Dita e Çlirimit: Kush i vinte Thaçit për përvjetor, e kush u erdhi Kurtit e Osmanit?
Sot në Kosovë është festuar përvjetori i Ditës së Çlirimit. Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, parakalimi i ushtrisë – janë vetëm disa prej ceremonive që mbahen vazhdimisht. Ndër vite, Kosovën në përvjetore si ky i 12 qershorit, e kanë vizituar edhe figura kyçe të lirisë së vendit.
Kush ishte këtë vit?
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është një prej figurave që ka qëndruar këto ditë në Prishtinë, për të festuar Ditën e Çlirimit, përcjell Nacionale.
Ndërkohë, në seancën e Kuvendit e edhe në ceremoninë e parakalimit, janë parë edhe figura si George Robertson, ish-sekretar i Përgjiththëm i NATO-s, William Walker dhe ish-udhëheqës i misionit të OSBE-së.
Të pranishëm, kanë qenë edhe Sjepan Mesic, ish-president i Kroacisë, Micheline Calmy – Rey, ish-presidente e Konfederatës së Zvicrës e Mate Granic, ish-ministër i Jashtëm i Kroacisë.
Si festohej 5 vite më parë?
Në 20 vjetorin e çlirimit, në Kosovë ishte organizuar një prej festive më të mëdha për Ditën e Çlirimit.
Të pranishëm, kishin qenë hiç më pak se ish-presidenti amerikan gjatë vitit 1999, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark.

Çka kishin thënë ata?
Më poshtë, Nacionale ua sjellë disa prej fjalëve që aleatët më të mëdhenj të vendit, kishin thënë gjatë qëndrimit në Prishtinë.
“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave.” – ishte shprehur atë kohë ish-sekretarja, tashmë e ndjerë, Madeleine Albright.
“Faleminderit që na u bashkëngjitët. Falenderoj popullin e Kosovës për mikpritjen e mrekullueshme që më bëtë mua dhe Hillarit. E dua këtë vend dhe gjithnjë do e dua këtë vend, është nderi më i madh në jetën time që kam qendruar me ju për liri dhe kundër spastrimit etnik. Jam krenar që jam këtu me Madelaine dhe gjeneralin.” – kishte thënë ndërkaq ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.
Ndërkaq, ish-komandanti i NATO-s, Clark, kishte kujtuar një bisedë me ish-sekretarin Javier Solana.
“Më kujtohet kjo ditë, 12 qershori. Filloi me një telefonatë në orën 01:00 në mëngjes nga Javier Solana, i cili më kishte thënë: ‘Wesley, rusët kanë arritur në Aeroportin e Prishtinës, çka do të bëjmë?’ Unë thashë, sekretar i përgjithshëm, ne do ta dërgojmë KFOR-in që në mëngjes. Më 12 qershor, KFOR-i ka filluar me lëvizjet në Kosovë nga pozicionet e saja në Maqedoni. Kam qenë shumë krenar me forcat që kanë hyrë. Ata kanë hyrë të armatosur, por kanë ardhur këtu që të krijojnë paqe. Nuk kanë luftuar, nuk kanë pasur vështirësi, edhe pse ka pasur disa fusha të minuara. Deri në orën 16:00 me gjeneralin Jackson, ne kemi arritur në Kosovë. Ai ka shkuar në aeroport dhe e mirëpriti një gjeneral rus dhe të nesërmen në mëngjes arrita edhe unë në aeroport të Shkupit, ku jemi takuar me gjeneral Jakson.” – kishte thënë ai.