Dje në Paris, sot në Spanjë, nesër sërish në Paris: Çka pritet të flasë Kurti?
Ishte në Francë, sot shkoi në Spanjë, nesër do të shkojë sërish në Francë. Kryeministri Albin Kurti këto ditë ndodhet jashtë vendit për pjesëmarrje në dy organizime. Tash, shefi i Qeverisë e ka publikuar edhe fjalimin që e mbajti në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropiane 2023, ku edhe u anëtarësua Lëvizja Vetëvendosje. Të shtunën, ai do të jetë sërish në Francë - çka pritet të ndodhë atje?
Mbrëmë, kryeministri Kurti njoftoi se ka arritur në Feancë, më konkretisht, në Pallatin Elysee. Ai u shfaq me bashkëshorten e tij, Ritën.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Ritën, mysafirë të Presidentit francez Macron dhe Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, në prag të edicionit të gjashtë të Forumit të Paqes në Paris.” – shkroi ai në Facebook.
Në Paris pra, Kurti ka shkuar për Forumin e Paqes, por për çka udhëtoi për në Spanjë?
Kongresi i PES
Në Spanjë, Kurti shkoi për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropiane 2023. Pjesë e saj, u bë edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Dhe atje, Kurti duket se ka mbajtur një fjalim tepër të gjatë, të cilin, e publikoi më vonë në Facebook.
Aty shefi i Qeverisë përmendi edhe disa prej atyre që ai i konsideron si arritje të qeverisjes së tij, duke u shprehur:
“Pavarësisht nga sfidat me të cilat është përballur vendi im, brishtësinë e trashëguar para tri krizave të njëpasnjëshme botërore – pandemisë, krizës së energjisë dhe asaj të inflacionit - buxheti ynë do të vazhdojë të rritet vitin tjetër, duke arritur një rekord të ri, ndërsa për herë të parë BPV-ja po tejkalon 10 miliardë euro, duke shënuar një rritje thuajse 50% të BPV-së në katër vitet e fundit.
Por, në vend që t’ju numëroj arritjet tona në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe progresin demokratik, do të dëshiroja të shfrytëzoja mundësinë e të qenit midis jush, shokë të dashur, për të ndarë mendimet e mia për situatën globale.”
Çka ndodhë nesër?
Nesër, kryeministri i Kosovës do të jetë sërish në Francë, sërish për Forumin e Paqes në Paris.
Sipas agjendës të publikuar në faqen zyrtare të forumit, Kurti në orën 10:00, në sallën D, do të jetë përballë moderatorit Pascal Boniface.
Sipas përshkrimit, Kurti do t’i ndajë njohëritë e tij se si të gjendet gjuha e përbashkët, edhe në kushtet e konkurrencës e konfliktit.
“Në një botë të polarizimit dhe konkurrencës në rritje, nuk ka qenë kurrë më urgjente për komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje bashkëpunuese për sfidat e përbashkëta dhe për qeverisjen e të përbashkëtave globale. Ndër këto sfida, një nga çështjet më urgjente dhe kritike me të cilat përballemi sot është ndryshimi i klimës. Bota po përjeton një rritje alarmante në frekuencën dhe ashpërsinë e fatkeqësive të lidhura me klimën, një kujtesë e fortë se nevojitet veprim tani. Është në këtë kontekst që edicioni i 6-të i Forumit të Paqes në Paris do të fokusohet në mënyrat për të kërkuar gjuhën e përbashkët në një botë rivaliteti. Në këtë seancë, kryeministri i Kosovës do të ndajë njohuritë e tij të paçmueshme se si mund të kërkojmë gjuhën e përbashkët, edhe në kushtet e konkurrencës dhe konfliktit.” – thuhet në përshkrimin e diskutimit.
