Dita e tretë e grevave e protestave në Francë kundër planit të Macronit për pensionet
Franca është duke u ballafaquar me ditën e tretë të grevave e protestave masive në rrugë kundër planit të presidentit Emmanuel Macron për ta rritur moshën e daljes në pension në 64 vjet.
Qindra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në më shumë se 200 protesta në pjesë të ndryshme të Francës të martën. Pengesa të mëdha priten në transportin urban dhe me trena, ndërsa rreth 20 për qind e fluturimeve në aeroportin “Orly” të Parisit do të anulohen.
Edhe disa shkolla do të mbyllen, sepse mësuesit kanë hyrë në grevë. Studentët janë duke bllokuar disa ndërtesa të universiteteve në pjesë të ndryshme të vendit, shkruan gazeta “The Guardian”.
Sipas anketave, shumica e francezëve janë kundër planit të presidentit Macron për ta rritur moshën e daljes në pension dhe për ta shtuar numrin e viteve gjatë të cilave njerëzit duhet të japin kontribute për ta siguruar pensionin e plotë.
Mosha e tanishme e daljes në pension – 62 vjeçe – është më e ulëta nga të gjitha ekonomitë kryesore evropiane.
Grupi parlamentar i Macronit u ballafaqua me brohoritje e goditje të tavolinave në kuvend të hënën në mbrëmje gjatë fillimit të debatit për planin e rritjes së moshës për dalje në pension.
Deputetët e partisë së presidentit ndodhen në pozicion të dobësuar në kuvend pas humbjes së shumicës absolute në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar. Për ta miratuar legjislacionin e ri, ata po ballafaqohen me bisedime të tensionuara për t’i bindur deputetët e partisë djathtiste, “Les Republicains” që ta përkrahin nismën e qeverisë.
Në një seancë të tensionuar të hënën, ministrat fillimisht u dëgjuan vështirë duke folur, pasi deputetët e opozitës thanë me zë të lartë se rivalët kanë shkaktuar kaos në vend. “A do të kaloni 15 ditë kështu”- pyeti kryetari i kuvendit, duke iu referuar debatit të gjatë, bërtitjeve dhe pengesave. “Po”- ia kthyen deputetët e opozitës, duke i goditur tavolinat.
Gabriel Attal, ministër i Llogarive Publike, tha se qeveria po vepron për ta shpëtuar sistemin pensional francez dhe se opsionet janë: planet e Macronit ose falimentimi i mundshëm i sistemit.
Protesta të reja rrugëve janë planifikuar për të shtunën.
