Diskutimet e mëdha të opozitës: Limajn nuk e kthejnë në PDK, Agim Veliu s’pranon të kandidojë për LDK-në
Emrat e Fatmir Limajt dhe Agim Veliut kanë qenë më të diskutuarit kohëve të fundit.
Të dy, për rikthimet në partitë e tyre. Limaj në PDK, Veliu në LDK.
Megjithatë, kjo çështje tashmë është përmbyllur. Fatmir Limajn, PDK-ja nuk pranoi ta rikthejë, përderisa Agim Veliun edhe pse e kandiduan dega e Podujevës, nuk pranoi të kandidohet.
Fatmir Limaj dhe historia me PDK-në
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vendosi të mos e përfshijë Fatmir Limajn në listën e saj zgjedhore për zgjedhjet e 7 qershorit.
Çështja nuk u hodh as në votim. Brenda kryesisë nuk ka pasur disponim për të pranuar kërkesën e kreut të NISMA-s Socialdemokrate.
Pas mbledhjes, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi vendimin e shumicës.
"Unë po ju siguroj që pjesa dërmuese me unanimitet që të veprohej në këtë mënyrë," tha Hamza.
Ai la të hapur mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen, por qartësoi se "kësaj radhe nuk do të ketë të përfshirë në listë të PDK-së."
"Është qëndrim i përgjithshëm që e presim dhe e mirëpresim kontributin e zotit Limaj, të Nismës Socialdemokrate që në këto zgjedhje do t'ia japin PDK-së," shtoi Hamza.
Kësisoji, siç edhe mëson Nacionale nga burime brenda Kryesisë, PDK po sheh edhe “t’ia testojë” mbështetjen që Limaj është vokal ta ketë ndaj PDK-së.
Dhe, në zgjedhjet e ardhshme, të ketë modalitet për “shkrirje” të Nismas në PDK.
Limaj kishte formalizuar kërkesën me një letër drejtuar Hamzës, duke e paraqitur ofertën si "akt të përgjegjësisë opozitare."
Agim Veliu refuzon dhe kritikon Abdixhikun
Agim Veliu u propozua nga dega e LDK-së në Podujevë, për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit.
Madje s’vonoi shumë e Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e quajti si hap të mbarë drejt bashkimit të madh, kandidimin e tij. Por, vet akteri, Agim Veliu ka refuzuar të përfshihet në listë për deputet.
Ai ka treguar edhe arsyet e refuzimit, duke i quajtur mashtrues e aventurier, Abdixhikun e Osmanin.
“Nuk di në cilën kategori të “Bashkimit të madh” bëj pjesë unë, por e di që para zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, publikisht pata shprehur vullnetin të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, me qëllim të mobilizimit dhe unifikimit të elektoratit. Por kryesia e Degës kishte refuzuar edhe ta nxjerrë në diskutim kandidaturën time, me arsyetimin se ishte “vendim i shefit të madh (Lumirit)” të mos jem pjesë e garës. Ndërsa sot e njëjta kryesi, me bekimin e shefit, më paska propozuar të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Madje pa më kontaktuar dhe pa më konsultuar fare. Tash nuk di nëse paskam ndryshuar unë, apo ata? Jo. As unë, as ata”, ka shkruar Veliu.
“Kanë ndryshuar vetëm strategjitë për mbijetesën e tyre politike. Ka ndryshuar edhe motoja, të cilën e solli në LDK e rikthyera nga aventuara e saj pesë vjeçare në kampin majtist. Ajo, bashkë me Lumirin, mashtrimin dhe përdorimin e madh e ambalazhuan në "Bashkim të madh të djathtistëve". Pikërisht për këto arsye, me respektin më të thellë për anëtarësinë e ndershme të LDK-së, deklaroj publikisht se refuzoj të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 7 qershorit. Unë nuk largohem nga LDK-ja, sepse është pjesë e jetës sime politike që nga themelimi i saj. Por, refuzoj të përdorem dhe të jem pjesë e një projekti që e largon partinë nga identiteti i saj institucional e shtetndërtues”, tha ai.