Dita e të pagjeturve në Kosovë: Kërkohet Drejtësi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, ka thënë se ata që mungojnë, janë plaga më e thellë e luftës. Drejtësia për ta është premtimi ynë që nuk shuket kurrë.
E plotë:
Ata që mungojnë, janë plaga më e thellë e luftës. Drejtësia për ta është premtimi ynë që nuk shuhet kurrë.
Në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve me dhunë, me dhimbje e respekt të thellë kujtojmë qytetarët tanë të zhdukur me dhunë gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Secili emër në atë listë është një jetë e ndalur dhunshëm, një familje që pret, një plagë që kërkon shërim, një ankth që nuk shuhet kurrë.
Edhe 26 vite pas krimeve të kryera, Serbia refuzon hapjen e arkivave ku gjinden të dhënat për të zhdukurit me dhunë e varrezat masive. Ky refuzim është përseritje e përditshme e krimit, jo vetëm ndaj viktimave, por edhe ndaj familjeve të tyre e ndaj gjithë Kosovës.
Prandaj lufta jonë për drejtësi nuk do të ndalet kurrë.
Kujtojmë me nderim dhe kërkojmë drejtësi me vendosmëri.
Hoti: Normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë
Në shënimin e Ditës së Personave të Zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, sot janë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur pranë Kuvendit të Kosovës.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti tha se çështja e të zhdukurve nuk është plagë individuale, por një plagë që prek gjithë shoqërinë kosovare.
Ai theksoi se normaliteti nuk mund të arrihet pa zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë.
“Të zhdukurit dhe plaga jonë nuk është plagë individuale, por është një plagë që e prek gjithë shoqërinë tonë. Është një plagë që nuk mund të ketë normalitet pa u treguar e vërteta dhe pa ardhur drejtësia në vend. Të zhdukurit nuk mund të shërohen si plagë vetëm me kalimin e kohës. Kjo plagë do të shërohet vetëm kur drejtësia do të vihet në vend dhe e vërteta të tregohet në familje. Zhdukjet, vrasjet apo edhe dërgimi i trupave në frigorifer apo në pajisje të ndryshme nëpër varreza masive në Serbi, nuk janë thjeshtë akte lufte. Ato janë krim kundër njerëzimit, gjenocid i pastër. Një lloj krimi që në fakt bota e sotme nuk e sheh shpeshherë. Prandaj, ky krim duhet të ketë drejtësi, e që fatkeqësisht ne këtë drejtësi ende po vazhdojmë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare dhe kudo që mundemi. Ne, Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk do të ndalemi derisa personi i fundit i zhdukur të dihet fati i tij”, tha Hoti.
Kurti në Mejë
Kurti tha se Meja është dëshmi e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptarë.
“376 shqiptarë të paarmatosur e të pambrojtur para 26 vjetëve u vranë në mënyrë mizore nga forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë. Është masakra më e madhe në Mejë e në Korenicë, e cila na ka sjellë këtu në përvjetor për homazhe dhe për t’i takuar familjarët e mbijetuar, të cilëve u jemi përjetë mirënjohës për qëndresën e fortë përgjatë gjithë këtyre viteve. Ndërkaq, dëshmorët e kombit, martirët e kombit janë emrat e artë në historinë tonë që nuk harrohen kurrë dhe po ashtu gjaku i tyre nuk humbet asnjëherë, sepse ndodhet në themelet edhe të shtetit edhe të lirisë sonë”, tha Kurti.