“Do ta marrrin përgjigjen që e meritojnë”: Kurti e VV-ja i turren prapë opozitës me gjuhë akuzuese - NACIONALE

“Do ta marrrin përgjigjen që e meritojnë”: Kurti e VV-ja i turren prapë opozitës me gjuhë akuzuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditëve të fundit, pushteti nuk e ka kursyer gjuhën ndaj opozitës. Më saktësisht, i madh e i vogël nga radhët e VV-së kanë akuzuar PDK-në e AAK-në, pas refuzimit të dy partive opozitare për të votuar marrëveshjet ndërkombëtare. Madje, kryeministri Albin Kurti refuzoi t’iu përgjigjet pyetjeve parlamentare të parashtruara nga opozita, ndonëse një gjë e tillë është obligim.

Për më shumë, në fjalën e tij dje në seancën e Kuvendit, Kurti e thelloi gjuhën ekstremiste kundrejt opozitës, përfshirë edhe LDK-së, e cila i votoi marrëveshjet ndërkombëtare. Kurti la të nënkuptohej se opozita, për shkak të refuzimit, nuk është e Kosovës. Në këtë kontekst, Kurti përdori një togfjalësh të rrezikshëm, duke theksuar se “duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet”.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare të gjithë deputetët që po i bëjnë pyetjet nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse tashmë e kam të përgatitur. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet, e jemi të të njëjtit shtet nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik edhe shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që është përgjigjur më shpesh dhe më me përpikmëri pyetjeve parlamentare.” – theksoi Kurti në fjalën e tij, transmeton Nacionale.

Në të njëjtën linjë ishte edhe deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, i cili deklaroi se opozita po e bllokon e dëmton shtetin e Kosovës.

“Asnjë vërejtje në këto marrëveshje nuk e kanë. E dinë mirë që janë për qytetarët e Republikën. E kanë të qartë se bëhet fjalë për 360 milion euro, dhe përsëri nuk i votojnë. E pse nuk i votojnë? Sepse duan ta bllokojnë shtetin e të dëmtojnë qytetarët e Republikës.

Kjo opozitë po na detyron me i fitu 2/3, 80 deputetë.” – shkroi ai.

Ndërsa deputetja tjetër e VV-së, Arjeta Fejza, e përdori një term tjetër, duke shkruar se partitë opozita, PDK e AAK, po i sabatojnë votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Tutje, ajo deklaroi se opozita do të marrin përgjigjen e merituar.

“Partitë opozitare PDK dhe AAK tash e një kohë të gjatë janë duke e sabotuar votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, marrëveshje që kapin vlerën e mbi 300 milionë eurove e të cilat do të ndikonin direkt në jetën e qytetarëve.

…

Qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë destruktivitet të partive opozitare, e në zgjedhjet që po i kërkojnë (sa për konsum ditor), kurdo që ato do të mbahen do ta marrin përgjigjjen që e meritojnë!” – shkroi ajo.

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, qasjen e opozitës karshi marrëveshjeve ndërkombëtare si jo serioze ndaj shtetit të Kosovës.

“Ne si mazhorancë do të ecim para me votimin e ligjeve dhe sigurisht që do të kemi sukses, por ikja nga përgjegjësia para qytetarëve e subjekteve opozitare si PDK dhe AAK duke mos i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, është një papërgjegjësi dhe një qasje jo serioze ndaj shtetit tonë”, - deklaroi Thaçi për Blic, transmeton Nacionale.

Ndryshe, PDK-ja tashmë e ka të qartë qëndrimin për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

“GP i PDK-së sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare e ka qëndrimin e qartë për të gjithë projektligjet që vijnë këtu në Kuvend. Ne nuk votojmë dhe krejt çka kërkojmë dhe angazhohemi është që kjo legjislaturë të marrë fund sa më shpejt dhe të caktojmë datën e zgjedhjeve. Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që të dakordohemi kur ta çojmë vendin në zgjedhje, ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jofunksionale jemi dakord që brenda asaj dite do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.” – deklaroi dy ditë më parë Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme