nuk ka dispozitë për marrëveshjet me autoritetet qendrore, që është një lëshim. Neni 20 parasheh që A/KSS-ja do të ketë të drejtë për stemë dhe flamur “në përputhje me ligjin e Kosovës”.

Konkluzioni

Ky rishikim i dokumenteve relevante, duke përfshirë ligjin ekzistues të Kosovës, tregon se mund të ketë shumë terren të përbashkët ndërmjet palëve në zhvillimin e një Statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Një çështje kritike do të ishte mbajtja nga secila komunë e kompetencës së saj përfundimtare ligjore, që do të thotë se bashkëpunimi, ndoshta për çdo aktivitet bashkëpunues, do të duhej të ishte vullnetar nga ana e secilës komunë. Ky koncept duket të jetë në përputhje me Parimet e Përgjithshme. Një A/KSS e ndërtuar në këtë mënyrë do të ishte në gjendje të merrte përsipër shumë aktivitete të përbashkëta bashkëpunuese ndërmjet komunave anëtare. Një qasje e tillë do të kishte shumë paralele me aranzhimet për bashkëpunim të përcaktuara në Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal, të cilat janë në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Statuti mund të sigurojë gjithashtu njohjen e duhur të përfaqësimit të pakicave brenda A/KSS brenda frymës së Kushtetutës.

Lajme të ngjashme