Dinari, siguria e serbëve, Osmani si “garantuesja primare”: Cilat ishin mesazhet e Escobarit për Kurtin? - NACIONALE

Dinari, siguria e serbëve, Osmani si “garantuesja primare”: Cilat ishin mesazhet e Escobarit për Kurtin?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gabirel Escobar, emisar special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka qëndruar për dhjetra orë në Kosovë, duke u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, liderët e opozitës, ndërsa e vizitoi edhe Manastirin e Deçanit.

Përtej urdhrit të Kurtit për regjistrimin kadastral të tokave të Manastirit të Deçanit, zhvillimi më interesant i javës ishte çështja e dinarit. Escobar tregoi se i ka dhënë disa propozime Kurtit rreth dianrit, duke theksuar se shpreson që Qeveria të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të marten.

“Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të marten”, tha ai.

Në fjalën e tij, Escobar e quajti pasojat e ndalimit të dinarit si “çështje emergjente humanitare”, e cila duhet “adresuar menjëherë”.

“Desha të vij në këtë qytet, për të dëgjuar nga dora e parë e qytetarëve se si po ndikohen nga vendimi i BQK-së. Është e vështirë t’i dëgjosh këto histori dhe mos të prekësh. Komuniteti këtu po vuan me të vërtetë. Ka njerëz që po përballen me problem të vërteta, për shkak të mungesës së mundësive që të marrin pensionet.” – ka thënë ai.

Escobar theksoi se SHBA-ja është këtu për serbët dhe se “dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë në kushte të sigurta dhe të dinjitetshme”. Tutje, emisari amerikan vlerësoi se do ta mbajnë përgjegjës Qeverinë e Kosovës për

“Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në të. Dhe sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta arritur këtë dhe ne do t’i mbajmë ata përgjegjës për këtë. Unë mendoj se të gjithë njerëzit në Kosovë mund të llogarisin në mbështetjen amerikane për shqiptarët, serbët, boshnjakët, të gjithë ata që jetojnë në këtë vend. Shpresoj se ata mund të ndjejnë mbështetjen amerikane dhe partneritetin amerikan”, ka shtuar Escobar.

Një mesazh tjetër ishte përgenjështrimi se qasja e ShBA-së dhe BE-së është pabalancuar në kuadër të dialogut. Escobari numëroi rastet kur ShBA-ja ishte në favor të Kosovës.

“T’ju them se gjithçka që kemi bërë vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Menjëherë pas Ohrit e mbështetën kandidaturën tuaj për KiE, mbështetëm proceset demokratike përfshirë zgjedhjet në veri; qëndruam prapa jush pas sulmit të 24 shtatorit dhe ju mbështetëm për Javelinët. Pra, shpjegomani ju mua se si kjo qenka e pabalancuar? Përnjëmend nuk është. Gjithçka që kemi bërë është në favor të Kosovës. Dhe do ta vazhdojmë këtë. Shpresojmë që ndërkohë edhe Kosova të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo s’do të duhej të ishte e vështirë se pse këta janë qytetarë të Kosovës”, tha ai.

Escobar e lavdëroi shumë presidenten Osmani, duke e cilësuar si “garantuese primare” të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe ShBA-së, ndërsa për marrëdhëniet me Kurtin, Escobari vlerësoi se ka vështirësi në komunikim.

“Ju (Vjosa Osmani) jeni garantuesja primare e marrëdhënies dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të falemnderoj për këtë. Dhe do të thoja që kjo trashëgimi është e bazuar në përkushtimin e pashkundshëm ndaj pavarësisë, sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë” – tha Escobari dy ditë më parë.

Lajme të ngjashme