Macronit i bëhet vendi “llugë”, nis greva gjithëkombëtare në Francë - NACIONALE

Macronit i bëhet vendi “llugë”, nis greva gjithëkombëtare në Francë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sindikatat franceze të punëtorëve të martën filluan një grevë gjithëkombëtare për të kërkuar paga më të larta pas rritjes së inflacionit. Kjo grevë po cilësohet si njëra ndër sfidat më të forta për presidentin Emmanuel Macron që nga rizgjedhja e tij në krye të vendit në maj.

Greva, e cila do t’i prekë kryesisht sektorët publikë si shkollat e transporti, është zgjatje e veprimeve të gjata sindikale, të cilat kanë shkaktuar pengesa në rafineri të rëndësishme të Francës dhe e kanë çrregulluar furnizimin e pompave me karburante, raporton agjencia “Reuters”.

Udhëheqësit e sindikatave po shpresojnë se punëtorët do të marrin energji nga vendimi i qeverisë për të detyruar disa prej tyre që të kthehen në punë në depot e naftës në përpjekje për ta kthyer qarkullimin e kësaj lënde. Disa thonë se ky veprim e vë në rrezik të drejtën për grevë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, tha se më shumë thirrje të stafit mund të ndodhin gjatë ditës përderisa drejtuesit e veturave po vazhdojnë të presin në radhë në pompa të karburanteve.

“Do të ketë aq thirrje të stafit sa vlerësohet e nevojshme... Bllokimi i rafinerive, kur ne kemi arritur një marrëveshje për paga, kjo nuk është situatë normale”, tha zëdhënësi francez.

Sindikata majtiste, CGT, ka bërë thirrje që greva të vazhdojë për javën e katërt në kompaninë “TotalEnergies”, pavarësisht se kjo kompani nafte ka arritur një marrëveshje të premten për rritje të pagave për 7 për qind dhe bonuse me sindikata të tjera më të moderuara. Sindikata CGT po kërkon rritje pagash prej 10 për qind për shkak të inflacionit dhe fitimit të madh të kompanisë.

Kompania “Eurostars” tha se do të anulojë disa linja të trenave mes Londrës e Parisit për shkak të grevës së punëtorëve në Francë.

Operatori kombëtar francez i hekurudhave publike, SNCF, tha se trafiku në linjat lokale ka rënë për 50 për qind, por se nuk ka pengesa të mëdha në linjat kombëtare.

Përderisa tensionet në ekonominë e dytë më të madhe të BE-së po rriten, grevat tashmë janë përhapur edhe në pjesë të tjera të sektorit të energjisë, përfshirë gjigantin bërthamor, EDF, ku do të shtyhet puna e mirëmbajtjes, kritike për furnizimin e Evropës me energji.

Në mbarë vendin janë planifikuar edhe protesta. Një protestë në Paris pritet të fillojë në orën 14:00.

Mijëra njerëz protestuan në rrugët e Parisit të dielën kundër rritjes së çmimeve. Kryetari i partisë së të majtës ekstreme “La France Insoumise” (“Franca e Papërkulur”), Jean-Luc Melenchon, mori pjesë në protestë bashkë me fituesen e Çmimit Nobel për Letërsi për këtë vit, Annie Ernaux./Nacionale

Lajme të ngjashme