Dojmë me hangër njëri tjetrin
“Qe 20 vjet është punuar gabimisht, nuk mund të ndryshojë cdo gjë vitin e parë”, njëra palë. “Qe 20 vjet i ke rrejtë popullin, tash po e bën të njëjtën gjë”, pala tjetër.
Berat Buzhala
Echo chamber quhet hapësira brenda të cilës sillet zëri i njëjtë. Është njëfar ambienti ku ka jehonë. Tingullin e njëjtë e dëgjon në kohë të ndryshme.
Metaforikisht ky fenomen përdorët për të treguar se si një person dëshiron të dëgjojë vetëm opinionet ose besimet e përafërta me të tijat. Këta që e përkrahin Albinin futën nëpër zgafellat e tyre dhe i përforcojnë mendimet e tyre, duke dëgjuar mendime të ngjashme, kurse këta të tjerët, ose bile mund të them edhe NE të tjerët e kemi një echo chamber.
Sa herë që përballemi me stuhi polemikash, sic ishte rasti me Kodin Civil, militantët e të gjitha grupave shkonin nëpër dhomat e tyre, merrnin municion, përforconin bindjet e tyre me argumente të reja dhe kalonin nëpër dhomat e kundërshtarëve duke gjuajtur pa dallim. Një Kod Civil, ku rregullohet gjithcka e jetës tonë u simplifikua në një nen të vetëm, a lejohet unioni a nuk lejohet.
Sic e do tradita tash edhe ky debat po venitet. Sic thotë një mik i imi “turri i minit deri në kashtë”. Kaq ishte edhe turri i jonë. I tham cka patëm për t’i thënë, nuk e takova askënd që tha “e ndryshova mendjen për shkak të debatit” dhe vazhdojmë në betejat e radhës, më shumë personale se sa parimore.
Terreni ka filluar të përgatitet për zgjedhjet serbe. Palët janë duke mbledhur municion që do ta përdorin ditët dhe javët e ardhshme. Jo palët në Serbi, sepse atje nuk ka palë, atje është vec Vucici, por palët në Kosovë. A do t’i lejojë Albini serbët të votojnë në Kosovë, apo do t’i ndalojë, sikurse bëri me referendumin?
Triumfi i Kurtit me referendumin ishte maksimal. U glorifikua nga mbështetësit e tij maksimalisht. “Më në fund po na kthehet dinjiteti”, ishte pak a shumë ekstrakti i lavdatave. Përndryshe, si shoqëri, jemi shumë të interesuar për kthimin e dinjitetit. Askush nuk di të tregojë se kur e paskmi humbur dinjitetin, por të gjithë dëshirojnë ta kthejnë atë. Një shoqëri që nuk kishte fije të dinjitetit në vitet e 90’ta, kur një polic i ndiqte për t’i rrahur gjithë pazarin, sot flet për humbje të dinjiitetit, ani pse jeton e lirë dhe e pa frikë.
Mirëpo le të flasim tash për kthimin e dinjitetit që e bëri Kurti, kur e ndaloi organizimin e referendumit. Gjuha që u përdorë, sepse u tha po respektohet Kushtetuta dhe Rezoluta - për LVV’në vazhdimisht rezolutat janë më të rëndësishme se Karta e Kombeve të Bashkuara dhe se cdo ligj tjetër në fuqi – i rriti apetitet që tash ky precedan i moslejimit të serbëve për të votuar në vendin tonë do të ndiqet edhe për zgjedhjet presidenciale a parlamentare serbe.
Në momentin që Kurti dje tha që serbëve nuk do t’u ndalohet votimi në zgjedhje, u rrit interesimi për të diskutuar për ketë temë. Filloi të spostohet prej rrjeteve sociale debati për martesat e sexeve të njëjta, duke ia hapur rrugën luftës së re. Argumentët prapë do të janë të njëjta, do të ndryshojnë vetëm temat.
“Qe 20 vjet është punuar gabimisht, nuk mund të ndryshojë cdo gjë vitin e parë”, njëra palë.
“Qe 20 vjet i ke rrejtë popullin, tash po e bën të njëjtën gjë”, pala tjetër.
Sigurisht që pastaj këto fjalë zgjatën dhe pasurohen, varësisht nga oratori që po i përpunon ato dhe varësisht kundër kujt po bëhet debati.
“Kush je ti? more servil i të gjitha pushteteve”, njëra palë.
“Kush je ti? more hajn i të gjitha pushteteve, që tash je bo edhe me këtë pushtet”, pala tjetër.
Shpeshherë të dytë këta kanë të drejtë. Në debatët tonë të brendshme, nëse njëra palë e ka gabim, nuk do të thotë që pala tjetër e ka mirë. Madje, shumicën e herave të dyja palët e kanë mirë. Nëse njëri është hajn, tjetri mund të jetë servil. Ata thjeshtë po ia numërojnë njëri tjetrit defektet.
Nuk është vetëm shoqëria jonë që po kalon nëpër këtë fazë kaq të mundimshme. Fatkeqësisht algoritmët e rrjeteve sociale janë fajtorët kryesorë për krijimin e dhomave me eho. Nuk e di se si do të gjykohet një etapë e tillë pas disa dekadave, ndoshta do të del edhe ndonjë anë pozitive, mirëpo për kohën nëpër të cilën po kalojmë traumat janë të jashtëzakonshme. Është bërë e pamundur debati racional nëse pjesë e auditoriumit, pjesë e panelit, janë qytetarët e paftuar.
Jam i bindur që nuk do të kalojmë ndryshe as këtë herë. Albinistët do të provojnë më patjetër që të dalin prej kurthit të zgjedhjeve serbe, qoftë duke tërhequr paralele me të kaluarën, qoftë duke e bërë dallimin e referendumit dhe zgjedhjeve, kurse të tjerët do t’i përdorin armët e njëjta, duke ia sjellë publikut në vëmendje deklaratat e mëhershme të Kurtit.
Askush nuk do të diskutojë se përse është më e rëndësishme të analizohet situata që serbët duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, e jo nëse duhet t’ua mundësojmë atyre të marrin pjesë në ato zgjedhje. Me dhunë dhe me politikë të fortë ne kurrë nuk do t’i bindim serbët që të bëhen qytetarë lojalë të vendit tonë, e as që të heqin dorë prej dashurisë ndaj Serbisë. Ndoshta kjo gjë do të mund të ndodhte sikur ne t’i bindnim ata në të kundërten.
Në Ukrainë, qytetarët rusë që jetojnë në pjesë lindore janë më lojal ndaj shtetit të Ukrainës, se sa ndaj vetë Rusisë. Madje, Rusia u detyrua edhe të arrestonte një kryetar të një qyteti, që ani pse rus nuk po e braktiste rezistencën.
Ky ishte pikëvështrimi im për këtë temë. Sikur edhe për temën e kaluar nuk pres që do ta bindë dikënd që nëse tashmë nuk është i bindur.