Djegia e veturave në veri: Hovenier përsërit mesazhin që e bëri në kohën e tensioneve - NACIONALE

Djegia e veturave në veri: Hovenier përsërit mesazhin që e bëri në kohën e tensioneve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Jeff Hovenier, ambasador i ShBA-së në Kosovë ka dënuar djegien e veturave me targa RKS në veri të Kosovës.

Duke shkruar në Twitter, Hovenier tha se për fat të keq do t’i duhej të përsëriste një shkrim të tij të nëntorit të kaluar, për raste të ngjashme.

Më pas Hovenier, në mesazhin e shkruar tha se ShBA-ja dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa RKS sipas ligjit të Kosovës.

“Këto janë vepra frikacake dhe kriminale. Ritheksojmë kërkesën tonë për zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit në mënyrë që tabelat RKS të mund të vendosen për 12 muaj, duke konfirmuar se Kosova ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim,” - ishte mesazhi i Hovenier vitin e kaluar.

Djegia e veturave në veri është dënuar edhe nga zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, si raportuesja e BE-së për Kosovën, Viola Von Cramon e ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, Nicholas Abbot, të cilët e kanë cilësuar ngjarjen si të papranueshme.

“Djegia e veturave të ri-regjistruara në veri të Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë. Autoritetet përkatëse duhet të ndjekin urgjentisht përgjegjësit për të siguruar stabilitet për komunitetin lokal,”- ka shkruar Cramon në Twitter.

Ndërkohë, ambasadori Nicholas Abbot ka bërë thirrje që të gjithë akterët politikë ta dënojnë këtë akt, si dhe ka kërkuar hetime të shpejta.

“Djegia e veturave pas ri-regjistrimit në targa RKS në veri të Kosovës është e papranueshme. Të gjithë aktorët seriozë politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë akt krimi janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet,”- ka shkruar Abbott.

Lajme të ngjashme