Dita e dialogut: Të gjithë optimistë për një marrëveshje, SHBA insiston të zbatohet Asociacioni - NACIONALE

Dita e dialogut: Të gjithë optimistë për një marrëveshje, SHBA insiston të zbatohet Asociacioni

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Takimi në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq do të ndodhë sot. Që nga dje mesazhet e ndërkombëtarëve janë bërë të qarta. Amerikanët insistojnë në themelimin e Asociacionit, ndërsa evropianët nuk presin marrëveshje finale. E NATO ka paralajmëruar palët se në rast konflikti do të intervenojë.

Ndërsa, kryeministri Kurti theksoi se në mbledhje do të diskutohet për temat aktuale, teksa insistoi në zbatimin e reciprocitetit. Ai tha se mund të ketë një marrëveshje.

Presidenti serb si gjithnjë ishte dramatik, duke thënë se e pret një takim i vështirë me Kurtin.

Kryeministri

Dje kryeministri Albin Kurti takoi të dërguarin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Po ashtu, Kurti takoi edhe sekretarin e NATO-së, Jens Stoltenberg.

Pas takimit me Escobar dhe Lajçak, Kurit e ripërsëri që nuk do të ketë shtyrje të reciprocitetit.

"Nuk do të ketë shtyrje tjetër. Po, ne mund t'i heqim këto dokumente, nëse i heqin edhe serbët", tha Kurti para mediave”, tha ai.

Tutje, ai foli edhe për atë se çfarë do të diskutohet sot.

"Mirë shkoi takimi, ishte veçse takim përgatitor, për atë se çfarë do të zhvillohet nesër. E janë dy tema të rëndësishme: E para është elementet e kornizës së përgjithshme për marrëveshje që duhet të jetë marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, me njohje reciproke dhe tjetra është çështjet aktuale", theksoi shefi i ekzekutivit.

Para Stoltenberg, Kurti tha se në Kosovë ka banda kriminale në veri.

“Ne kemi struktura të paligjshme të Serbisë që janë kthyer në banda kriminale. Duhet të ketë zero tolerancë për krimin e organizuar” – ka thënë Kurti pas pyetjes së gazetares së RTK-së.

Ai tregoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Ne jemi të gatshëm dhe të përkushtuar të kontribuojmë në çdo operacion dhe projekt të NATO-s, me të gjitha kapacitetet që kemi. Kemi vizion të qartë – ne kërkojmë anëtarësimin në NATO. Kjo do të na mundësojë të japim këtu dhe gjetiu, atë që vendet dhe kombet demokratike, liridashëse dhe paqedashëse i dhanë dhe i japin vendit dhe qytetarëve tanë. Në këtë drejtim, anëtarësimi në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s është një hap shumë i rëndësishëm”, theksoi ai.

Vuçiq

Presidenti serb Vuçiq, pas takimit me Stoltenberg, tha se do të ketë diskutime të vështira, pasi me Kurtin nuk pajtohet me asgjë.

“Thashë që paqja e stabiliteti janë të rëndësishme. Ne do të kemi bisedime të vështira nesër. Nuk pajtohemi në asgjë. Por, Serbia do të qëndrojë pas çdo marrëveshje të nënshkruar. Ne duam të shamngim cdo lloj mundësie të eskalimit dhe konfliktit. Kemi vepruar me përgjegjshmëri. Besojmë që nuk kemi bërë asnjë provokim”, theksoi Vuçiq në konferencë për media.

Ai ka folur edhe për deklaratat e Kurtit për luftë.

“Serbia dëshiron paqe, ne duam të ruajmë popullsinë tonë. Dhe kështu do të veprojmë në të ardhmen. I thashë Jens të mos presë që serbët të thonë se janë të relaksuar dhe po kalojnë kohëra të mira. Ata nuk e shohin Kosovën si një vend të pavarur, e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Ka shumë probleme që me ndihmën e KFOR-it mund t’i zgjidhim dhe të gjejmë zgjidhje me kompromis”, tha ai.

Amerikanët dhe evropianët

Në pyetjen për Asociacionin, Escobar ishte i qartë. Ai tha se Asociacioni duhet të zbatohet sipas Kushtetutës së Kosovës.

“Nuk dua të paragjykojë assesi, jemi duke shikuar drejt zgjidhjes dhe stabilitetit rajonal. Sa për Asociacionin e Komunave Serbe, marrëveshja e nënshkruar duhet zbatuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u ka thënë Escobar gazetarëve në Bruksel.

Ndërsa Lajçak tregoi se i ka takuar ndaras Kurtin e Vuçiqit për të diskutuar për programin.

“I kam takuar Kurtin dhe Vuçiq ndaras, për të diskutuar programin dhe për t’i përgatitur për takimin e nesërm. Presim një marrëveshje nesër, jo finale natyrisht, do të ishte shumë naive të shpresonim atë”, ka thënë Lajçak për media.

Tutje, ai tha se nuk është naiv të pret një marrëveshje finale në takimin e së enjtjes.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi do të fillojë në ora 10:30 dhe në fokus do të ketë arritjen e një marrëveshje gjithëpëfshirëse për normalizimin e marrdhënieve.

“Të enjten, më 18 gusht, do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel. Me në krye Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, dialogu do të mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajčák me pjesëmarrës presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të ketë në fokus përparimin në Dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Gjithashtu në takim do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensionit aktual në terren”, thuhej në njoftimin e BE-së.

Lajme të ngjashme