Dokument: Drejtori me aktakuzë në Autoritetin e Konkurencës i shkruan Xhelal Sveçlës, i kërkon leje për armë - NACIONALE

Dokument: Drejtori me aktakuzë në Autoritetin e Konkurencës i shkruan Xhelal Sveçlës, i kërkon leje për armë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas rrahjeve e përleshjeve në korridoret e Autoritetit të Konkurencës, U.D Drejtori i këtij institucioni, Selajdin Beqa, ka shkuar një hap më larg. Ai i ka shkruar direkt ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke i kërkuar leje për armë. Këtë e ka arsyetuar me faktin se po ndjehet i rrezikuar shkaku i punës së tij. Ligji e përcakton se leja për armë nuk merret tek ministri. Nacionale sjell detaje.

Selajdin Beqa është ushtrues detyre i drejtorit në Autoritetin e Konkurencës. Për të bëmat e tij prej se është drejtor, Beqa ka edhe aktakuzë.

Albanian Post kishte raportuar se Selajdin Beqa në hapësirat e Autoritetit të Konurencës, e kishte sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime punëtorit të Autoritetit, Shemsi Elezi.

Beqa akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Megjithatë, sikur të mos mjaftonte fakti se U.D Drejtori ushtron dhunë, brenda hapësirave të institucionit që drejton, ai i kishte kërkuar drejtpërdrejt ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës, leje për t’u pajisur me armë.

Në një dokument të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, Selajdin Beqa, më 2 prill 2024 i kishte shkruar letër ministrit Sveçla, duke i kërkuar që t’ia aprovojë lejen për armë. Këtë e kishte arsyetuar me faktin se rreziqeve që ka në vendin e punës, duke aluduar në kompani të ndryshme pas gjobave që shqiptojnë.

“Tani në proces të punës së bashku me Komisionin kemi hapur disa procedura hetimore të ndjeshme në tregun e Kosoës, e që mund të preken interesa të mëdha, të kompanive të fuqishme, me qarkullim dhe shtrirje të madhe në treg. Pa e paragjykuar epilogun e përfundimit të këtyre hetimeve, konsideroj se këto procedura mund të rezultojnë me gjoba të mëdha dhe kjo duket qartazi se mua personalisht më ekspozon ndaj rrezikut të përgjithshëm”, thuhet në letrën që Selajdin Beqa ia ka drejtuar ministrit Sveçla.

Beqa ne letër njofton se ka armë të shkurtë “Leja për armë shenjëtarie” të kalibrit 9x19 milimetra. Si rezultat, Beqa kërkon 24 orë leje për mbajtjen e armës për të cilën ka leje vetëm për armë shenjëtarie. Të njëjtën, dëshirojë ta kthejë në leje të veçantë për mbajtjen e armës 24 orë.

Kërkesa për pajisje me armë e dërguar direkt te ministri, është në kundërshtim edhe me legjislacionin në fuqi.

Sipas Ligjit, kërkesa për autorizim në lejen për lëvizje me armë bëhet në stacionin lokal të policisë në rajonin ku gjendet vendbanimi ose vendi i certifikuar i ruajtjes së armëve. Pra, një kërkesë e tillë është kompetencë e Policisë së Kosovës, e jo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo e direkt ministrit Xhelal Sveçla.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në Autoritetin e Konkurencës edhe te Ministria e Brendshme, dhe është në pritje të përgjigjes.

Beqa njihet për afërsinë me zyrtarët e pushtetit, madje edhe me fotografi bashkë me ministrin Sveçla. Madje, ai kishte marrë pjesë në disa takime së fundmi në Gjermani, ku ishin edhe deputetët e pushtetit.

Skandalet e Selajdin Beqës në Autoritetin e Konkurencës

Megjithatë, më shumë se “frika”nga kompanitë e fuqishime siç i quan Beqa, atij i ka dalur probleme me kolegët e tij të cilët i ka sulmuar edhe fizikisht.

Albanian Post kishte raportuar për disa veprime skandaloze të Selajdin Beqës në Autoritetin e Konkurencës. Ato përfshinin rrahje, presione e përleshe, që përfunduan me aktakuzë.

Shemsi Elezi, punëtor në Autoritet, ishte sulmuar nga Beqa me breshëri grushtesh prapa kokës, në qafë e në fytyrë.

Elezi nga goditjet ishte plandosur për toke, derisa Beqa veç grushteve i kishte futur në kombinim edhe shqelmat.

Dhunën terrorizuese ndaj Elezit, siç përshkruhet më pas edhe në aktakuzën e ngritur ndaj Beqës, do ta ndërpriste ndërhyrja e kolegëve të tjerë në zyrë, të cilët nuk po e kuptonin akoma se çfarë po ndodhte.

Së paku tre prej tyre, Etrit Tetova, Florent Mehmeti dhe Enis Shatri, kishin deklaruar edhe në polici për çfarë u panë sytë atë ditë (29 nëntor 2023) dhe se si e kishin tërhequr më pas Beqën për ta shpëtuar kolegun e tyre Elezi, që në atë kohë mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.

Fotografitë e siguruara nga Albanian Post tregojnë lëndimet e Elezit nga goditjet e Beqës, që më pas u konfirmuan edhe nga raportet mjekësore me numër “86282” të përfshira në aktakuzë dhe ekspertiza e mëvonshme Mjeko-Ligjore nga doktor Musa Gashi.

Beqa dyshohet se ka vëzhguar ilegalisht edhe punëtorët e tjerë me kamera.

Me 31 maj Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas analizimit të rastit, vizitës brenda objektit të Autoritetit dhe hetimeve të tjera konfirmon se ka pasur shkelje.

Në arsyetimin e Agjencisë të nënshkruar nga Zyrtarja e Inspektimit, Mirvete Çallaki Aliu, thuhet se “bazuar në faktet e sipërpërmendura si dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia konstaton se Autoriteti i Konkurrencës (në cilësinë e kontrolluesit) përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë ka përpunuar të dhëna personale në kundërshtim me Nenin 76, paragrafin 5, të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

Në shtator, Albanian Post, raportoi për një tjetër sulm që Selajdin Beqa ia ka bërë punëtorit Shemsi Elezi.

Lajme të ngjashme