“Ditë e zezë”: Ndërkombëtarët gozhdojnë pushtetin për miratimin e Projektligjit të KPM-së - NACIONALE

“Ditë e zezë”: Ndërkombëtarët gozhdojnë pushtetin për miratimin e Projektligjit të KPM-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ditë të zezë për lirinë e mediave në Kosovë po e konsiderojnë ndërkombëtarët, miratimin e Projektligjit të KPM-së nga ana e pushtetit në Kuvend.

Në shumë reagime të ndara, ndërkombëtarë e diplomatë janë shprehur të zhgënjyer me qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin.

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szuynog ka reaguar ashpër pasi Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për KPM-në dhe KPK-në.

Ai ka shkruar se Kosova humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira.

“Kuvendi i #Kosovës sot humbi mundësinë për të pasur dy ligje të mira, Ligjin e ndryshuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, duke dështuar në inkorporimin e plotë të rekomandimeve të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare”, ka shkruar ai, raporton Nacionale.

“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e #Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t'i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe evropiane”, ka shkruar ai.

“Sa i përket projektligjit për zyrtarët publikë, i bëj thirrje Kuvendit që t'i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për t'u siguruar që ai të përmbushë standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme”, theksoi ai.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar gjithashtu ashpër kundrejt ligjit të KPM të votuar sot në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se çdo mundësi e humbur është një më shumë.

“Kosova do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron ta hapë rrugën për BE, çdo ligj i ri duhet të jetë në vijë me standardet evropiane. EU, CoE and OSCE kanë dhënë mendimet e tyre në ligjet, por kanë qenë të injoruar”, shkruan Rohde në “X”.

Edhe Ricardo Gutierrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve (EFJ), ka reaguar pas votimit të projekligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga deputetët e Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se kjo është një ditë e zezë për lirinë e mediave dhe demokracinë në Kosovë.

“Kosovë: Parlamenti sapo miratoi ligjin për media (Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KiE, BE, OSBE dhe EFJ për të mos bërë kështu. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare e bojkotuan seancën.” – ka shkruar Gutierrez në “X”.

Ndryshe, Ligji u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Ky ligj ishte kundërshtuar që nga fillimi nga shoqata e gazetarëve pasi nuk ishte në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Në anën tjetër, PDK-ja dhe LDK-ja kanë premtuar se Projektligjet për KPM-në dhe KPK-në do t’i dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Vendimi për miratim është kritikuar ashpër edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

Lajme të ngjashme